Ai figurë publike dhe sipërmarrës i njohur, ajo ish-mis. Të dy një ndër çiftet më të bukur të “showbizz”-it shqiptar. Prej gati 2 vitesh, dyshja e kishte bërë publike lidhjen e tyre, e madje edhe në media nuk i ka fshehur dedikimet plot dashuri. Por, duket se edhe kësaj romance i ka ardhur fundi. Flasim për Arbër Çepanin dhe Arnita Beqiraj që prej kohësh ishin shndërruar në një nga dyshet edhe më të pëlqyera në rrjetet sociale. Fotot e tyre romantike dhe dedikimet plot ndjenjë ishte një copëz e asaj që shihnim në postimet e tyre.
Por, duket se tashmë të gjitha këto postime janë larguar dhe të dy kanë larguar të gjitha fotot që kishin me njëri-tjetrin. Madje dy të rinjtë tashmë as nuk e ndjekin njëri-tjetrin në rrjetet sociale, duke “vulosur” ndarjen pa dhënë shpjegime për të gjithë fansat e tyre. Kujtojmë se vetëm pak kohë më parë, Arbri ishte pjesë e “Dancing With The Stars”, ku javë pas jave performonte krah balerinës së tij, Erisës.
Nga ana tjetër, Arnita ishte ndër mbështetëset më të zjarrta të tij, duke e përkhrahur atë edhe publikisht. Ish-fituesi i “Big Brother 1”, Arbër Çepani, ka folur për herë të parë në një intervistë televizive së bashku me partneren e tij .Teksa ishin të ftuar në “Goca dhe gra”, Arbri rrëfeu se si është njohur me ish-misin e Shqipërisë. “Në emisionin që unë prezantoja për tre vite, sa ika unë erdhi në regji Arnita”, tha me shaka ish-fituesi.
Arbri, i cili ishte dhe një ndër konkurrentët e “Dancing With the Stars”, foli për eksperiencën e tij në spektaklin e kërcimit dhe u shpreh se e konsideron një angazhim të madh, por shumë të bukur. “DWTS fillimisht nuk e merr me aq seriozisht, se sa e merr që ditën e parë që shkel në këtë lloj emisioni, që është si emision i një artilerie të rëndë, për shkak të impenjimit shpirtëror, fizik. Që në momentin e parë që ti futesh, duhet patjetër ta çosh gjënë deri në fund. Është diçka që të merr kohë, por është një kohë shumë cilësore”- tregoi ai. Sakaq, partneres së biznesmenit iu drejtua dhe pyetja se si po e shikon këtë rrugëtim të ri të Arbrit.
“Unë kam punuar në produksione të mëdha. Një produksion kërcimi e kam bërë për gjashtë vite. Ia njoh të gjitha dinamikat. Kur Arbrit i erdhi propozimi, i thanë vetëm një orë në ditë do merret me prova. I thashë një orë në ditë ta harrosh. Unë jam e mendimit që secili vendimet duhet t’i marrë vetë, të tjerët mbetet ta mbështesin. Arbri e kishte vërtetë shumë dëshirë dhe kam përshtypjen duket (qesh)”, u shpreh ish-mis Shqipëria. “Nuk do t’i vija notë. Mund të veçoj performancën që deri tani më ka pëlqyer më shumë, ishte samba, që kishte ardhur shumë bukur në skenë, koloriti, kërcimi, raporti i tyre ishte shumë i bukur. Këtë mund ta veçoj si këngën”, përfundoi ajo. Më herët, Arbri ka zbuluar edhe detaje të tjera nga historia e dashurisë me Arnitës. I pyetur se si janë njohur, ai tregoi se i ka bërë bashkë profesioni dhe ambientet e përbashkëta që frekuentonin, ashtu si edhe dashuria për gjërat e bukura.
“Njerëzit e mirë i përputh universi, kështu që jemi përputhur nga energjia e mirë besoj. Jemi njohur nga ambientet e përbashkëta, profesioni, dashuria për gjërat e bukura…”, u shpreh Arbri, i cili, duke u munduar ta anashkalonte temën, e mbylli duke thënë: “Nuk e kam me vete zonjushën, por ju puthim virtualisht”. Arbri zgjodhi ditën e lindjes së Arnitës për të zyrtarizuar lidhjen e tyre në rrjete sociale. Në një festë me miq të ngushtë, Arnita festoi ditëlindjen në jug të Shqipërisë dhe në biznesin që Arbri e menaxhon prej vitesh. Organizatori kryesor kishte menduar të gjitha detajet e festës surprizë për të bërë të lumtur të dashurën.
“Urime për një udhëtim tjetër rreth Hënës”, ishte mesazhi që i shkroi Arbri Arnitës në krah të postimit, pas së cilit kanë vërshuar urimet e të gjithë miqve të çiftit. Që nga ai moment, Arnita dhe Arbri ishin të pandarë, duke publikuar shpesh foto nga e përditshmja e tyre, por edhe nga udhëtimet e tyre. Ish-konkurrenti i “DWTS”, shpesh ka folur në media për lidhjet e dashurisë dhe mënyra sesi ai i sheh raportet personale. “Sigurisht, një lidhje, për të qenë e shëndetshme duhet që, ashtu sikurse një lule, të ujitet çdo ditë me dashuri dhe përkushtim. Se sa e bën gjithsecili prej nesh këtë gjë në mënyrë konstante, mbetet për t’u parë, por e mira është që zjarri të mbahet ndezur me ashkla të përditshme”, ka thënë ai më parë. Në një nga intervistat e dhënë vite më parë për “Panorama Plus”, në lidhje me jetën private ai u shpreh:
“Ritmi i jetës që kam, e bën shumë të vështirë për dikë, që jo vetëm të më mirëkuptojë, por edhe të jetë turbina e dytë e ndezur në maksimumin e energjisë për të qenë vlera e shtuar në rrugëtimin që do bëjmë bashkë. Sa për dashurinë, jam i dashuruar që nga lindja me gjërat e bukura dhe të thjeshta të jetës. Kjo shpesh më mjafton.” E tashmë nuk dihet se nëse kanë qenë ritmet e jetës, apo probleme të tjera që kanë sjellë ndarjen e kësaj dysheje. Por, ajo që shikojmë është fakti që për të dy jeta ka vijuar me dinamikat e njëjta. Si Arbri, ashtu edhe Arnita kanë qenë prezent në media, duke folur për tema të ndryshme, duke mos reflektuar asgjë nga situata e tyre sentimentale. Do të na duhet të presim për të parë nëse është një krisje në këtë raport, apo fakti që kanë fshirë çdo gjurmë të tyre nga rrjetet sociale, ndarja është definitive.