Festivali europian për fëmije Junior Eurovision Song Contest 2015 do të mbahet këtë vit në Sofje të Bulgarisë në “Arena Armeec” në 21 nëntor. Në moton #Discover (Zbulo) 17 shtete nga e gjithë Europa do të jenë pjesëmarrëse këtë vit me këngëtarët e tyre të vegjël, për të treguar edhe njëherë se muzika është e vetmja gjuhë që na bashkon dhe se arti, kultura, tradita janë një vlerë e shtuar që pasuron më shumë secilin prej nesh.
#Discover – Kenga zyrtare e Junior Eurovision Song Contest 2015
Shqipëria rikthehet për të dytën herë këtë edicion, pas dy vite mungesë. Hera e parë që vendi ynë ka marrë pjesë në Junior Eurosong ka qenë në vitin 2012 me Igzidora Gjetën.
Në Junior Eurovision Song Contest 2015, Shqipëria do të përfaqësohet nga këngëtarja Mishela Rapo me këngën “Dambaje”. Një këngë që përmban të gjithë elementët që përfaqëson tema e këtij edicioni, me muzikë dhe orkestrim të Adi Hilës dhe tekst nga Pandi Laço.
“Dambaje” është fituese e çmimit të parë të Festivalit të 51-të për fëmijë në Tiranë. Kënga do të këndohet në shqip dhe është ripërpunuar nga versioni origjinal dhe vjen edhe me një videoklip mjaf të realizuar, të cilin ju ftojmë ta shikoni më poshtë.
Nata finale e Junior Eurovision Song Contest 2015 do të transmetohet në RTSH, në orën 21.00.