Tiranë, 19 qershor 2025 – Për herë të parë në Shqipëri, studentë nga 12 universitete publike dhe jopublike u përfshinë në një kampionat kombëtar debati, të ndërtuar mbi parimin e mendimit kritik, argumentimit logjik dhe qytetarisë aktive.
Projekti UNI Debate u zhvillua nga LIBURNETIK Organisation, financuar nga Agjencia Kombëtare e Rinisë (AKR) dhe Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët (MSHRF), në kuadër të grantit shtetëror për rininë, me mbështetje nga TITAN Albania.
Në këtë edicion morën pjesë mbi 120 studentë, të cilët u trajnuan dhe garuan mbi tema me ndikim si emigrimi, inteligjenca artificiale, konsumimi i ndërgjegjshëm dhe roli i të rinjve si agjentë ndryshimi.
Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë u shpall fitues, ndërsa TBU dhe Universiteti i Shkodrës zunë vendin e dytë dhe të tretë.
Gentiana Probibaj, nga Universiteti i Shkodrës, u vlerësua si “Debatuesja më e Mirë”.
Në mbyllje të finales, Ministrja Bora Muzhaqi theksoi rëndësinë e krijimit të hapësirave për të rinjtë që të mësojnë të mendojnë dhe të shprehen lirshëm, ndërsa përfaqësues të TITAN Albania ndanë vlerësime për qëllimin e thellë të projektit.
UNI Debate synon të kthehet në një platformë të qëndrueshme në arsimin e lartë – jo vetëm për të diskutuar, por për të ndikuar.







