InfoMedia Albania ka qenë sot e pranishme në konferencën e parë për mediat të prezantimit të eventit Top Music Awards.
Gjatë kësaj konference organizatorët kanë zbuluar detajet e natës së madhe të 24 qershorit, që do të mbahet në Pallatin e Kongreseve.
Producentja Lori Hoxha, bashkëautori dhe prezantuesi Ledion Liço, drejtori artistik Alban Male, dhe Ergys Lubonja, bashkëautor dhe regjisor kanë bërë të njohur për publikun eventin e madh muzikor.
“Eventi Top Music Awards nis më 24 qershor në Pallatin e Kongreseve. Ky event do të presë artistët më të mirë shqiptarë”, tha Lori Hoxha.
Bashkëautori Ledion Liço u shpreh se përmes TMA muzika në Shqipëri do të shkojë në një nivel më të lartë. Vitet e ardhshme, ky event do të prezantohet nga njëri prej artistëve, duke shtuar se ky do të jetë viti i fundit që ai do të moderojë këtë event, të trashëguar nga Top Fest.
“Përmes TMA, muzika në Shqipëri do të shkojë në një nivel më të lartë. Këtë vit eventin do ta prezantoj unë, me dalje të rralla. Në vitet e ardhshme do të moderohet nga një prej artistëve”, u shpreh Ledion Liço.
Përsa i përket edhe pjesës teknike, regjisori Ergys Lubonja tha se do të ofrohet një teknologji e lartë dhe performancë e jashtëzakonshme. Drejtori artistik i spektaklit, Alban Male tha se Top Awards do të jetë një skenë gjithëpërfshirëse, ku do të marrë më të mirën e artistëve.
Top Music Awards është event i ri mediatik i cili organizohet për herë të parë në Shqipëri. Në spektaklin madhështor të 24 qershorit, do të ndahen edhe 12 çmime për artistët më të mirë të trevave shqipfolëse.
Në vijim 12 çmimet që do të ndahen natën e 24 qershorit:
- FEMALE ARTIST OF THE YEAR
- MALE ARTIST OF THE YEAR
- GROUP OF THE YEAR
- VIEWERS CHOICE
- VIDEO OF THE YEAR
- AVANTGARD ARTIST
- SONG OF THE YEAR
- TAR HIT OF THE YEAR
- MY MUSIC HIT OF THE YEAR
- ALBUM OF THE YEAR
- ACHIEVEMENT AWARD
- ARTIST TO WATCH
Përsa i përket mënyrës së vlerësimit dhe përzgjedhjes, TMA ka në strukturën e tij Bordin Artistik të Kanaleve Muzikore të Top Media (TCH, MM, MMR, TAR) si edhe Bordin e TMA, të cilët përgatisin listën e artistëve të nominuar në kategoritë e 12 çmimeve, duke i shtuar edhe votat e publikut çdo javë nga klasifikimi zyrtar i Top Awards.





















