Skënder Brataj, shefi i Urgjencës Kombëtare tregoi se cilat janë simptomat e variantit të ri të COVID-it “Omicron”. Në emisionin “Open”, Brataj tregoi se simptomat karakteristike të variantit afrikano-jugor “Omicron” janë: rrufë, sekrecione, temperaturë e lartë për 1-2 ditë dhe periudhë më e shkurtër rikuperimi se COVID.
“Është shtamë e Sars Cov 2. 30 mutacione i ka pësuar vetë Omicroni. Sars Cov 2 ka rreth 30 mijë baza në gjenomën e vet. Po të bësh llogari të statistikave, mutacionet janë të parëndësishme nga ajo që flasim. Nuk është mutacioni problemi dhe nuk është e thënë që sic nodhi me viruset e viteve ’60 që interpretoheshin gjithmonë si rrufë. Omicroni ka tipike rrufën, sekrecionet, dhimbja e fytit dhe temperaturë 1-2 ditë dhe periudhë rikuperimi më të ulët se më parë. Sa u izolua shtami, u kapën me vonesë por ishin përhapur shumë. Viurset dhe shtamat e reja janë më transmetuese dhe më pak vdekjeprurëse, ndaj në vendet e tjera merren masa menjëherë”, deklaroi Brataj.
Më herët ditën e sotme ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha se të gjitha vendet, përfshirë edhe Shqipërinë janë të shqetësuara sa i përket përhapjes së variantit Omicron në disa vende, teksa bëri thirrje për vaksinimin kundër Covid-19. Manastirliu tha se ISHP do të dërgojë mostrat për analizim për të parë më pas nëse ky variant ka qarkulluar apo po qarkullon në vendin tonë.