Edicioni i parë i spektaklit “Dance With Me” ka startuar mbrëmjen e djeshme në ekranin e “TV Klan”, nën prezantimin e Alketa Vejsiut dhe regji të Vera Grabockës. Spektakli ka startuar në një skenë madhështore, high tech dhe të kuruar në detaje nga skenografi italian Gaetano Castelli dhe me një kast prej 14 personash konkurent VIP.
Mirëpo, jo të gjithë e kanë mirëpritur këtë show, i cili është i ngjashëm me “Dancing With The Stars” që starton shumë shpejt në ekranin e “Vizion Plus”, në të njëtën orë e në të njëjtën ditë. Gjatë spektaklit prezantuesja Vejsiu është shprehur se jetët e sotme nuk mund të imagjinohen pa një celular të mençur si Iphone apo Galaxy. Kjo ka mjaftuar që të vërshojnë një lum kritikash nga shumë njerëz në Facebook, duke e cilësuar si koment të tepërt të Alketës, pasi sipas tyre ekonomia shqiptare është e dobët për të pretenduar që të gjithë të kenë një celular të mençur.
Ndër këto kritikues ka qenë edhe spikeri i lajmeve, Drini Zeqo, i cili këtë edicion të pestë të “Dancing Albania” do të jetë bashkëprezantues i spektaklit së bashku me show girl Amarda Toska. Në një status në Facebook ai është shprehur: “Në Shqipëri sa më shumë vite te kesh në ekran, aq më shumë i lejon vetes të nxjerrësh “perla” nga goja! Por ndërkohë, mendoj se sa më shumë vite të kesh aq me më kujdes duhet kur nxjerr fjalët. Ky status u mundësua nga një Samsung Galaxy.” Ky ka qenë komenti ironizues i Drinit për fjalët e Alketës.
IMA / S. Dema