Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi sot deklaratën dhe Raportin e Stabilitetit Financiar për gjashtëmujorin e parë 2020.
Raporti i Stabilitetit Financiar është një nga dokumentet e rëndësishme periodike të përgatitura nga Banka e Shqipërisë, me qëllim kryesor identifikimin dhe vlerësimin e rreziqeve me të cilat operon sistemi financiar dhe infrastruktura e tij. Në hyrje të dokumentit vendoset Deklarata e Stabilitetit Financiar, publikimi çdo gjashtë muaj i së cilës është një kërkesë që buron nga Ligji “Për Bankën e Shqipërisë”.
Banka e Shqipërisë vlerëson se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2020, veprimtaria e sektorit bankar u zhvillua në mënyrë të qëndrueshme, pavarësisht sfidave që paraqiti situata e pandemisë në vend.
Masat operacionale të marra nga bankat për sigurimin e vijueshmërisë së funksioneve kritike dhe marrëdhënieve me klientelën, dhe masat e marra nga autoritetet publike për zbutjen e goditjes së pandemisë mbi veprimtarinë ekonomike dhe financiare të vendit, mundësuan që veprimtaria e ndërmjetësimit financiar të vijojë në mënyrë të përshtatshme dhe treguesit financiarë të sektorit bankar të mbeten në nivele të mira.
Pasiguria për zhvillimet ekonomike në kushtet e pranisë së pandemisë mbetet e pranishme, dhe të tilla mbeten edhe sfidat për veprimtarinë bankare e financiare. Megjithatë, vlerësimet e industrisë bankare dhe ushtrimet e provës së rezistencës, sugjerojnë që kapacitetet e sektorit bankar për t’u përballuar me këto sfida janë aktualisht të mjaftueshme. Banka e Shqipërisë, mbetet e gatshme të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme sipas ligjit, për të mbështetur veprimtarinë bankare dhe kontribuar në stabilitetin e sistemit financiar.
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë, miratoi sot disa ndryshime në rregulloren “Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave” dhe “Për disa ndryshime në rregulloren “Për mbikëqyrjen e konsoliduar”.
Ndryshimet në rregulloren “Për administrimin e rrezikut nga ekspozimet e mëdha të bankave” vijnë si rezultat i rishikimit të vazhdueshëm të kuadrit rregullativ mbikëqyrës, me qëllim harmonizimin e vazhdueshëm të tij me acquis të BE-së dhe dokumentet e Komitetit të Bazelit mbi regjimin e ekspozimeve të mëdha, por duke konsideruar edhe veçoritë dhe zhvillimet e tregut bankar shqiptar. Gjithashtu, ato përfshijnë dhe disa kërkesa të reja raportuese dhe monitoruese për bankat, të cilat janë reflektuar edhe në ndryshimet e rregullores “Për mbikëqyrjen e konsoliduar”, për të siguruar konsistencë në raportimin e ekspozimeve të mëdha nga bankat, si në baza individuale, edhe të konsoliduara.
Në përfundim, Këshilli Mbikëqyrës u njoh dhe me informacione të tjera mbi aktivitetin e përditshëm funksional dhe operacional të Bankës së Shqipërisë. e.xh//a.a/r.e/
Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.