Rikthehet “Gjeniu i vogël 6”. Spektakli i talenteve të vegjël nis sonte në mbrëmje, në orën 21:00, në ekranin e Televizionit Klan në cilësinë High Definition.
Në këtë edicion të gjashtë, në skenën e Teatrit të Televizionit Klan do të ngjiten 24 fëmijë, talente të jashtëzakonshëm, që ashtu si edhe në edicionet e kaluara do të përbëjnë zërat e ardhshëm të muzikës shqiptare.
Me një skenografi të admirueshme, realizuar nga mjeshtri italian, Gaetano Castelli, talentet e vegjël do të këndojnë dhe performojnë, muzikë shqiptare dhe të huaj.
Për 15 javë, çdo të shtunë, në orën 21:00, juria do të vlerësojë zërat e gjenive të vegjël. Edhe këtë vit gjykimi i është besuar drejtorit artistik Adrian Hila, mexo-sopranos Vikena Kamenica, kantautorit Pirro Çako dhe këngëtares Genta Ismaili.
Në këtë takim të gjashtë me publikun e vogël dhe të madh, ideatorët e spektaklit “Gjeniu i vogël 6”, Pandi e Bledi Laço dhe Adrian Hila, kanë menduar që spektakli të drejtohet nga një aktore.
Kush është ajo? Mbetet për tu zbuluar, sonte në mbrëmje në orën 21:00, drejtpërdrejt nga Teatri i Televizionit Klan.
Burimi | Tv Klan