10 ditë pas kërkesës së Prokurorisë së Tiranës, për të sekuestruar 60 përqind të “Agon Channel”, Ministria e Financave është vënë në lëvizje.
Pasditen e së mërkurës, përfaqësues të Agjencisë së Aseteve të Sekuetruara janë paraqitur në zyrat e “Agon Channel”, për të kryer një inventar për pjesë që zotërohet nga Francesco Becchetti. Nga inventari ka rezultuar se vlera e pajisjeve është rreth 1,1 miliardë lekë të reja.
Agjencia e Administrimit të Aseteve të Sekuestruara, pas inventarit ka caktuar dhe tre administratorë shtetërorë, të cilët do të përgjigjen për 60 përqindëshin që është në pronësi të Becchettit.
Administrimi nga shteti i kësaj pjese të “Agon Channel” do të vazhdojë deri në kohën kur do të ketë një vendim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit. Pritet që në ditët në vijim, në administrim të shtetit të kalojnë dhe kompanitë e tjera të sekuestruara të Becchetti -t.
Ndër to janë dhe hidrocentrali i Kalivaçit si dhe kompanitë “Energji”, “Cable System”, “400KV” dhe “Fuqi”. Ndërkohë Prokuroria e Tiranës vazhdon hetimet për skemë më të madhe të pastrimit të parave, e cila drejtohej nga Francesco Becchetti.
Ka dyshime se biznesmeni italian ka pastruar në vendin tonë rreth 100 milionë euro. Hetuesit janë në pritje të katër letër porosive të dërguara në Angli, Itali, Luksemburg dhe Austri. Nga këto shtete dyshohet se kanë hyrë milionat e eurove të pastruara nga Becchetti dhe bashkëpunëtorët e tij.
Përfaqësues të Agon set kundërshtuan vendosjen e sekuetros mbi objektet, pasi vendimi i gjykatës parashikon vetëm sekuestrim të aseteve të kësaj shoqërie. Drejtorja e Departamentit të Informacionit Sonila Meço u argumentoi se sulmi ka si qëllim ta kthejë Agon Set në një precedent për të trembur mediat e tjera. Ndërsa Drejtori Editorial Andi Bejta mendon se qëllimi i vërtetë i shtetit është të detyrojë falimentimin e Agon Channel, e kjo duket qartë pasi Agjentët e sekuestrimit nuk kanë shkuar te asnjë prej kompanive të tjera në pronë të Becchettit por vetëm të Agon Channel deri tani.
Tv Klan








