Fiks Fare denoncon mashtrimin e organizatave “bamirëse” | VIDEO

“Fiks Fare” denoncoi sonte se si fondacioni “Ndihma Humanitare” mbledh para’ për një familje në nevojë, duke i përvetësuar nëpërmjet mashtrimit.

Ndërkohë, familja në emër të së cilës kërkohen paratë, jo vetëm që nuk ka përfituar asgjë nga ky fondacion, por nuk ka kontaktuar ndonjëherë me përfaqësues të tij.

Gazetarët e “Fiks Fare” nisën investigimin pas denoncimit nga qytetarët se një fondacion bamirësie i quajtur “Ndihma Humanitare” abuzonte me paratë e mbledhura, por edhe me vetë historinë, e prezantuar prej tyre për familjet në nevojë. Ky fondacion kërkon djem dhe vajza të reja, të cilët dalin nëpër rrugë me një kuti dhe u kërkojnë qytetarëve që të derdhin para’ për të ndihmuar një vajzë të paralizuar në qytetin e Pogradecit.

Pas marrjes së informacionit, “Fiks Fare” kontaktoi me përfaqësues të fondacionit “Ndihma Humanitare”. Përfaqësuesi iu prezantua gazetarëve të Fiksit me emrin Danjel. Takimi u la pasdite në një lokal. Në takim, Danjeli tregon se ka nevojë për një vajzë që duhet të jetë e komunikueshme dhe e shkathët. Ai u thotë gazetarëve të Fiksit se paga për çdo ditë është 15 mijë lekë të vjetra dhe nëse mbledh më shumë se 200 mijë lekë të vjetra në ditë, përfiton edhe bonus. Por, ai nuk e hap kutinë në prezencë të punonjësve dhe gazetarëve të Fiksit, por tregon një ditë më vonë sa ke arritur të mbledhësh dhe nëse të takon bonus.

Pasi bie dakord me gazetarët e Fiksit për punësimin, Danjeli prezanton historinë e vajzës për të cilën del dhe mbledh të ardhura. Sipas tij, ajo është Helga, 15 vjeç nga Pogradeci dhe vuan nga paraliza. Sipas fondacionit, nëna e vajzës ka bërë apel për ndihmë. Pasi flet me Fiksin për detajet, Danjeli thotë se bashkëpunëtorja e emisionit investigativ mund të fillojë punë që të nesërmen, por do të priste telefonatën e tij.

Të nesërmen herët, Danjeli telefonon gazetaren e Fiksit dhe takohen pranë Zogut të Zi në Tiranë. Bashkë i drejtohen qytetit të Lezhës dhe ai tregon se në cilat zona do të dilnin për të kërkuar fonde. Madje, ai i thotë gazetares së Fiksit se do punonte bashkë me një djalë, punonjës i fondacionit. Për të vërtetuar skemën e mashtrimit, gazetarja e Fiksit, bashkë me punonjësin tjetër, dalin nëpër biznese të ndryshme duke prezantuar rastin, ku shumë qytetarë depozitojnë lekë, por ka edhe nga ata që janë skeptikë dhe refuzojnë. Pas disa orësh, gazetarja e Fiksit dhe punonjësi arrijnë të grumbullojnë rreth 60 mijë lekë të vjetra.

Për të vërtetuar nëse paratë e mbledhura shkonin për vajzën e paralizuar, pasi Danjeli pretendonte se e kishte ndihmuar 3 herë familjen me ilaçe dhe vajza kishte pasur përmirësime, “Fiks Fare” kërkoi dhe gjeti familjen nga Pogradeci, në emër të së cilës kërkonte para fondacioni. Rezultoi se ishte e vërtetë që vajza ishte me atë identitet siç pretendonte fondacioni, e sëmure nga paraliza, por nëna e saj nuk kishte bërë kurrë apel për ndihmë. Madje, ajo i tha Fiksit se nuk i njihte fare personat që përfaqësonin këtë fondacion bamirësie. Ajo shprehet për “Fiks Fare” se vajza merr normalisht KEMP dhe se merr vetëm dy medikamente me recetë të rimbursueshme, që ia jep shteti, por nuk kishte dijeni për këtë shoqatë dhe se nuk ka marrë kurrë ndihmë nga personat në fjalë.

Pas kësaj, “Fiks Fare” kërkoi sërish të kontaktojë me Danjelin, që prezantohej si përfaqësues i fondacionit “Ndihma Humanitare”. Gazetarët e Fiksit e telefonuan Danjelin dhe ai fillimisht pranon që është nga “Ndihma Humanitare”, por kur gazetarët i prezantohen në emër të Fiksit, ai thotë që nuk merret me atë punë, duke mohuar çdo kontakt dhe nuk pranon të japë asnjë shpjegim.

Pra, pavarësisht se Fiksi e filmoi sesi ai punëson njerëzit, organizon punën dhe mbledh fonde në emër të familjes në nevojë, në përfundim mohon çdo lidhje, duke faktuar se këto para’ nuk shkojnë në destinacionin e pretenduar, por në xhepat e përfaqësuesve të fondacionit.

Telefonata me fondacionin “ Ndihma Humanitare”

Fiksi-Alo përshëndetje, më falni nëqoftwse ju shqetësoj.
Punonjësi i shoqatës- Alo.
Fiksi- Jam e interesuar për punë, numrin e kam marrë te gazeta Çelësi. S’e di a keni vende, a jeni akoma të interesuar?
Punonjësi i shoqatës- Mund të më thoni pak emrin, ça moshe keni dhe nga jeni me origjinë?
Fiksi- E… me origjinë nga P… dhe jam 26 vjeçe.
Punonjësi i shoqatës-Ok, qenkemi një moshë pak a shumë, vetëm se ti më ke parakaluar pak. Ke angazhime, shkolle, pune?
Fiksi- Jo, unë e kam mbaruar faktikisht shkollën, ka tre vjet dhe jam pa punë për momentin.
Punonjësi i shoqatës- A je familjare, ke kalamaj?
Fiksi- Jo, unë jetoj me prindërit dhe vëllain.
Punonjësi i shoqatës- Të pyeta se, nëse je e martuar, nuk mund të punosh.
Fiksi- Jo, jam beqare vëllai. Jo e martuar, po beqare fare. Më fal, si e kishit emrin dhe kur mund të takohemi?
Punonjesi i shoqatws- Daniel. Të ma dërgosh një foto, në Viber ose Whatsup, ta shikoj pak dhe pastaj mund të takohemi te 21, po diku nga ora 7.
Fiksi-OK, gjithë të mirat!

Bisedë me Drejtorin e Bordit të fondacionit “Ndihma Humanitare”, Danjel Demarku

Drejtori -Ça bërë?
Fiksi-Si je?
Drejtori -A u lodhe ti? Unë herë pas here kam pas goca, po nuk kam gjet tamam.
Fiksi-Po për çfarë arsye, ku qëndron vështirësia o vëlla?
Drejtori -Nga g…. nënës së tyre. Do durim, do shkathtësi. Do shumë durim, do ëmbëlsi, do super energji. Të mos lodhesh. Unë punoj vetë. Hileqari në punë nuk dua. Muhabet në punë nuk dua. Dashje pa dashje, në punë do të mbikqyr. Unë sa jam shef, jam dhe roje aty.
Fiksi-Sa goca janë në staf? Janë 3 veta?
Drejtori – 1.
Fiksi-Punojmë në të njëjtën kohë bashkë? Apo…
Drejtori -Bashkë, mos! Po secili veç e veç bëjnë kërdinë ato, bëjnë hile të paparë. Po këto krijojnë shoqëri, bëjnë dhe hile. Kur them shoqëri, fare. Vetëm thjesht prezantimin. Se sa të paguan Danjeli, më the, të thash, është individuale. Unë atë e paguaj edhe 100, ndoshta dhe s’e paguaj hiç.
Fiksi-Unë Danjel jam e interesuar për punë vëlla.
Drejtori -Për nesër me 90% do jesh në punë. Tërë kohën seleksionoj. Kam pas rreth 20 goca seleksionim. S’kam gjetur goca të mira. Edhe kam pasur, pak kam pas goca të mira, një çikë edhe bën hile, i hoqa. Unë, se unë nuk punoj dot sepse unë jam shefi. Mund të punoj thjesht pak në fshat, në terren një herë nuk punoj dot se në qytet të shohin njerëzit letrat. Kurse në fshat janë aq idiotë sa zor se pyesin.
Fiksi-Sot ishit në Durrës juve?
Drejtori -Komplet rreth e qark, në fund e kishim në Durrës. Ishim pak në Elbasan. Se kështu është puna.
Fiksi- Sa vite ke që e bën Danjel?
Drejtori- 4 vite e gjysmë. 3 vite kam punën time, për 2 muaj mbush 3 vite, ndërsa një vit e gjysmë kam punuar në fondacion tjetër.
Fiksi-Arrini o Danjel që të mblidhni që të justifikoni….
Drejtori -Ajo Brisilda që të tregojsha unë ty, e kam pas punëtore nga vera, arrin kur ke punëtore të mira. Unë me 4 goca gjatë verës, më e pakta që mund të bëj është një milion e gjysmë.
Fiksi-Në ditë?
Drejtori -Brisilda më bënte 600-700 mijë lekë dita. Gjatë verës ka më shumë punë. Edhe gjatë dimrit ka, po nuk është puna e verës.
Fiksi-Po me vete o Danjel, çfarë kanë? Kanë një veshje të caktuar apo me rrobat e mia?
Drejtori -Tani në dimër jo, gjatë verës kemi uniformë.
Fiksi-Ka ndonjë letër çfarë mbajnë?
Drejtori -Letrën pra, shpjegimi i rastit. Të ta çoj pak, ta çoj pak në Viber. Ja ta çoj. Ja, erdhi? Lexoje pak me zë të ulët.
Fiksi- Ç’kemi, përshëndetje, na falni për shqetësimin. Ne jemi një grup vullnetarësh, vijmë nga Tirana, nga një fondacion bamirësie, fondacioni “Ndihma Humanitare”. Po mbledhim kontribute.
Drejtori –S’është nevoja me thënë emrin, fondacion bamirësie sepse e shohin vetë kutinë.
Fiksi-Po. Po mbledhim kontribute në gjithë Shqipërinë për vajzën e sëmurë nga …….
Drejtori – Ti pastaj e thua me mënyrën tënde, po kjo është baza.
Fiksi-Që quhet ………….. është 15 vjeçe, ajo vuan nga paraliza që në moshë të vogël dhe familjarët e saj kanë bërë thirrje për ndihmë, se nuk kanë mundësi për kurimin e saj. Falemnderit nëse kontribuoni. Çdo kontribut sado pak është i vlefshëm. Zoti jua shpërbleftë!
Fiksi-Po kështu, foto të vajzës? Kini? Që t’ua tregosh.
Drejtori -Po pra, janë të gjitha, i kam komplet ato letrat. E kam dhe licencën e fondacionit, gjithçka e ke me vete. Herë ja thua emrin, herë jo. Po thjesht ta fiksosh, ta dish emrin. Faleminderit nëse kontribuoni sado pak. Njëri do thotë “Ua, po kujt t’i besojmë ne, ju?” Jo se nuk jeni seriozë, jo keni dal nga Fiksi, jo kështu. Injoranta ka sa të duash. I thua, zotëri na fal, ne nuk jemi nga ato, ne jemi fondacion serioz. Fondacioni jonë është prej tre vitesh. Këto fjalët e mira gjithmonë. Mos i shiko kështu, se njerëzit që janë të lodhur japin më shumë. Njerëzit e lodhur japin më shumë, njerëzit e varfër. I dinë hallet sepse ata i vuajnë përditë hallet. Ditën do e kesh 15 mijë lekë. Pagesën e ke çdo ditë. Troç, unë lekun e dua shumë, sepse pa lekë nuk bën dot asgjë. Se për atë lek më ka dal shpirti. Unë bëja 1 milion lekë në verë. Madje do më kërkosh ditë pushimi dhe s’të jap dot. Ke mundësi të marrësh bonus. Kalove 200, mos e ki merak për kutinë sepse jam shumë korrekt. Gjithmonë u jap punëtorëve lekë plus. Në kuti duhet të kesh 200 (mijë lekë të vjetra). Unë kutinë nuk e hap në syrin tënd, asnjë fondacion serioz nuk e hap në syrin tënd. Kjo bëhet me mirëkuptim para. Për shembull, ato sot kishin bërë 235 mijë lekë. I bie 350 lekë bonus. Për çdo 10 mijë lekë, fiton 1 mijë lekë bonus. Gjatë punës ke mundësi t’i numërosh pak, që të di unë si po ecën. Bonusi jepet ditën tjetër.
Fiski-Nisja ça ore mund të bëhet?
Drejtori – Nesër të bëj telefon. Dalim?
Fiksi-Dalim. Mirupafshim.
Drejtori -Ok, shumë faleminderit. Mos më harro kartën e identitetit. Në orën 6 e 10 duhet të jesh në Zog të Zi.

Dita e punës

Fiksi-Mirëmëngjesi.
Drejtori -E mësove atë? Që të çova mbrëmë.
Fiksi-Po, po.
Drejtori -Më fal, për nga jemi?
Drejtori -Këtej nga Lezha. Fute dorën aty mbrapa, është një bexh. Kartën e identitetit ku e ke? Fute aty. S’kemi kohë për të humbur. Vjen ndoshta dhe ndonjë fondacion tjetër, ça do bëjmë pastaj, leshtë? Këtu brenda ke licencën, nuk do ia tregosh çdo lloj injoranti. Në faqen mbrapa ke numrin e llogarisë (bankare). Se do marr një rast tjetër, edhe ça ditë do merrem me këtë rast.
Fiksi- Nga se vuan tamam (vajza), o Danjel?
Drejtori – Nga paraliza. Paraplegjike inferiore, diçka e tillë. E kam ndihmuar 3 herë. Kjo është e katërta, e pesta s’më kujtohet. Edhe i kam bërë ca vizita, gjëra. Edhe ka ndryshuar se kur e kam marrë unë herën e parë atë ishte komplet, kshu mo, nuk u shifte me sy. Tani ka ndryshu komplet. Madje dhe flokët, atëherë s’kishte as flokë gati.
Punëtori- Po? (flet në telefon)
Drejtori- Mbylle tani, mbylle.
Punëtori- Një sekondë or burrë.
Drejtori -Mbylle të thash.
Punëtori-Të filloj puna dhe e mbyll.
Drejtori – E di ç’do të thotë mbylle kur të flas unë? E di ç’do të thotë mbylle kur të flas unë?
Punëtori-Po mirë se…
Drejtori – 3 sekonda. 1, 2, 3. ( e godet)
Punëtori- O Danjel…
Drejtori -Mbylle të thashë, tani.
Punëtori- Po një sekondë o Danjel.
Drejtori – Mbylle po të them… Na fal ti, ë? Se nuk merr vesh ky. Të mbys.
Fiksi- Këtë bexhin ta vë para?
Shoqata- Vërë në qafë.
Fiksi-Ok.
Drejtori -Do bësh këtë krahun, po do marrësh komplet bizneset.

Mbledhja e fondeve për bamirësi nëpër biznese

Fiksi- Përshëndetje, na falni për shqetësimin, jemi një fondacion bamirës, kemi rastin e ….. 15 vjeçe. Vijmë nga Tirana, mbledhim kontribute në gjithë Shqipërinë, prindërit kanë kërkuar ndihmë, sadopak do ishte…
Punëtori i fondacionit- Vajza vuan nga paraliza, babai i vet nuk jeton, nëna nga pamundësia ekonomike i bën thirrje çdo qytetari me sa mundësi të ketë të kontribuojë për kurimin e vajzës. (hedhin para’)
Punëtori i fondacionit- Shumë faleminderit.
Punëtori i fondacionit- ……. Babai i saj nuk jeton, nëna e saj në pamundësi ekonomike i bën thirrje çdo qytetari me sa mundësi të ketë të kontribuojë për kurimin e saj…..
Fiksi- Shumë faleminderit.
Qytetari- Ishalla shkojnë për atë.
Punëtori i fondacionit- Shumë faleminderit, zoti jua bëftë mbarë.
Fiksi- Shumë faleminderit.
Punëtori i fondacionit- Na falni për shqetësimin, mund t’ju marrim 1 minutë nga koha juaj? Ne jemi një grup vullnetarësh vijmë nga fondacioni “Ndihma Humanitare” nga Tirana, bëhet fjalë për vajzën 15-vjeçare nga …. ….., që në moshë të vogël vuan nga paraliza. Shumë faleminderit, zoti jua bëftë mbarë!
Punëtori i fondacionit- Na falni për shqetësimin, jemi një grup vullnetarësh, vijmë nga fondacioni “Ndihma Humanitare”, nga Tirana.
Qytetarja- Që ti hedh këto pa më thënë asgjë.
Fiksi- O Ledio, po kjo vajza sa vjeçe është, 15?
Punëtori i fondacionit- 15.
Fiksi- E ke takuar ndonjëherë?
Punëtori i fondacionit- Jo.
Fiksi- Tani, kjo ka nevojë për ndërhyrje, operacion apo ilaçe?
Punëtori i fondacionit- Kurim, kurim.
Fiksi- Ilaçe?
Punëtori i fondacionit- Po. Medikamente. Jemi një grup vullnetarësh vijmë nga fondacioni…
Qytetarja- Për çdo ditë vullnetarë jeni, po të tërë lekë merrni.
Fiksi- Faleminderit shumë, ju urojmë punë të mbarë.
Qytetari- Na një 200 lekësh sa mos me hy në gjynaf.
Drejtori – Si po shkon?
Fiksi- Mirë.
Punëtori i fondacionit- Shumë, shumë dobët. Shumë dobët, gjëra të vogla po japin.
Shoqata- Shiko, bëni mirë, se për Zotin…
Qytetarja- Nuk është hera e parë që po vini këtu për të njëjtin person, për të njëjtin emër..
Fiksi- Ne?
Qytetarja- Të tjerë, me këtë emër, me të njëjtat gjona.
Punëtori i fondacionit- Përshëndetje, jemi një grup vullnetarësh, vijmë nga fondacioni “Ndihma Humanitare”.
Qytetarja- Nuk është rasti parë dhe kena kontribu…
Punëtori i fondacionit- Ky?
Qytetarja- Po.
Punëtori i fondacionit- Zoti jua bëftë mbarë!
Punëtori i fondacionit-……Nëna e saj nga pamundësia ekonomike i bën thirrje çdo qytetari të kontribuoje për kurimin e saj……… Shumë faleminderit!

Bisedë me nënën e vajzës

Fiksi- Doja të bëja një bisedë me ty, nëse mundesh.
Nëna e vajzës- Po.
Fiksi- Ti ke një vajzë… që është e paralizuar.
Nëna e vajzës- Po.
Fiksi- Ideja… është një shoqatë, “Ndihma Humanitare” që kërkon të ardhura për vajzën tënde. Thonë që ti u ke kërkuar ndihmë atyre, kanë dhe foton e vajzës.
Nëna e vajzës- Nejse, unë jo.
Fiksi- Po juve nuk u kanë sjellë ndihma?
Nëna- Jo, neve ndihma jo, vetëm Kemp-in.
Fiksi- Jo Kemp-in, ndihma humanitare.
Nëna- Jo, jo, jo.
Fiksi- Këta njerëz kërkojnë të ardhura qytet më qytet, për vajzën tënde.
Nëna- Ouuuu?
Fiksi- Kjo është foto e vajzës tënde?
Nëna- Ehee, po.
Fiksi- Ideja është që, njerëzit që kanë kërkuar ndihmë, janë Klodian Sinani dhe Danjel Demarku.
Nëna- As i njoh. Jo, jo asnjëherë.
Fiksi- Këtë Danjelin nuk e njeh fare?
Nëna- Jo.
Fiksi- Vajza është paraplegjike?
Nëna- Paraplegjike. As lëviz, as flet.
Fiksi- Se ai më ka thënë që unë i ndihmoj me ilaçe?
Nëna- Ilaçe jo, se ilaçe unë kam ilaçin e doktorit, vetëm dy ilaçe dhe i marr me recetën e mjekut që m’i jep shteti.
Fiksi- Me këtë foto në dorë dalin kërkojnë ndihma ata.
Nëna- Çfarë thua? Edhe ilaçet që marr, kam deparkinën edhe një tjetër, i marr me recetë që më jep mjeku i Tiranës një herë në vit. I marr me rimbursim.
Fiksi- Nuk është se ke marrë ndonjëherë ilaçe shtesë (nga fondacioni)? Këto ilaçe ke?
Nëna- Jo, ilaçe shtesë jo, absolutisht. Mua s’më duhen, vetëm këto dy lloje, mua m’i përmbush shteti, më kupton?

 

Top Channel

REKLAMA
loading...

KOMENTO

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.