Miss Shqipëria 2019 nis rrugëtimin

Burimi: Facebook/Miss Shqiperia

Shtegtimi i garës 21-të mbarëkombëtare të bukurisë, Miss Shqipëria 2019 vazhdon në monumentet dhe qendrat historike të trashëgimisë kulturore shqiptare. Këtë vit finalja e madhe do të mbahet në 5-6 korrik në kalanë e Libohovës, duke simuluar promovimin turistik të gjithë qyteteve të jugut, Sarandës, Përmetit, Gjirokastrës dhe gjithë objektet turistike rreth këtyre zonave.

Lajmotivi i kësaj gare është jo vetëm bukuria e vajzës shqiptare, por të bashkojë bukurinë e njeriut me bukurinë e monumenteve: “Një miss, një kala, një histori, një kurorë”. Që prej tri ditësh në Kompleksin “Vatra” pranë konvikteve të Inxhinierisë së Ndërtimit në Tiranë po zhvillohen audicionet e këtij viti, ku përveç vajzave që kanë lindur e jetojnë në Shqipëri kanë mbërritur shumë konkurrente nga diaspora, si; Italia, Greqia, Anglia, Gjermania etj, vajza që janë kureshtare të njohin historinë e vendit të tyre përmes kësaj gare bukurie.

Pas Tiranës, bukuroshet do të zhvendosen në jug të vendit, për herë të parë në Kalanë e Libohovës, ku Alba Bajrami, mbretëresha e bukurisë e shpallur në kalanë e Toptanasve në 2018, do t’ia dorëzojë kurorën një prej 31 bukurosheve konkurrente të këtij viti.