Janë vetëm zera dhe thashethemet e web-it, por ditët e fundit po flitet për një rifillim të afërt të transmetimeve të Sportitalia në digital tokësorin italian, satelitor dhe në Web. Transmetuesi i suksesshëm sportiv italian i themeluar në vitin 2003, mbylli transmetimet në nëntor të 2013.
Disa të dhëna mund të provojnë ringjalljen e tij të bujshme. Këto ditë është rikthyer online faqja zyrtare e internetit www.sportitalia.com, edhe pse nuk është e përditësuar nga data e mbylljes, e regjistruar nga kompania Prima Tv Spa, në pronësi të financierit tunizian Tarak Ben Ammar, ish-pronari i rrjetit sportiv dhe pronari i operatorit TV DFree Tv, DTT kombëtar në kanalin 50 UHF, në frekuencën e të cilit transmetojne kanalet e Mediaset Premium.
Vetë Michele Criscitiello, moderator më parë i Sportitalia dhe pastaj i Sport 1 (kanali sportiv i LT që zëvendësoi Sportitalia-n), gjatë transmetimit në një program të një televizioni lokal, më 7 prill u shpreh se janë duke u përgatitur për një projekt që nuk është fillimi i diçkaje të re por vazhdimi i punës së bërë në 10 vite. Nga ana tjetër, Gianni Miller themelues i platformës streaming Streamit, ku transmetohen programe të arkivës së Sportitalia, ka komentuar në Facebook që për momentin mbeten vetëm zëra.







