Suksesi i I’m Alive, këngës së Elhaida Danit që do të përfaqësojë këtë vit Shqipërinë në Eurovision Song Contest do të vijë sonte në versionin shqip.
Kjo është hera e parë që Shqipëria ka prezantuar fillimisht versionin në gjuhën anglese të këngës përfaqësuese duke rezultuar frytdhënëse që në dëgjim të parë. Ndryshe nga përfaqësuesit e edicioneve të kaluara kënga e këtij edicioni është shoqëruar pa kritika dhe ka marrë notën “10” nga publiku dhe ekspertët e muzikës. Miliona klikime kanë renditur këngën si një nga pretendentet për fitore. Por a do të këtë “Në Jetë”, titulli i versionit shqip të njëjtin pëlqim nga dëgjuesit? A do të pritet ajo me të njëjtin entuziazëm? Kjo mbetet për t’u parë sonte, në orën 20.00 në edicionin qendror të RTSH, ku do të kemi mundësi të degjojmë dhe shikojmë videoklipin i cili më pas do të publikohet edhe në kanalin zyrtar të RTSH në Youtube.
Versioni shqiptar nuk do të jetë i vetmi për “I’m Alive”, pasi Elhaida dhe autorët e këngës Zzap & Chriss janë duke përgatitur edhe versionin italian. Duke pasur parasysh famën e Elhadës në Itali, ky është momenti i duhur për të riprovuar depërtimin në tregun italian të muzikës.