Enkeleida Zeko: RTSH me lakun në fyt!

Bashkohuni me grupin tonë zyrtar në Facebook duke klikuar këtu!

Kanë mbetur ende në Televizionin Shqiptar, njerëz profesionistë dhe nostalgjikë për historinë e këtij institucioni. Sa herë takoj një plejadë tjetër kolegësh rri dhe dëgjoj me vëmendje histori pas historie për atë godine që sot ndodhet në trekëndëshin me të rëndësishëm të Tiranës mes Presidencës, Kryeministrisë dhe Ambasadës Amerikane. E nga koha, kur kjo ndërtesë dukej shumë e lartë dhe e rëndësishme, gjërat kanë ndryshuar shumë. Tani RTSH-ja është një godinë normale në një nga zonat më të shtrenjta të kryeqytetit e shumë nga ata njerëz që përmenda më lart nuk janë me aty. Disa kanë dalë në pension, disa të tjerë i kanë larguar pak nga pak ndër vite e ndonjë që ka mbetur nuk e përfill me njeri. Dikur ata ishin pjesë e institucionit më të rëndësishëm në vend, ndërsa sot ne jemi pjesë e një institucioni publik që dëshpërimisht kërkon zgjidhje për problemet e tij nga politika. Për asnjë nuk është e fshehtë e nuk përbën më lajm, ajo që po ndodh me impiantin më të madh mediatik në vend. Në komisionet parlamentare duken qesharake zgjidhjet që bëhen duke u pasuar nga njëra mbledhje në tjetrën ndërsa qeveria si duket e sheh shumë të vjetër këtë godinë për ta rilindur. Ndonjë parti tjetër mund të ketë tek – tuk ndonjë tentakulë akoma brenda që e përdor e kështu kalojnë ditët, muajt e vitet. Gjithmonë politika e përdor median për interesat e saj e askush nuk mendon se kjo godinë që mbahet në këmbë prej 54 vitesh me shumë histori dhe ngjarje ka nevojë për vëmendje, reforma dhe drejtim dinjitoz. Prej muajsh dëgjoj në media reformat e reja të qeverisë në drejtësi, polici po me keqardhje nuk po shoh asnjë interesim për median publike, që i merr çdo qytetari 1200 lekë të reja në faturën e energjisë elektrike. Ku shkojnë këto para dhe prej kujt po menaxhohen e keni pyetur ndonjëherë veten? Si gazetare e këtij institucioni po në radhë të parë si qytetare kam të drejtën time të denoncoj çdo parregullsi që vërej apo konstatoj në punën time të përditshme. Madje qeveria trumbetoi se do të miratonte një ligj kundër korrupsionit e kjo më bëri të mendoj se ndryshimi po vjen, por jo. Deri tani këto janë vetëm demagogji e asnjë institucion që nga Presidenca, Parlamenti, Kryeministria, Komisionet parlamentare, madje, edhe vete Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk duan t’ja dinë për problemet e televizionit që ju paguani. Pak muaj më parë denoncova hapur në media mënyrën skandaloze se si po përdoreshin fondet e televizionit për Kampionatin Botëror të Futbollit. Buxhet 4 herë më i lartë se në të kaluarën dhe asnjë kriter profesional. Drejtuesi i Departamentit të Sportit Genc Ymeraj i komanduar nga zv.drejtori i Përgjithshëm Martin Leka e riktheu këtë ekran në kohën e tij më të errët po atëherë taksa e RTSH-së ishte fakultative dhe jo e detyrueshme. Programi i Kampionatit Botëror ishte një turp për televizionin publik dhe faji për këtë është i Drejtuesit kryesor të institucionit që me qëllim pa bërë asnjë analizë apo vlerësim e katandisi atë ngjarje të madhe botërore në batuta banale, biseda ordinere e ndonjë barcaletë të dalë mode që kaloheshin me fjalën “Respekte”. Po kjo është tashmë histori e njohur për të gjithë, jo vetëm ata që më kanë dëgjuar të flas përpara se të ndodhte, por edhe prej atyre njerëzve të nderuar të letrave shqipe dhe medias siç është Prof. Edmond Tupja që me delikatesë dhe kulturë iu drejtua me një letër të hapur titullarit të RTSH-së, por nuk mori asnjë përgjigje. Mos u mërzit profesor se as unë nuk kam marrë asnjë përgjigje për problemet që kam ngritur. Këta drejtues pa mandat, nuk e kanë kulturë analizën dhe është për të ardhur keq. Sapo jam kthyer në pune pas pushimeve i jam drejtuar institucionit me një kërkesë për të analizuar deri në detaje atë që ndodhi, por kjo jo vetëm që nuk u mor në konsideratë, por vazhdoi procesi i nisur i fshehjes së informacionit. Nga një Drejtor Departamenti që shkatërroi Kampionatin Botëror dhe e ktheu studion në diskutim familjar (për të përfituar honoraret) u kalua në një drejtor tjetër. A thua të jetë kjo analiza? Mbase, sepse për këta njerëz është e zakonshme dhe jo qesharake të komandosh Drejtor Departamenti një prej anëtarëve të komisionit përzgjedhës që kryen edhe detyrën e Drejtorit të Prodhimit në TVSH, është edhe drejtues programi edhe skenarist e për më tepër mik i vjetër me Zv. Drejtorin e Përgjithshëm. U morën lekët dhe gjurmët u zhdukën, s’ka gjë, se, kur të mbarojnë pushimet, kjo histori do jetë harruar dhe Enkeleida nuk do merret më me këtë punë. Madje, edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit kur të kryejë auditin kur t’i vijë radha RTSH-së (se kështu veprohet)… ehu… deri atëherë jemi apo s’jemi nuk i dihet. Pastaj çudia më e madhe 3 ditë zgjat e harrohet, kjo është procedura shtetërore në këtë vend, ku dorëheqja është tabu dhe kultura e profesionalizmit nuk ekziston. Disa, me të drejtë kujtuan se unë i them këto ngaqë mos ndoshta më hoqën nga puna apo mu preken interesat e mia, të jeni të qetë unë kam qenë dhe jam pjesë e Tvsh e askush nuk ka të drejtë të më pengojë t’i them të vërtetën publikut. Unë nuk kam nevojë që kolegë apo kushdo qoftë, të më kthejnë përgjigje në media se unë jam gazetare profesioniste, i mungoj apo jo ekranit e të tjera si këto, por ta kuptojnë këtë shkrim jo si personal, po si thirrje për të shpëtuar median tonë të përbashkët. A i intereson këtij publiku të dijë si shpenzohen paratë e tyre? Apo kur vidhen miliona në Bankën e Shqipërisë këto duken si një bakshish i vogël? Pse nuk bëhen transparente vendimet e Këshillit Drejtues dhe të Bordit të Administrimit në RTSH? Përse nuk thuhet me çfarë fondesh shkoi në Brazil, zv.drejtori i Përgjithshëm i RTSH i shoqëruar nga Drejtori Juridik, Drejtori i Marketingut, Drejtori i Projekteve dhe pse nuk u gjet ndonjë fond i vogël të shkonte ndonjë gazetar e një operator se mbase duheshin për ndonjë lidhje direkte, apo për të pasuruar arkivën? A kishte cilësi programi i Botërorit që të justifikonte buxhetin 400 % më të lartë? Këtë duhet të analizojnë kolegët dhe jo të marrin në analizë shkrimet e mia për të dhënë përgjigjet që i interesojnë drejtorit. A vlen akoma të lëmë në ndërgjegjen e këtyre drejtuesve fatin e qindra punonjësve të RTSH-së, kur Këshillit Drejtues i ka mbaruar mandati prej vitesh dhe Institucioni është pa Drejtor të Përgjithshëm? Unë mendoj që jo, sepse këta njerëz kanë provuar se qëllim nuk kanë ruajtjen e imazhit të institucionit dhe interesat e punonjësve prandaj bëhen pale në miratime dhe aprovime strukturash të reja pa patur asnjë të drejtë morale ta bëjnë këtë. Prandaj strukturat nuk janë një ambicie përtej skandalit (siç është shprehur dikush), por janë një formë e hapur “sundimi” përtej çdo imagjinate e zv.drejtorit të Përgjithshëm në bashkëpunim me Këshillin Drejtues. Ngrihen “gjoja” konkurse, ku fitojnë njerëz të paravendosur në takime me zv.drejtorin e Përgjithshëm apo edhe Anëtarë të Këshillit Drejtues të dorëhequr për të patur një vend më afatgjatë në Televizion. Ja përse nuk konkurrova sepse e dija që Drejtori i Departamentit ishte paravendosur dhe jo sepse kam frikë nga konkurrenca. I kam kërkuar zv.drejtorit hapur në mbledhje të zhvillojë një konkurs të ndershëm, por nuk pranoi sepse i kishte bërë premtimet e me siguri ishin mbyllur bisedat në tavolina kafenesh jashtë televizionit. Këto janë strukturat, pseudo-reformat e pastudiuara fare e pa asnjë projekt me justifikimin e ideve novatore të zv.drejtorit, i cili nuk e ka staturën të krijojë të ardhme për RTSH-në sepse refuzon të analizojë të shkuarën. Këshilli Drejtues as e ka marrë në konsideratë kërkesën e Sektorit të Sportit me pretendimin se nuk mbledh dot kuorumin, duke shkelur hapur Statutin, Neni 7/2, por nga ana tjetër bën mbledhje disaorëshe për të gjetur fajtorët se përse një anëtari pa mandat në radhët e tyre, nuk iu transmetua opinioni një herë në Rubrikën Sportive e për këtë kërkohet falje në publik e jepen vërejtje. Ja pra, këto vendime marrin funksionaret e zgjedhur nga Parlamenti i Shqipërisë që prej vitesh marrin honorarët e mbledhjeve dhe punësojnë të afërmit, miqtë dhe komshinjtë e tyre në Televizion në forma nga më të ndryshmet. Pse nuk e kanë moralin këta njerëz të japin dorëheqjen, siç kanë bërë disa kolegë të tyre? Me të drejte ju do pyesni pse nuk ke folur më parë? Patjetër që kam folur, në mbledhje të gjata brenda institucionit, i cili pas diskutimesh të shumta ka gjetur mundësinë që Sektori që unë mbuloj të mos cenohet në asnjë moment dhe profesionalizmi të jetë kriter bazë i çdo vendimmarrje. Sot, në “kohën e errët” te Leku-t një gjë e tillë nuk ndodh më. Zv.drejtori i Përgjithshëm jo vetëm që nuk e ka këtë kulturë pune, por unë meqë flas hapur jam person “Non grata” për diskutime dhe nuk thirrem më në mbledhje ndërsa në rrjetet sociale nga inati ofendohem me fjalët më banale që përmban fjalori. Për shkrimin tim të parë u bënë mbledhje të gjata në Institucion jo për të analizuar anët pozitive me qëllimin e mirë të ndryshimit të situatës, por për të gjetur mënyrën si të më tërhiqnin vërejtje apo të më pushonin nga puna. Hakmarrja shkoi deri aty sa ju dha vërejtje Drejtorit të Departamentit pse më dha lejen e zakonshme si çdo verë këto 9 vitet e fundit. Madje, u bënë edhe ndryshime në organikë për punonjësit e TVSH-së që mund të mendonin që kisha të drejtë në ato që thosha. Persekutoheshin të gjithë ata që më thoshin mirëmëngjesi në shkallë poshtë kamerave të survejimit sepse “deklasoheshin” nga unë e cilësuar si “armike e popullit” në RTSH dhe jo si një njeri i vetëm, që po mbron të drejtat e çdo gazetari në punë dhe të çdo femre që ofendohet brutalisht nga drejtues si Martin Leka. Ky është Drejtuesi i Institucionit që ju paguani taksat, e ne, nga ky duhet ta presim reformën? Do ishte qesharake. Një shprehje thotë që ‘çdo popull meriton qeverinë që ka” ndërsa unë mendoj që Televizioni Shqiptar nuk e meriton këtë indiferencë nga qeveria dhe as këtë Status – Quo që po kalon. Impianti mediatik më i madh në vend, që ende është në procesin e dixhitalizimit nuk mund të bëjë hapa mbrapa për faj të konsensusit politik. Unë vazhdoj të shpresoj që ka ende mundësi për ta ndryshuar këtë situatë, për t’i bërë këta njerëz të moralshëm për situatën që po kalon RTSH-ja. Nëse kemi votuar në shumicë pro Rilindjes atëherë le ta shohim këtë proces gjithëpërfshirës dhe të largojmë egoizmin në vendimmarrje. Në këto kushte, me të drejtë çdo taksapaguesi shqiptar apo punonjësi të televizionit i lind pyetja: “Si duhet të veprohet në këtë situatë me RTSH-në? “Përgjigjen me të shpejtë, të saktë dhe më të favorshme mund ta japë vetë Kryeministri Edi Rama dhe qeveria e tij që me anë të një VKM-je të anulojë, ndalojë dhe bllokojë çdo veprim që nga marrja e kompetencave nga zv.drejtori i Përgjithshëm Martin Leka e deri në zgjidhjen këtij “ngërçi’ nga Parlamenti. Sot është shumë vone, nesër mund të jetë e pandreqshme. Duhet ndalur urgjentisht rrënimi i mëtejshëm i këtij institucioni, duke e rikthyer atë në “binarët” e profesionalizmit, ligjshmërisë dhe në shërbim të të gjithë shqiptarëve.

Anëtarët e KDRTSH që u ka mbaruar mandati 28 korrik 2011

1. Agron Tufa

2. Ilir Nikolla

3. Marjan Brakaj

4. Besnik Dizdari

5. Fatmir Braka,

6. Artan Minarolli

Anëtarët e KDRTSH që u ka mbaruar mandati 27 shtator 2012

7. Robert Rakipllari

8. Petrit Ymeri,

9. Lorenc Vangjeli

10. Fatmir Toçi – Ka dhënë dorëheqjen ne 26 maj 2009

Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së

11. Petrit Beci – Ka dhënë dorëheqjen në 13 dhjetor 2013

Burimi | Gazeta Telegraf

Artikulli paraprak3 Vjet City Radio! Gëzuar nga Info Media Albania!
Artikulli tjetërAdam Levine do të realizojë një komedi për NBC të bazuar në fëmijërinë e tij