Pas një transmetimi të suksesshëm të Euro 2024, Tv Klan ka firmosur edhe blerjen e të drejtës televizive të eventit më të madh futbollistik në botë, kampionatit botëror që do të zhvillohet në vitin 2026.
Lajmin e madh e dha mbrëmjen e sotme Alban Xhihani teksa komentonte nga Berlini finalen e Euro 2024 mes Spanjës dhe Anglisë. 104 sfida që do të luhen në SHBA, Kanada dhe Meksikë do të mund t’i ndiqni falas vetëm në ekranin kampion.
“Ju që na ndiqni në këto momente në ekranin kampion: Tv Klan ka firmosur këto ditë edhe blerjen e të drejtës televizive ekskluzive të Kampionatit Botëror 2026. Të gjitha ndeshjet, 104 sfida që do të luhen në SHBA, Kanada dhe Meksikë do t’i ndiqni live dhe falas vetëm në Tv Klan”, tha Alban Xhihani.
Prandaj bëhuni gati të qëndroni vetëm në ekranin kampion me sportin më të bukur e më të dashur, futbollin.
Gjithashtu nga Shtatori, Tv Klan do të jetë me kombëtaren shqiptare. Kuqezinjtë do të fillojnë të ndjekin ëndrrën për të qenë në një kampionat botëror.
Nga muaji Shtator do të zhvillohen fillimisht ndeshjet e vlefshme për Nations League dhe më pas në vitin 2025 do të zhvillohen eliminatoret e kampionatit botëror.
“Lajmi i madh që kemi sonte për ju dhe gjithë shikuesit e futbollit është pikërisht kjo, blerja e të drejtës së kampionatit botëror, eventit më të madh futbollistik në botë”, përfundoi Xhihani.