Edea Demaliaj: Çdo natë këndoj për ty babi…

E ka ende të freskët herën e parë që është ngjitur në skenë. Festivali i Fëmijëve në Tiranë, viti 2007.

E më shumë sesa entuziazmin, Edea Demaliaj në këtë kompeticion nuk harron frikën e përballjes me publikun, atë publik i cili pas interpretimit e duartrokiti për minuta të tëra.

Sot është 16 vjeç. Më e rritur, më e pjekur, më e formuar dhe me ide të qarta për atë çka është dhe dëshiron të mbetet, këtë vit ajo merr pjesë në talent-shown, “X Factor Albania 4”. E cilësuar si zëri më i veçantë i këtij edicioni, përtej vlerësimeve të panumërta si e bija e kantautorit të ndjerë, Gentian Demailaj, synimi i Edeas është që të shijojë çdo këngë a performancë që sjell të hënave në skenën e Tv Klan. E ushqyer që në vogëli me tinguj dhe poezi, Edea duket se nga i ati ka trashëguar, jo vetëm forcën e karakterit, origjinalitetin, por edhe zërin, i cili dalloi dhe u përzgjodh mes qindra konkurrentësh të kësaj gare. Përveç muzikës, e bija e rockerit, që bëri histori në muzikën shqiptare me grupin “Djemtë e Detit” është mjaft e lidhur edhe me Letërsinë, aq sa për të tashmë nuk ka dilema. “Kam një lidhje të veçantë me shkrimin. Është një ndjesi që do e krahasoja me atë kur këndon në skenë dhe… PO, kam vendosur që edhe shkollën e lartë ta vazhdoj për Letërsi”, shprehet 16-vjeçarja. Por si kanë qenë ditët e Edeas pa praninë e të atit? Ç’këshillë i ka lënë Genti së bijës? Sa i pranishëm është ai në performancat e saj? Cila ka qenë dita më e lumtur me të dhe… pas humbjes së babait a vazhdon një vajzë ta shohë botën me sytë e tij…  Edea këto i rrëfen për “Koha Jonë”, në intervistën e saj të parë dhënë për mediat.

 

Edea e mbani mend herën e parë që keni kënduar përpara publikut? Në ç’skenë?

E mbaj mend shumë mirë herën e parë që dola në skenë. Isha 8 vjeç dhe konkurrova në Festivalin e Fëmijëve në Tiranë. Ka qenë një eksperiencë më shumë e frikshme, sesa entuziazmuese, sepse mbaj mend që dridhesha në prapaskenë, pasi nuk kisha kënduar asnjëherë përpara një publiku.

Tani jeni pjesë e programit më të ndjekur muzikor, me karakter garues, “X Factor Albania 4”. Referuar qindra e mijëra komenteve në adresën tënde dhe atë të zyrtare të spektaklit, duket se ju jeni një nga konkurrentët më të forta. Qëllimi i pjesëmarrjes suaj në këtë garë muzikore është më shumë një synim shpirtëror, apo një start i mirë për rrugë të gjatë në art?

T’ju them të vërtetën qëllimi im për pjesëmarrjen në “X Factor 4” është i paditur nga një pjesë e madhe e publikut. Përveç dashurisë së madhe për muzikën që do ndillej tek unë në mënyrë të padiskutueshme duke u rritur në një familje ku do dëgjosh 24 orë muzikë, por dhe një qëllim tjetër për të realizuar një ëndërr që unë dhe babi e ndanim bashkë.

Pse zgjodhët pikërisht këtë konkurs për të evidentuar talentin në këngë?

Mendoj se “X Factor Albania” është një zgjedhje perfekte për të promovuar veten si artiste, por të jem e sinqertë mbi të gjitha dashuroj faktin që më jepet mundësia çdo të hënë të këndoj në një skenë madhështore dhe ndonjëherë më duket sikur nuk po konkurroj, por sikur thjesht marrr pjesë në këtë kompeticion që të këndoj.

Performancat tuaja në skenën e “X Factor Albania” janë ndër më të duartrokiturat dhe klikuarat në Youtube. Si ju bën të ndjeheni fakti që shikoheni favorite për fitoren e këtij edicioni nga përqindja më e madhe e publikut?

Jam shumë e surprizuar faktikisht kur shoh se ka mjaft persona, të cilët pëlqejnë zërin tim. Duke e ditur se kam një timbër pak ndryshe, ndoshta të pa rrahur për veshin e shumicës vërtetë jam e çuditur kur lexoj komente pozitive, ose kur njerëzit më urojnë.

Cila nga rrymat muzikore pëlqeni më shumë? Në cilën gjendesh më mirë?

Të gjithë qeshin me mënyrën se si unë nuk kam një rryme tipike të preferuar, por di të them se më pëlqejnë këngët e vjetra, ato të cilat kanë lënë gjurmë deri më sot. Më pëlqen muzika e vjetër, soul, regge, rock dhe çdo këngë, teksti i së cilës të bën të ndjesh diçka. Nuk më pëlqejnë këngët, të cilat nuk të japin asnjë ndjesi, qoftë e mirë, apo  e keqe.

Si do ta cilësoje deri tani këtë eksperiencë?

“X Factor” është një eksperiencë e cila të rrit, të formon si artist dhe i gjithë ky proces ndodh pa e kuptuar ti vetë. Momenti kur e kupton se çfarë ndryshimesh ka bërë gjithë stafi, Vera Grabocka dhe vetë skena tek ti është kur bën krahasimin midis videove të vjetra kur këndoje nëpër shtëpi, ku shikoje gjithmonë poshtë nga turpi, me performancat e javës në “X Factor”.

Edea, ju jeni vajza e Gentian Demaliaj, kantautorit, aktorit, rocker-it, poetit të heshtur dhe njeriut që i dha formë e përmbajtje jetës së tij. Por ëndrra e tij vazhdon nëpërmjet jush dhe tashmë duket se keni një përgjegjësi të madhe mbi supe për ta realizuar këtë ëndërr… për atë, për veten… në emër të genit. Cili do të jetë hapi i radhës në art pas përfundimit të “X Factor”?

Gjatë gjithë jetës sime jam edukuar nga im at’ me një qëllim… të bëhem artiste pa e harruar kurrë dashurinë për muzikën. E gjitha do të vijë me pas si një shtjellim i asaj dashurie për muzikën. T’ju them të vërtetën nuk jam përgatitur për një hap tjetër më të madh. Mendoj se gjithçka do të zhvillohet vetë përsa kohë unë të vazhdoj ta ndjej muzikën në çdo qelizë.

dem2

Thuhet se pas humbjes së të atit, një vajzë vazhdon ta shohë botën me sytë e tij. Po ju Edea, si e shikoni botën tani?

Babi ishte një njeri plot dritë. E njihte shumë mirë jetën edhe akoma më shumë njerëzit,  por t’ju them të drejtën kam qenë unë më shumë tipi pesimist që mendoja se bota nuk ka shpëtim, se gjithçka është e mbushur me ligësi, ndërsa ai edhe pse kishte një shpirt melankolik që e shfaqte në muzikë, ose kur shkruante, në jetën familjare ishte njeriu më optimist dhe pozitiv që mund të takoje. Do doja shumë që edhe unë ta shikoja botën me sytë e tij, si një mundësi për të bërë gjithçka që të do zemra…

Një artist që bëri diferencën në skenat shqiptare jo vetëm me zhanrin dhe eksperimentet muzikore, por edhe me stilin e jetesës. Çfarë ju bën më shumë krenare që jeni e bija e Gentian Haxhiaj Edea?

Gjatë gjithë jetës sime të gjitha shoqet e mia, ose njerëzit që takoja më thonin se isha shumë me fat, sepse kisha një baba rroker, i cili me muzikën e tij kishte inspiruar një brez të tërë, por mendoj se gjëja që më bën më shumë krenare është fakti që babai im ishte Genti, ai prindi i çmendur pas meje dhe vërtetë jam krenare më shumë që kisha një baba që do të bënte gjithçka për mua, sesa për faktin që babai im ishte rroker, apo ishte këngëtar.

Çfarë ju mungon më shumë nga ai?

Më mungon gjithçka. Më mungon ai çasti kur kthehesha nga shkolla dhe shkoja direkt ta puthja, më mungojne çastet kur të dy këndonim me sa kishim në kokë, kur ecnim me makinë, më mungon mënyra se si gjithmonë më thoshte se këngën duhet ta këndoja më mirë dhe e dëgjoja në dhomën tjetër që i thoshte mamit që “kënga ishte perfekt”. Më mungojnë të gjitha të them të vërtetën. Më mungon prezenca fizikisht, por akoma më shumë shpirtërisht.

Këshilla e babait për të bijën… ajo që të është ngulitur në kokë?

Babi gjithmonë më jepte një këshillë që, në jetën e tij e kishte moto: Gjithmonë ji vetja. Ai këtë e tregoi në art, ku kurrë nuk doli nga vetja për t’iu përshtatur komercializmit, në jetë ku gjithmonë kishte karakterin e tij të veçantë, të cilin nuk e ndryshonin as njerëzit, as rrethanat dhe madje nuk e ndryshonte dot as vetë ai.

Sa i pranishëm është ai në performancat tuaja?

Çdo javë më duket sikur i këndoj atij. Më kujtohet kur mbyllte sytë kur unë këndoja një këngë në shtëpi, sepse donte të futej në botën time. Tani jam unë ajo që mbyll sytë kur këndoj, sepse pak nga ngjyra e zërit të tij është trashëguar në mua dhe ka raste kur e ndjej në zë. Kjo besoj është arsyeja pse këndoj, sepse më duket sikur e sjell më pranë vetes.

Mundesh të na thuash cila ka qenë dita më e lumtur me të?

Kjo është pyetja besoj më e vështirë. Nuk do mundesha të përzgjidhja një ditë si dita më e lumtur, por kam një kujtim që shpesh sillet në kokën time. Kur këndova për herë të parë në skenë babi kishte provat e musical-it “Romeo & Zhuljeta” dhe më kujtohet që erdhi sa të më shihte mua dhe më pas shkoi përsëri në prova. Kur u takuam në darkë mbaj mend që ishim në mes të rrugës dhe vrapova tek ai, duke iu hedhur në krahë. Nuk e di pse ky kujtim më është ngulitur në kokë. Ndoshta, sepse ka qenë një përqafim aq i veçantë dhe aq i ndjerë, saqë edhe pse isha e vogël akoma e mbaj mend.

Po më e vështira?

Familja jone ka kaluar shumë ditë të vështira, madje një periudhë të gjatë kohore, kur ne po bënim gjithçka për të gjetur një zgjidhje. Gjëja më e vështirë për mua ka qenë fakti që babi gjithmonë mundohej të tregohej i fortë para meje. Kishte net që kishte shumë dhimbje, sidomos kohët e fundit ku ai merrte morfinë një herë në një orë dhe në kulmin e dhimbjeve gjente forcë të mblidhte veten dhe të më thoshte mua me një buzëqeshje në fytyrë se, “gjithçka do të rregullohej”. Nuk kam parë dhe jam e sigurt se nuk do të takoj ndonjëherë njeri më të fortë se ai.

Të ndërrojmë temë Edea, pasi plaga e ndarjes nga jeta e babait tënd është e madhe dhe e freskët. Mund të na e zbulosh modelin tënd në muzikë?

Faktikisht kam shumë, por mendoj se muzikantët që kanë stilin e tyre dhe nuk dalin nga identiteti janë modelet më perfekt për t’u ndjekur.

Ëndrra dhe ambicia më e madhe?

Nuk e përkufizoj veten si një njeri ambicioz, por mendoj se ëndrra ime më e madhe është që të jem e lumtur në të gjitha aspektet, të bëj një punë që e dua, të jem e lumtur në familje dhe në grupin shoqëror dhe vërtetë nuk dëshiroj asgjë tjetër.

Gjërat që kanë dhe marrin më shumë vlerë në jetën tënde?

Tani gjëja më me vlerë në jetën time është mami, e cila është bërë një nënë dhe një baba për mua, por shumë vlerë kanë për mua edhe disa njerëz në veçanti, të cilët gjithmonë më kanë qëndruar pranë dhe besoj gjithmonë do jenë me mua.

Pasionet e tua, përveç muzikës?

Faktikisht pasioni më i madh, i cili ia kalon edhe muzikës është Letërsia. Duket shumë e çuditshme për disa njerëz fakti që një këngëtare dëshiron të shkruajë, por jo çdo gjë është e prerë me thikë. Unë kam një lidhje të veçantë me shkrimin. Është një ndjesi që do e krahasoja me ndjesinë që ke kur këndon në skenë dhe kam vendosur që edhe studimet e larta t’i vazhdoj në lidhje me Letërsinë.

Ma përkufizoni veten me tre fjalë?

Energjike, shpirtërore, gazmore.

Një vajzë më karakter të fortë, por edhe shumë e brishtë njëkohësisht. Cili është arma jote më e fortë (në skenë dhe në jetë)?

Arma ime më e fortë besoj është oratoria në jetën reale, kurse në skenë arma më fortë është jo vokali, por ngjyra e zërit.

Nëse do të fitonit çmimin e parë, kujt do t’ia dedikonit atë?

Arsyeja pse unë kam marrë pjesë në “X Factor” ka qenë, sepse babi e adhuronte faktin që unë dija të këndoja dhe e doja muzikën. Nëqoftëse prindër të tjerë të pyesin se, “çfarë note ke marrë në shkollë”, ose “çfarë ka ndodhur gjatë ditës”, babi ishte shumë i interesuar nëse kisha dëgjuar muzikë, nëse kisha mësuar një këngë të re, sepse mendonte se unë piqesha si njeri po të dëgjoja muzikë të mirë. Mbaj mend ditën e parë të audicioneve të “X Factor” dhe babi erdhi tek koka e krevatit, më zgjoi nga gjumi dhe më tha, “sot do shkojmë tek audicionet e “X Factor”. Nuk isha dakort, sepse ndjehesha e papërgatitur dhe mendoja se ishte shumë herët, por ai ishte i bindur dhe tani që e logjikoj, mendoj se kam qenë me fat që im at’ më ka drejtuar në këtë rrugë të bukur, që fatkeqësisht po e bëj pa të. Nuk ka vërtetë për mua rëndësi fitorja, por ka rëndësi që çdo natë këndoj për të.

Intervistoi:Albina Gjergji

Marre nga Koha Jone

REKLAMA
loading...

KOMENTO

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.