Kur ishte ende adoleshente, Flutura u përball me një fatkeqësi që i ndryshoi krejtësisht rrjedhën e jetës së saj. Motra e saj e madhe humbi jetën pas një sëmundjeje të rëndë, duke lënë dy fëmijë jetimë. Prindërit e dy motrave e shtynë Fluturën 15-vjeçare të martohej me bashkëshortin e Salushes së ndier, Sami Dedën, të mbante mbiemrin e tij e të kujdesej për fëmijët.
Pas shumë vitesh, djali i saj, Françesko, zbuloi rastësisht të vërtetën. Flutura iu drejtua ‘Ka një mesazh për ty’, për t’i dhënë atij një mesazh që ajo nuk mundi dot ta shprehte pa lot dënese:
‘Ti je dhe do të mbetesh gjithmonë djali im i parë dhe i madh. Unë do të jem gjithmonë nëna jote’, i tha Flutura djalit të saj, i cili gjithashtu u përlot, ‘Mos i dëgjo ato që të thonë të tjerët që të largohesh nga unë […] të jetojmë bashkë siç kemi jetuar deri tani, derisa të rritesh e të punojmë bashkë’
Flutura e ka rritur Françeskon dhe motrën e tij të madhe me sakrifica nga më të vështirat, duke lënë shpeshherë pas dore edhe dy fëmijët e saj biologjikë. Për shkak të problemeve ekonomike, Françesko është detyruar të lërë shkollën e të vazhdojë arsimin profesional, por pavarësisht pamundësive, ai i është shumë mirënjohës Fluturës, nënës së tij:
‘E dua shumë!’, shprehu Françesko sapo pa se kush ishte njeriu që priste t’i jepte një mesazh përtej murit të ‘Ka një mesazh për ty’. ‘Mami. Unë të dua shumë’, ishte përgjigja e Françeskos për nënën e tij, ‘Nuk do t’i dëgjoj asnjëherë fjalët e të tjerëve.’