U përfol se shqiptari Gjon’s Tears, i cili ishte shumë pranë fitores në “Eurovision 2021” duke përfaqësuar Zvicrën, ka marrë pjesë një vit më parë në Festivalin e RTSH-së por nuk është pranuar. Burime për “Kryefjala.com” thanë se ai u ftua vitin e kaluar në Festivalin e 58-të të Këngës nga organizatorët Vera Grabocka dhe Alketa Vejsiu. Pasi Gjoni ka përgatitur këngën dhe ka ardhur nga Zvicra ato e kanë “përzënë” me pretekstin se nuk ka më vend, shkruante Kryefjala.com.
Kjo ka qenë edhe arsyeja që 22 vjeçari vendosi të përfaqesonte Zvicrën, me këngën “Tout l’univers” ku arriti të dilte i treti në finale.
Pas këtij lajmi, ka ardhur edhe reagimi i Alketa Vejsiut e cila ka pranuar situatën. Për “Anabel.al” ajo shkruan:
“Gjoni ka qenë jashtë date atëherë për pranimet, mesa mbaj mend. Unë doja shumë që Gjon të ishte pjesë. Mendoj që është një talent absolut. I kam propozuar të jetë i ftuar si “zërat e të ardhmes”. Ishin bërë zgjedhjet e artistëve dhe ishte jashtë kohe ardhja e këngës dhe për më tepër në frëngjisht. E kam kontaktuar personalisht sepse e konsideroj një talent me një zë dhe stil unik, por ishim jashtë kohe. Procedurat e RTSH-së janë pak rigoroze; kjo nuk vë në diskutim talentin e këtij artisti, të cilit uroj t’ja dëgjoj zërin sa më lart. Nëse do ta ribëja Festivalin, do ta ftoja me kënaqësi”.
Italia fitoi “Eurovision 2021” pas 31 vitesh me këngën rock “Zitti e Buoni” nga grupi “Maneskin”. Ndërkohë, Shqipëria e përfaqësuar nga Anxhela Peristeri me këngën “Karma” mori vetëm 57 pikë të cilat e rendisin atë në vendin e 21-të.