Euronews ka nënshkruar një marrëveshje partneriteti për Amerikën e Veriut dhe Spanjën me platformën e parë sportive të transmetimit të drejtpërdrejtë televiziv fuboTV.
Sipas kushteve të marrëveshjes, edicioni në gjuhën angleze i Euronews dhe ai në gjuhën angleze i Africanews tani janë në dispozicion në platformën fuboTV në SHBA.
Euronews thotë se me këtë lëvizje të fundit vazhdon të rrisë praninë e saj në tregun OTT në Amerikën e Veriut. Gjatë dy viteve të fundit, ajo ka zhvilluar partneritete të shumta me lojtarët kryesorë dixhitalë, duke përfshirë PlutoTV, Roku, Tubi, Plex, Distro TV me një fokus të madh në rritjen e shtrirjes së saj nëpërmjet ofruesve të TV online dhe platformave OTT në të gjithë SHBA.
Duke komentuar zhvillimin, Maxime Carboni, drejtor i shpërndarjes në mbarë botën në Euronews, tha: “Jemi shumë të emocionuar për këtë bashkëpunim me fuboTV. Zgjerimi i shtrirjes sonë në Amerikën e Veriut në tregun OTT me një partner të fortë si fuboTV përshtatet në mënyrë të përkryer me strategjinë tonë të suksesshme të biznesit dhe të rritjes së audiencës, e cila ka transformuar aksesin tonë te konsumatorët amerikanë gjatë 2 viteve të fundit. Lajmet vazhdojnë të jenë një shtytës i audiencës për përvojën e TV të drejtpërdrejtë dhe një vend ku inovacioni është kritik. Ne jemi të emocionuar të ndajmë këto vlera dhe të vazhdojmë zhvillimin tonë në transmetim me një partner kaq të njohur si fuboTV”.
Euronews transmeton në 160 vende dhe shpërndahet në mbi 440 milionë shtëpi, duke përfshirë 68% të shtëpive në Bashkimin Evropian dhe MB. Me pothuajse 21 milionë ndjekës/abonentë në platformat e mediave sociale dhe një mesatare prej 24.5 milionë + vizitorë mujorë unikë në website-in dhe aplikacionin e tij, tashmë ka një audiencë të fortë dixhitale, duke arritur në 200 milionë përdorues mujorë në pajisjet e lidhura dhe OTT.








