Zgjodha që në hapsirën e intervistave në “InfoMedia Albania” të intervistojë moderatorin Ardit Murataj. Që në momentin e parë që e kam parë Arditin në ekran kam thënë:“Ky djalë është i lindur për botën mediatike”- dhe përshtypja e parë nuk më zhgënjeu! I ri në moshë, në profesion, por që ka ditur t’a zotërojë gjithmonë ekranin që në momentin e parë të daljes së tij! Pas një gare për prezantues të emisionit rinor “Select”, Arditi dhe tre të tjerë të rinj që kanë pasion televizion, u zgjodhën prezantuesit e këtij programi, kështu Arditi u bë pjesë e pandarë e ekranit të Top Channel, por jo vetëm, ai prej disa kohësh është dhe prezantues i një prej emisioneve që ka bërë histori në “Top Albania Radio”, emisioni “Një Këngë për Ty” dhe e disa emisioneve të tjerë. Kështu, nëse të pëlqen bota e spektaklit, muzikës, është e pamundur që të mos dëgjosh dhe shohësh Arditin teksa prezanton. Zëri i tij i veçantë, thjeshtësia që ka në prezantim, i zoti, tepër i zoti, ka bërë që ekrani dhe radio ta dojë Arditin. Jam i sigurt se ky është vetëm fillimi për të, pasi mendoj dhe besoj se e pret një karrierë e gjatë dhe e sukseeshme në botën e spektaklit! Më poshtë ju ftojmë të lexoni intervistën e realizuan me Ardit Murataj për IMA.

 

WhatsApp Image 2016-08-22 at 11.42.14
Ardit përshëndetje! Së pari të falenderoj që pranove ftesën për realizimin e kësaj interviste! Ardit Murataj, prezantues në Top Media, çfarë do të thotë kjo për ju?

Do të thotë të jetosh një ëndërr me sy hapur. Është një ndjesi e jashtëzakonshme të jesh aty, por unë kurrë nuk harrojë që duhet shumë punë që kjo ëndërr të vazhdojë. Ky ishte viti i parë si pjestarë i familjes Top Media dhe shpresoj që shumë vite të tjera të pasojnë aty.

Si u bërë pjesë e Top Medias? Na trego pak për fillimin, sa e vështirë ka qenë për të arritur deri në këtë fazë?

Jam bërë pjesë e Top Media pas një procesi të gjatë që konsistonte në audicione dhe seleksionime. Filloi në Qershor 2015 ku pas shumë vitesh Top-i kishte hapur dyert për të gjithë të rinjtë që mendonin se kishin një të ardhme në televizion. Një ndër ato persona isha dhe unë. E kujtoj si dje ditën e audicioneve. Kisha ardhur në Tiranë nga Elbasani një ditë më parë. Te nesërmen në orën 10 të mëngjesit fillonte dhe ishte një kohë e keqe në mëngjes sepse binte shi. Kam marrë numrin 17 dhe kam pritur rradhën. Erdhi momenti qe të futesha ne Piramidë dhe përpara meje ishte një panel i përbërë nga Ardit Roshi, Fiori Dardha, Lori Hoxha etj. Kam mbaruar audicionin dhe tek dera më ka përcjellë Renisa, autorja e programit “Në Shtepinë Tonë” dhe kur e pyesja me ankth, hë si dola? si isha?, Renisa më thotë që kisha dalë shumë mirë dhe pastaj fraza klishe nëse na pëlqen do të marrim në telefon. Kështu shkoi dhe faza e dytë e audicioneve ku ishte prezent dhe Ledion Liço bashkë me Sara Hoxhën dhe nga më shumë se 100 persona që ishin herën e parë tani ishin 20. Në datë 1 gusht 2015 paraqitemi në Piramidë 9 persona dhe na komunikohet se të gjithë jemi në konkurim për tu bërë moderatorë të Select. Një vajzë u largua pa filluar akoma trasmetimi për arsye shkollore. Dhe kështu filloi rrugëtimi im. Ka qenë e veshtirë pasi çdo ditë unë bëja rrugën Elbasan-Tiranë-Elbasan, plus vështirësia e shkollës që isha maturant në Elbasan dhe nuk e dija nëse do fitoja në fund fare por më mjaftonte vetëm shpresa. Tek çdo eleminim kam qarë sepse nuk doja që ajo aventurë të mbaronte. Ka qenë e vështirë shumë madje, por asgjë nuk do ishte e mundur sot nëse familja ime, mami, babi, vëllai dhe gjyshërit nuk do më kishin mbështetur. Dua të falenderoj dhe publikun që më ka votuar që unë të isha pjesë e Top Media dhe asgjë nuk do kishte ndodhur nëse Top Media nuk do kishte besuar tek unë.

WhatsApp Image 2016-08-22 at 11.51.17

Të bëhesh pjesë e ekranit ka qenë gjithmonë synimi juaj?

Jo, nuk ka qenë gjithnjë synimi im të jem pjesë e ekranit. Unë kam një dashuri shumë të madhe dhe për radion sepse në Elbasan ky pasion nisi nga radio.

Si ndihesh në Top Media duke qenë se të rinjtë gjithmonë shihen me pak xhelozi?

Përkundrazi, mbizotëron një frymë shumë e mirë, madje unë nuk e prisja që të më ndihmonin aq shumë. Të gjithë, pa përjashtim, më kanë ndihmuar dhe nuk kanë shfaqur asnjë shenjë xhelozie.

Çfarë është për ju televizioni?

Televizioni për mua është jetë. Të gjithë shohin vetëm produktin final por shumë pak e dinë se çfarë pune bëhet pas kuintave që produkti final të dalë ashtu siç duhet. Në ditët e para unë jam mahnitur kur shihja të gjithë ata njerëz që punonin me një deshire dhe energji që dukej se nuk shteronte kurrë duke filluar që nga personeli i thjeshtë e deri tek drejtuesit dhe kjo gjë më ka mbushur me një pasion të pamatshëm për ata njerëz dhe për atë vend.

Të bëhesh pjesë e një ekrani televiziv është një ëndërr e shumë të rinjëve, e quan veten me fat që ju e keni bërë realitet këtë gjë?

Me shumë fat jo me fat! E theksoi që asgjë nuk do ishte e mundur pa ndihmën e familjes dhe Top Media!

Si dhe sa t’a ka ndryshuar jetën televizioni?

Më ka ndryshuar jetën për mirë duke qenë se di më shumë dhe njoh më shumë. Gati 80 %, e jetës time, kanë ndryshuar shumë gjëra, ambjenti ku rri, njerzit që takoj etj.

Gjatë kësaj kohe keni marrë oferta nga media të tjera? Do të largoheshit nga Top-in për një ofertë më të mirë?

Ka patur interesim nga radio dhe televizione por kanë mbetur thjeshtë biseda telefonike, asgjë konkrete. Për momentin jam i fokusuar me Select dhe punën në Top Media, se çfarë do të ndodhë më vonë nuk e di. Unë jam i kënaqur këtu ku jam dhe dua të qëndroj për një kohë të gjatë.

Në Top Channel ka qenë hera juaj e parë si prezantues apo keni pasur eksperienca më parë?

Kam patur eksperienca por deri diku amatore. Kam prezantuar në teatrin Skampa dhe kam patur një emision radiofonik në një radio lokale në Elbasan. Kam ende nostalgji për atë emision sepse e kam krijuar vetë. We Are Young e kishte emrin.

Me çfarë jeni i aktivizuar tjetër përveç se në televizion dhe në radio?

Ketë verë kam ndihmuar Erjonin (vëllai) pasi ka hapur një club veror në Shëngjin dhe e kam ndihmuar me këngëtarët dhe me kontaktet dukë marrë një rol të ngjajshëm me atë të menaxherit të eventeve, ndërsa nga krahu tjetër ndihmoj dhe babin me biznesin e tij. Eshtë një biznes që ka në fokus shërbimet e mbrojtjes nga zjarri. Por në qendër të vëmendjes tani është shkolla pasi po bëhem gati për universitetin.

Në Select jeni katër prezantues dhe nga ekrani duket se shkoni tepër mirë, po jashtë kamerave si është mardhënia juaj?

Marëdhënia jonë është shumë e mirë si brenda ashtu dhe jashtë ambjenteve të punës. Nuk kanë qenë të pakta rastet kur kemi dalë për një kafe ose për një gotë në mbrëmje. Midis nesh mbizotëron një frymë shumë e mirë grupi.

Me cilin prej tyre keni një raport më të mirë?

Nuk mund të veçoj askënd më besoni, pasi të gjithë funksionojmë bashkë dhe kemi një raport që kalon kufinjte e punës. Jemi shokë shumë të mirë që përpiqemi të ndihmojmë njëri-tjetrin sa herë kemi nevojë. Si Kiara, Liesa dhe Misheli janë pjesë e jetës time dhe secili prej tyre ka një vlerësim të njëjtë nga unë si në aspektin e punës si në aspektin shoqëror

WhatsApp Image 2016-08-22 at 11.43.07

Thuhet se kur dikush bëhet i famshëm fillon e ndryshon dhe zakonisht për keq, me ju si ka ndodhur?

Do isha hipokrit nëse do flisja tani për veten në këtë aspekt. Janë njerzit që më rrethojnë ata që e shohin më mirë këtë gjë. Deri tani nuk kam ndryshuar në sjellje, vazhdojë të mbetem njësoj ose të paktën këtë më thonë (qesh).

Çfarë të pëlqen dhe çfarë jo nga pjesa e të qenurit i famshëm?

Nuk e konsideroj veten të famshëm sepse nuk kam bërë akoma ndonjë skandal që të përflitem ashtu siç bëjnë shumica. Thjeshtë bëj punën time ashtu siç bën punën e tij një mjek, ekonomist, avokat, kamarier dhe unë bëj punën time që është moderator i një emisioni. Nuk ka patur diçka që unë të thoja kjo nuk më pëlqen, kam shijuar çdo moment me të mirat dhe të këqijat.

Çfarë të pëlqen të bësh tjetër përveç prezantimit?

Më pëlqen muzika, kam marrë leksione kanto për 6 vite dhe e kam si talent të fshehur. Por më pelqen shumë dhe aktrimi, këtë e kam dhe pak në gjak pasi gjyshi im, ndjesë pastë, ka qenë aktor dhe regjizor në teatrin e Elbasanit.

Çfarë e bën të lumtur Arditin?

Hmmmm pyetje e mirë! Më bën të lumtur familja, kur e shoh që është krenare për mua dhe unë dua të vazhdoj që t’i bëjë ata të ndihen kështu, jo vetëm ata por të gjithë.

Diçka që të mungon në jetë dhe që pret ta realizosh?

Më mungojnë shumë gjëra por që arsyetohen dhe me moshën. Në plan të parë kam të mbaroj studimet universitare me rezultate të mira, që nisin ketë vit. Tani që ma kujtuat më mungon pasaporta se më ka skaduar (qesh).

Së shpejti nis sezoni i ri televiziv, ku do ta shoh publiku Arditin, ndoshta me ndonjë projekt të ri?

Besoj serish në Select, kam ende nevojë që të mësoj dhe të përmisohem përpara se të më besohet një format tjetër televiziv. Megjithatë, momentalisht jam i lumtur këtu ku jam!

Kemi parë që Ledri Vulën e keni pikë të dobët, na trego pak për raportin që keni me të?

(qesh) Me Vulën kam një raport perfekt. Është një djalë shumë i mirë dhe kemi një respekt reciprok për njëri-tjetrin. E vlerësoj shumë si reper dhe artist, madje para dy javësh u takuam për herë të fundit dhe po flisnim për kohën kur jemi takuar për herë te parë në Elbasan vite më parë.

WhatsApp Image 2016-08-22 at 11.42.47Të shkruajnë shumë vajza (fanse) tashmë që je figurë televizive?

Sinqerisht nuk di ç’të them. Çdo ditë kur hap profilin tim në Instagram dhe Facebook shoh vajza dhe djem që më shkruajnë dhe më bëhet qejfi që më mbështesin. Fundja fare, ne jemi aty për atë gjë, kur marrim komente pozitive për emisionin do të thotë që po bëjmë një punë të mirë. Përpiqem që t’i kthej të gjithëve përgjigje dhe të jem në kontakt me ta dhe e bëj më së miri këtë gjë. Gjej rastin që t’i falenderoj të gjithë. Ju dua pa masë!

Cila është femra ideale që Arditi kërkon të ketë në krahë? Apo e keni dikë?

Femra ideale e Arditit hmmmm??? Nuk dua një vajzë serioze, dua dikë që të jetë spontane, e dashur, e thjeshtë dhe lozonjare. Më pëlqejnë brunet më shumë se biondet dhe të jetë elegante në trup. Këto janë kriterët, të interesuarat të më shkruajnë (qesh). Me pak fjalë jam single.

Cilat janë synimet që ju keni për të ardhmen?

Të vazhdoj me sukses punën time në Top Media. Të marrë më shumë përgjegjësi në biznesin e familjes dhe të mbaroj studimet.

Momantalisht, çfarë është më e rendëshishme për ju?

Familja dhe shëndeti i saj, jo vetëm në këtë moment por gjithnjë!

WhatsApp Image 2016-08-22 at 11.42.33

Për të gjithë ata të rinjë që duan të bëhen pjesë e botës së televizionit, ju çfarë do i’u sygjeronit?

Punoni sa më shumë të jetë e mundur sepse askush nuk e mohon dot punën pasi ajo është evidente. Ndoshta dikush mund të mbështetet më shumë për momentin por aq shpejt sa mund të ngrihen aq shpejt bien. Tregohuni të thjeshtë dhe me këmbë në tokë.


Ekskluzive InfoMedia Albania Intervistoi R. Sharka
Foto: Instagram @arditmurataj / Projekti grafik N. Lako

REKLAMA
loading...

KOMENTO

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.