Politika pas plehrave: Kush është biznesmeni në hije i monopolit të inceneratorëve

I afërt me ish-ministrin e Financave, Arben Ahmetaj dhe me lidhje në të dyja krahët e politikës, Mirel Mërtiri qëndron në hijen e koncesioneve të mbetjeve në Shqipëri përmes një rrjeti kompanish satelite. Ai tentoi të replikonte të njëjtin model në Afrikë, por atje zyrtarë të lartë përfundojnë në pranga.

Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri/ BIRN. Në foto: Mirel Mërtiri dhe ministri Arben Ahmetaj.

Në një pasdite vere me shi më 16 korrik 2017, ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj dhe tre burra të tjerë po ktheheshin nga një udhëtim treditor në një makinë “Range Rover”, kur për një çast gjithçka u kthye përmbys.

Ndërsa po udhëtonin në autostradën Tabanoc-Kumanovë, rruga që lidh Serbinë me Maqedoninë e Veriut, ata u përfshinë në një aksident të dyfishtë.

Në një kryqëzim pranë qytetit të Kumanovës, fuoristrada shtoi gazin, doli nga korsia e djathtë e rrugës dhe tentoi të parakalonte një autobus, por u përplas pas tij. Ajo goditi edhe një automjet të dytë përpara se të ndalonte me gomat në ajër rrëzë trafikndarëses në anën e kundërt të rrugës.

Kur seria e përplasjeve mbaroi, 12 persona u nxorrën të plagosur nga makinat, mes të cilëve Ahmetaj dhe dy nga miqtë e tij. Një hetim u nis më pas nga Prokuroria e Kumanovës.

Aksidenti i tre viteve më parë do të ishte një kronikë e arkivuar, nëse emrat në regjistrat e drejtësisë fqinje nuk do të zbulonin një lidhje të pavolitshme dhe të fshehur me kujdes prej vitesh.

Sipas akt-gjykimit të Gjykatës Themelore të Kumanovës, të cilën BIRN e disponon, ministri Ahmetaj po udhëtonte në shoqërinë e Mirel Mërtirit -një personazh kontrovers që qëndron në hijen e koncesioneve të inceneratorëve në Shqipëri dhe me tentakula të shtrira së fundmi deri në Afrikë.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes dokumenteve zyrtare, hetimeve të arkivuara dhe burimeve njerëzore tregojnë se Mërtiri, 42 vjeç, ka siguruar prej  gati dy dekadash një duzinë kontratash për punë publike dhe koncesionesh me vlerë qindra milionë euro, pa u ekspozuar asnjëherë personalisht.

‘Perandoria’ e biznesit të tij u ndërtua nga sfondi i një rrjeti të gjerë kompanish satelite në Shqipëri dhe në zona “offshore”, ndërsa në vitrinë u shfaqën bashkëpunëtorët e tij më besnikë.

Koncesionet e mbetjeve urbane janë simboli më i debatuar i politikave të partneritetit publik-privat të qeverisë së kryeministrit Edi Rama dhe sipas një vlerësimi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, parashikohet t’u kushtojnë mbi 350 milionë euro taksapaguesve shqiptarë për tre dekadat e ardhshme.

Mërtiri është i lidhur ngushtë me firmëtarët zyrtarë të dy prej kontratave – Stela Gugallja –partnerja e tij dhe Klodian Zoto –jurist dhe bashkëpunëtor i hershëm.

Ndërsa qeveria shqiptare e përqendroi biznesin e trajtimit të mbetjeve rreth projekteve të tre inceneratorëve në Elbasan, Fier dhe Tiranë, akuza në rritje për korrupsion u drejtuan nga Partia Demokratike në opozitë.

Në fund të gushtit, edhe Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar regjistroi një procedim penal me akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera”.

Afërsia e Mërtirit me ish-ministrin e Financave Ahmetaj – sot ministër shteti për Rindërtimin –ngre pikëpyetje për konflikt të mundshëm interesi në përzgjedhjen e fituesve të tre koncesioneve të mbetjeve urbane. Por ajo nuk është lidhja e vetme në radhët e politikës.

Zyrtarë dhe ish-zyrtarë nga të dyja krahët apo familjarë të tyre bashkëpunuan me kompanitë e lidhura me Mërtirin –ndërsa këto biznese po arkëtonin gjithnjë e më shumë para nga buxheti i shtetit.

Në dy vitet e fundit, ambiciet dhe lidhjet politike i kapërcyen kufijtë e Shqipërisë dhe mbërritën deri në Afrikë, ku Mërtiri u ekspozua ndërsa pozonte në takime të dedikuara përkrah presidentit të Zimbabves, Emmerson Mnangagwa dhe ministrit të akuzuar të Shëndetësisë, Obadiah Moyo.

I kontaktuar nëpërmjet telefonit, Ahmetaj refuzoi të komentonte marrëdhënien e tij me Mërtirin dhe nuk iu përgjigj pyetjeve të detajuara të BIRN.  Edhe Mërtiri nuk pranoi t’u përgjigjej një liste të gjatë pyetjesh mbi aktivitetet e tij të biznesit, lidhjet me koncesionet e mbetjeve e deri tek udhëtimi i tij në Afrikë.

Kryeministri Rama nuk iu përgjigj gjithashtu një kërkese për koment deri në publikimin e këtij shkrimi. Ndërkohë, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka – firmëtar i 3 kontratave koncesionare i  mbrojti projektet për impaktin e tyre pozitiv në mjedis.

“Sot Shqipëria është shumë më e pastër dhe trajtimi i mbetjeve shumë më i mirë edhe falë këtyre projekteve që përbalten vazhdimisht,” tha Koka.

Pikënisja nga “Albtelekom”

Koncesionet e trajtimit të mbetjeve urbane në shifra. Ilustrim nga Jurgena Tahiri/ BIRN

Në përpjekje për të rindërtuar të shkuarën e mjegullt të Mirel Mërtirit, BIRN analizoi me mijëra faqe dokumente nga rreth 40 kompani biznesi të lidhura me të ose me bashkëpunëtorë të tij dhe të regjistruara jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Maltë, Seychelles, Holandë, Zvicër apo Bullgari.

BIRN siguroi gjithashtu dokumente gjyqësore, raporte të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe hetime të Prokurorisë, të cilat hedhin dritë mbi spekulime të mundshme, manovra biznesi dhe kontrata problematike prej miliona eurosh, kohë përpara daljes në skenë të biznesit të madh të mbetjeve urbane.

Njohja me ministrin Ahmetaj nuk kufizohet vetëm në aksidentin fatkeq të Kumanovës, por duket se shkon dy dekada pas në kohë, kur të dy kishin biznese të ngjashme të telefonisë rurale dhe operonin përmes marrëveshjeve të debatueshme të intekonjeksionit me kompaninë asokohe shtetërore “Albtelekom”.

Marrëveshjet e Albtelekomit me operatorët privatë shkaktuan stuhi politike në fundin e mandatit të qeverisë socialiste të Fatos Nanos në vitin 2004, kur ngritja e një Komisioni Hetimor Parlamentar ekspozoi abuzime të dyshuara prej miliona eurosh dhe nxiti disa hetime të Prokurorisë.

Në shenjestër u vendos edhe Arben Ahmetaj – asokohe një zv.ministër i ri i qeverisë “Nano” dhe ish-aksioner i kompanisë së telefonisë rurale “Hermes”. Hetimet e mëvonshme e shfajësuan Ahmetajn nga akuzat.

Për herë të parë në biznes, Mërtiri shfaqet në moshën 24-vjeçare si aksioner i kompanisë “Eden” sh.a me emrin e tij të lindjes, Klodian Mërtiri.

“Eden” Sh.a u themelua në shtator 2002 me aksionerë Shkëlqim Rakipaj me 40%, Mërtiri me 35% dhe një shtetas belg me 25% të aksioneve. Kompania u përfshi vrullshëm në biznesin e telefonisë me kartë të parapaguar në marrëveshje me “Albtelekom”, por biznesi qe jetëshkurtër.

Në mesin e vitit 2003, Albtelekom e akuzoi “Eden” se i kishte shkaktuar një dëm prej 260 milionë lekësh përmes një skeme asokohe popullore të devijimit të trafikut kombëtar dhe ndërkombëtar të telefonatave.

E përfaqësuar nga Mërtiri, “Eden” e kundërshtoi si të paligjshme ndërprerjen e kontratës nga Albtelekom dhe fitoi një sigurim padie në shkallë të parë dhe në Apel. Por një vendim i vitit 2004 i Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë i dha të drejtë Albtelekomit.

Shkëlqim Rakipaj, ish-aksioner i Eden sh.a kujton se bashkëpunimi me Mërtirin nuk zgjati as një vit, ndërsa fajësoi kompaninë “Albtelekom” për konfliktet gjyqësore.

 “Albtelekomi na faturoi dy herë; edhe si abonentë edhe si operatorë, por u pagua kokërr më kokërr” tha Rakipaj në një bisedë telefonike me BIRN.

I pyetur nëse “Eden” kishte pasur marrëdhënie biznesi edhe me kompaninë “Hermes”, Rakipaj u përgjigj se të gjithë operatorët kishin lidhje me njëri-tjetrin.

“Një klient i imi merrte në telefon një klient të një operatori tjetër. Ka qenë e pamundur të mos bëje biznes me njëri-tjetrin,” tha ai, ndërsa shtoi se kjo zgjidhej me kontrata mes palëve.

Gjurmët e kompanisë “Eden” sh.a shuhen në vitin 2005, ndërsa një kompani e re e quajtur It-Tel 2005 themelohet në të njëjtën kohë. Ndër të pakëtat gjurmë të lëna prej tij online, Mërtiri e quan veten pronar të It-Tel, por kompania u regjistrua në emrin e partneres së tij, Stela Gugallja.

Nga zyrat e It-Tel, përballë disco “Calvin” në rrugën e Elbasanit në Tiranë, lindën kompani të reja dhe bashkëpunime të rëndësishme për çiftin Mërtiri-Gugallja. Gjashtë kompani përdorën më pas të njëjtën adresë, përfshi KL Group LTD –një kompani e regjistruar më vonë në Maltë dhe e ekspozuar gjatë rrjedhjes masive të të dhënave mbi industrinë offshore të Panama Papers.

Në shtator 2008, kompanisë It-Tel iu  bashkua si aksioner Arenc Myrtezani – shofer dhe pjestar i rrethit familjar të ministrit të Financave, Ridvan Bode në qeverinë e djathtë të Sali Berishës.

Në qershor 2009, aksioner u bë edhe Flamur Rogu, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe zv.drejtor i mëvonshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë. Në vitin 2004, Rogu kishte qenë nënkryetar i Komisionit Hetimor Parlamentar për Albtelekomin.

Nga zyrat e IT-Tel, Mërtiri themeloi në vitin 2008 kompaninë Fiber Network Albania me objekt ndërtimin e rrjeteve të telekomunikacionit dhe u bë shpejt një ndër katër kompanitë e autorizuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve për shtrimin e fibrave optike drejt zonave kufitare.

Por kontrata ishte sërish jetëshkurtër. Në dhjetor 2009, ish-ministri i Transporteve, i ndjeri Sokol Olldashi i anuloi të katër kontratat me argumentin se nënshkrimi i tyre nuk ishte në tagrin e Drejtorisë së Rrugëve. Më vonë, biznesi i fibrave optike u përqendrua në duart e një kompanie të vetme, të lakuar për lidhje të afërta me qeverinë “Berisha”.

Me anulimin e kontratës, Mërtiri duket se e humb interesin për kompanitë e veta të telekomunikacioneve dhe eksploron mundësi të reja biznesi. Ai i gjen shpejt dyert hapur tek ndërmarrjet e zhytura në borxhe të ujësjellësve lokalë.

Një biznes i ri lindi në vitin 2010; sistemi elektronik i matësve wireless të ujit.

Një lidhje simbiotike Mërtiri-Zoto

Logo e kompanisë koncesionare Integrated Energy BV | Foto : Besar Likmeta

Në fillim të vitit 2010, drejtuesit e Ujësjellësit të Fierit zbuluan papritur se faturimet e ujit në katër fshatra ishin më të ulëta sesa konsumi mesatar për familje dhe vendosën të bënin një investim të madh.

Në qershor 2010, mbi tryezën e ish-drejtorit Agim Plepi mbërriti në një ofertë prej 5.5 milionë eurosh për instalimin e një sistemi elektronik të matësve të ujit nga një bashkim kompanish greko-amerikane.

Pas perdes qëndronte kompania Fiber Network Albania e Mërtirit, e cila kishte siguruar një kontratë ekskluziviteti me prodhuesin kinez të sistemit elektronik të matësve të ujit.

Matësit wireless iu ofruan Ujësjellësit të Fierit për 120 euro copa dhe zyrtarisht, investimi parashikohej të shlyhej me këste mujore për gjashtë vite radhazi. Megjithatë, ofertuesit e kushtëzuan Ujësjellësin që të garantonte që në fillim investimin e tyre.

Marrëveshja u firmos më 30 korrik 2010 në vlerën e 5.3 milionë eurove me kompanitë Teotec S.a dhe Seci Inc –të përfaqësuara nga shtetasi grek, Konstantinos Aloupis. Një amendim i dytë në vjeshtë i kaloi të drejtat e kontratës tek kompania bijë e Teotec në Tiranë –Teo Alb, ndërsa investimi u garantua nga Ujësjellësi i Fierit me një kredi bankare prej 2.4 milionë eurosh.

BIRN siguroi të dhëna që tregojnë se Mërtiri kontrolloi paralelisht si përfaqësues ligjor edhe kompaninë Teo Alb, edhe kompaninë Fiber Network Albania, e cila e zbatoi projektin në terren.

Për llogari të dy kompanive nisi të punonte në nëntor 2010 edhe Klodian Zoto –një jurist që kishte punuar gjithashtu më parë për Albtelekomin.

Projekti i Ujësjellësit të Fierit u bë zanafilla e një lidhjeje të gjatë simbiotike mes Mërtirit dhe Zotos dhe e lindjes së kompanisë “Integrated Technology Services”, ITS –e lidhur me të tre koncesionet e inceneratorëve.

ITS u regjistrua në nëntor 2010 në emër të Zotos, bashkë me një kompani të dytë të quajtur FMO.

Ndërrimi i viteve solli ndryshime në krye të Ujësjellësit të Fierit dhe telashe për projektin e saponisur të Mërtirit. Në janar 2011, drejtori i ri, Ervin Muskaj bllokoi në fillim të janarit 2011 pagesën e parë prej 539 mijë eurosh dhe kërkoi ndërprerjen e punimeve.

Në një kallëzimi të dorëzuar në Prokurorinë e Fierit, Muskaj pretendoi se ishte shkelur ligji i prokurimit publik, mungonte një preventiv ekonomik dhe se matësit objekt kontrate ishin zëvendësuar vetëm tre vjet më parë, përmes një kredie të Bankës Botërore. Ai u ankua gjithashtu se pagesat e parashikuara në kontratë ishin të papërballueshme për Ujësjellësin e Fierit.

Muskaj bëri përpjekje për zgjidhjen e kontratës dhe kur u paralajmërua me arbitrazh, kërkoi ndihmën e Kontrollit të Lartë të Shtetit si dhe Avokaturës së Shtetit. Nëntë vjet më vonë, ai kujton se e gjeti veten mes dy zjarresh –pasi të gjithë po merreshin me të dhe jo me kontratën.

“Unë isha në pozitën që po të mos e bëja [bllokoja kontratën] do më thonin që pse s’e bëre dhe po ta bëja, pse e bëre,” tha Muskaj, inxhinier nafte në profesion.

“Institucionet nuk m’u përgjigjën dhe unë isha shumë i vogël për ta ndaluar,” shtoi ai në një bisedë telefonike me BIRN.

Në godinën e Ujësjellësit të Fierit, një zyrë e dedikuar për Mërtirin qëndroi e mbyllur deri në shtator 2011, kur Muskaj u shkarkua nga detyra. Kontrata u zhbllokua më pas, por hetimi i Prokurorisë së Fierit qëndroi i hapur deri në dhjetor 2012.

Stuhia e ngritur mbi projektin e Fierit i frenoi projektet e Mërtirit, por nuk i ndali ato.

Gjatë vitit 2011, ai siguroi njohjen e matësve të tij të ujit nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë  dhe regjistrimin e markës në Drejtorinë e Përgjithshme të Patentave dhe Markave.

Në shtator 2012, në krye të projekteve të ujësjellësve u avancua kompania deri në atë kohë e fjetur, “Integrated Technology Services”, e cila trashëgoi patentën e ekskluzivitetit të matësve të ujit nga Fiber Network Albania.

Në dhjetor 2012, Integrated Technology Services lidhi kontratën e parë me vlerë 1.5 milionë euro me Ujësjellësin e Pogradecit dhe tre muaj më vonë, e zgjeroi aktivitetin e vet edhe me 3.3 milionë euro të tjera në Ujësjellësin e Korçës.

Në verën e vitit 2013, biznesit të matësve të ujit i bashkohet edhe Arenc Myrtezani përmes blerjes së kompanisë deri në atë kohë pa aktivitet, FMO.

Myrtezani i tha BIRN se ishte njohur me Mërtirin në vitet 2002-2003 nëpërmjet vjehrrit të këtij të fundit, i cili punonte gjithashtu si shofer në selinë e Partisë Demokratike. Ai kishte ruajtur lidhje miqësore me Mërtirin dhe më vonë ishte njohur edhe me Zoton.

Myrtezani shtoi se ishte punësuar prej tyre pas rënies së PD-së nga pushteti në vitin 2013 dhe përjashtoi çdo lidhje të ish-ministrit të Financave, Ridvan Bode.

“Unë jam angazhuar në projektet me ujësjellsat kur mbeta pa punë dhe zgjedhja tjetër ishte të largoheshim nga Shqipëria. U jam mirënjohës që më dhanë punë,” tha Myrtezani, aktualisht punonjës në kantierin e trajtimit të mbetjeve në Fier.

“Unë nuk kam guxuar kurrë që të diskutoj ndonjëherë me Ridvanin gjëra të tilla. Nuk ka pasur kurrë asnjë shans,” shtoi ai.

Në vitet 2012-2014, projektet e matësve elektronikë të ujit u shtrinë në gjashtë qytete dhe u aplikuan nga kompanitë Integrated Technology Services, FMO dhe Miklo Construksion. Ato u kushtuan ndërmarrjeve të ujësjellësve më shumë se 18 milionë euro në total.

Kontratat u kritikuan nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili  vlerësoi se financimet përmes kredive të shtrenjta i zhytën ndërmarrjet lokale të ujësjellësve në një spirale borxhesh dhe falimenti.

Në janar 2014, KLSH kallëzoi në prokurori edhe ish-drejtorin e Ujësjellësit të Korçës, Petrit Tare për shpërdorim detyre në lidhjen e marrëveshjes me Integrated Technology Services.

Në kallëzim, KLSH evidenton si shkelje lidhjen e kontratës jashtë procedurave të prokurimit publik dhe moszbatimin e ligjit “Për huamarrjen e qeverisjes vendore”.

“Për këtë investim në vlerën 3 376 000 (pa tvsh) kjo shoqëri [Ujësjellësi] ka vendosur qëllimisht t’i shmangë këto procedura, duke rënduar së tepërmi gjendjen e shoqërisë në favor të interesave të subjektit privat,” thuhet në kallëzim.

Hetimet e nisura nga Prokuroria e Fierit dhe ajo e Korçës u pushuan të dyja, duke shfajësuar nga përgjegjësitë zyrtarët lokalë.

Në vitin 2014, negociatat zbarkuan në bashkinë e Elbasanit –pronare 100% e Ujësjellësit të qytetit. Përveç lidhjes së një kontrate prej 3.8 milionë eurosh në emër të një kompanie të lidhur, u hodhën gjithashtu themelet për ndërtimin e një inceneratori.

Fijet pas Sharrës

Kryeministri Edi Rama, ish-ministri i Mjedisit Lefter Koka dhe zyrtarë të tjerë të PS në inaugurimin e impiantit të Elbasanit. Në foto (djathtas) aksionerja e Albtek Energy, Stela Gugallja. Foto: Facebook.

Zona e trajtimit të mbetjeve në Elbasan u inaugurua me një ceremoni masive në prill 2017 dhe një podium u vendos poshtë barkut të hapur të inceneratorit. Mbi të u ngjit kryeministri Edi Rama, i cili e mburri impiantin si një transformim që do t’i jepte fund “masakrës ekologjike” të trajtimit të mbetjeve në Shqipëri.

Rama gjithashtu nuk i kurseu vlerësimet për dy anëtarët e kabinetit qeveritar, ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe atë të Financave, Arben Ahmetaj.

“I jam mirënjohës ministrit të Mjedisit dhe ministrit të Financave, që ndonëse gjirokastrit, e zgjidhi deri në fund qesen…,” tha Rama nga podiumi.

Në qëndrimet e tij publike, ministri Ahmetaj ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë rol dhe nuk ka firmosur asnjërën prej kontratave koncesionare të trajtimit të mbetjeve urbane.

Por ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka i tha BIRN se këto kontrata ishin produkt i disa institucioneve në qeveri dhe në pushtet lokal.

“Me këto projekte kanë punuar 3-4 institucione, është përfshirë bashkia Elbasan, Ministria e Mjedisit dhe disa ministri të tjera. Pastaj për përllogaritjen e kostove dhe pagesave, negociatat kanë kaluar mes kompanisë në Ministrisë së Financave,” tha Koka, duke iu referuar koncesionit të parë të Elbasanit.

Inaugurimi me “tapet të kuq” i inceneratorit të Elbasanit ndodhi në kohën kur qeveria ishte në shenjestër të akuzave për koncesionin e dytë të Fierit dhe po bëhej gati për një kontratë shumëfish më të madhe.

Më 31 gusht 2017, ministri i Mjedisit, Lefter Koka firmosi edhe koncesionin e tretë të Tiranës në favor të “Integrated Energy” B.V – një kompani e regjistruar në Amsterdam të Holandës. Kompanitë e regjistruara në regjime fiskale si Holanda, me drejtorë të emëruar dhe në formë trusti, shërbejnë për të fshehur identitetin e përfituesve fundorë të një biznesi.

Fituesja e koncesionit të Tiranës, “Integrated Energy” B.V u prezantua në Shqipëri si partnere e “Integrated Technology Services”, “Energy Recuperator” dhe prodhuesit ndërkombëtar të impianteve, “Paul Wurth” –tre kompanitë që kishin ndërtuar më parë inceneratorin e Elbasanit.

Edhe pse pati një tranzicion të shpeshtë drejtorësh në bordin e kompanisë në Holandë, kjo nuk i trazoi ujërat në operacionet e kompanisë bijë në Tiranë, “Integrated Energy” B.V SPV.

BIRN siguroi të dhëna që tregojnë se koncesionari i Tiranës menaxhohet në prapavijë nga i njëjti grup juristësh dhe ekonomistësh të rinj, të cilët kanë punuar më parë për zonat e trajtimit të mbetjeve në Elbasan dhe Fier.

Ata i bashkon gjithashtu një historik punësimi me kompaninë “Integrated Technology Services”. Mirel Mërtiri është edhe zyrtarisht i lidhur me “Integrated Technology Services”, pasi emri i tij figuron në listë-pagesat e kompanisë të paktën deri në mars 2019.

Ish-ministri Koka u pyet për aksionerët e kompanisë “Integrated Energy” B.V në Holandë dhe tha se ata janë investitorë të huaj. Por ai nuk e mohoi një rol të Mërtirit në zonën e trajtimit të mbetjeve në Sharrë.

“Të gjitha prokurimet po t’i shohësh, kur vijnë kompani të huaja, kanë edhe një partner lokal,” tha Koka në një bisedë telefonike me BIRN.

Lidhje politike 

Biznesi i madh i mbetjeve urbane i shtoi orekset dhe lidhjet politike të Mirel Mërtirit –ndërsa rrjeti i kompanive të lidhura me të u zgjerua drejt zonave “offshore”. Prej vitit 2014, njerëz të tjerë të afërt me politikën u përfshinë në marrëdhënie biznesi me Mërtirin ose me kompanitë e lidhura me të.

Në qershor 2015, Mërtiri shfaqet në Maltë si drejtor i kompanisë KL Group Ltd –me aksionere një tjetër kompani të quajtur KLME Holding me seli në Seychelles.

Drejtor i KL Group LTD kishte qenë më parë edhe Andi Beli –një emër i njohur i mesit të viteve 2000 në Shqipëri si drejtues i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare. Beli rezulton prej vitesh si rezident në Maltë.

Në maj 2016, emri i Mërtirit dhe i KL Group Ltd u ekspozua nga rrjedhja e madhe e të dhënave për industrinë offshore nga Panama Papers. Kompania e ndryshoi më pas emrin në Sien Group Ltd dhe ka gjeneruar të ardhura prej rreth 400 mijë eurosh gjatë viteve 2016-2017.

Në vitin 2017, kompania “Onyx” e sekretarit aktual organizativ të Partisë Demokratike, Sahit Dollapi u kontraktua për punime elektrike në zonën e trajtimit të mbetjeve në Fier. Emri i kompanisë së Dollapit shfaqet edhe në lejen e ndërtimit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Ndërtimi i zonës së trajtimit të mbetjeve u shoqërua me protesta dhe revoltë nga banorët e fshatit Vërri –protesta të cilat u mbështetën edhe nga Partia Demokratike.

I pyetur nga BIRN, Dollapi sqaroi se kompania e tij “Onyx” ka kryer punime elektrike me vlerë rreth 5.6 milionë lekë për impiantin e Fierit dhe se kjo nuk ka ndikuar në angazhimet e tij politike.

“Punimet janë kryer në një periudhë kur unë nuk mbaja asnjë funksion në PD, në vitin 2017 dhe shkurt 2018. Jam zgjedhur sekretar organizativ në janar 2019,” tha Dollapi.

Gjatë vitit 2019, Mërtiri akuzohet se e zgjeroi ortakërinë me drejtuesit e televizionit më të madh kombëtar, Top-Channel.  Sipas një dokumenti të publikuar më parë nga portali City News Albania, Mërtiri, Zoto dhe Eva Blushi –bashkëshorte e drejtorit të Përgjithshëm të Top Channel, Ben Blushi themeluan në Sofje të Bullgarisë kompaninë EM Capital Group AD.

Në nëntor 2019, EM Capital Group AD bleu 51% të aksioneve të kompanisë “Valtelina” sh.p.k në pronësi të pronares së Top Channel, Vjollca Hoxha për rreth 1.2 milionë euro.

I pyetur nga BIRN rreth akuzave të ngritura në media, Ben Blushi tha përmes përfaqësuesit të tij ligjor se ndaj tyre ka ngritur padi për shpifje.

“Pyetjet që ju i drejtoni nuk kanë asnjë interes për publikun, pasi flitet për një marrëdhënie juridiko -civile të rënë dakord midis palëve,” tha Blushi përmes avokatit Lulzim Alushaj.

“Zoti Blushi nuk ka firmosur asnjë kontratë koncesionare, asnjë marrëveshje shtetërore, asnjë dokument zyrtar, e për pasojë përfshirja e tij në këtë shkrim tuajin është tendencioz për të spostuar vëmendjen e publikut ndaj së vërtetës,” shtoi ai.

Ndërkohë, Andi Beli ishte i paarritshëm për koment.

Aventura afrikane

Ilustrim grafik nga Jurgena Tahiri/ BIRN. Burimi: Kompania italiane Icaria Srl.

Në fillim të vitit 2018, kompania projektuese italiane “Icaria” S.r.l nisi të merrte kërkesa në rritje nga Shqipëria për një mall të rrallë dhe të kushtueshëm si impiantet e trajtimit të mbetjeve urbane.

Kërkesat vinin nga i njëjti burim, por Shqipëria nuk ishte destinacioni i vetëm.

Deri në prill 2019, “Icaria” projektoi shtatë impiante; njërin për llogari të koncesionarit të Fierit dhe gjashtë të tjerë për koncesionarin e Tiranës “Integrated Energy” B.V SPV. Katër prej impianteve kishin destinacione të largëta si Gana në perëndim dhe Zimbabve në jug të Afrikës.

Nga të shtatë projektet, përjashtim bën porosia për projektimin e një impianti të ujërave të ndotur për zonën e trajtimit të mbetjeve në Sharrë. Impianti u porosit dhe u pagua nga kompania 3DDD Swiss Trading S.a, me seli në Lugano të Zvicrës.

Aventura afrikane e Mirel Mërtirit nisi si ekspansion i modelit shqiptar të partneritetit publik-privat në fushën e mbetjeve urbane dhe u financua nëpërmjet kompanive koncesionare – të cilat paguhen nga taksapaguesit shqiptarë.

Ajo u lançua zyrtarisht edhe në faqen e gjuhës angleze të kompanisë “Integrated Energy” B.V – ku theksohej se projektet do të realizoheshin nëpërmjet bashkëpunimeve me qeveritë e Ganës dhe Zimbabves.

Kompania 3DDD Swiss Trading S.a u themelua në janar 2019 në Lugano dhe kishte si zv.president Ilir Dedjen –një emigrant 51-vjeçar me origjinë nga fshati Seferaj i Kavajës.

Dedja kishte jetuar për dy dekada si tregtar në Itali dhe prej vitit 2017, zotëronte kompaninë e konsulencës “Drax Consult Sagl” në Zvicër.

Rrugët e Dedjes dhe Mërtirit kryqëzohen në shtator 2018, kur Dedja bleu kompaninë asokohe me humbje C.G.C, që administrohej nga Mërtiri. Në vitin 2019, Dedja ktheu mbrapsht 70% të aksioneve te ITS për një vlerë shitjeje prej 600 mijë eurosh.

Republika afrikane e Ganës duket të ketë qenë zgjedhja e parë, pasi tre nga katër projektet e impianteve ishin të destinuara për kryeqytetin Akra dhe qytetet Kumasi dhe Shama. Por prej tyre nuk gjendet asnjë gjurmë.

Në shkurt 2019, në hartë u fut edhe Zimbabve në jug të Afrikës, pasi koncesionari “Integrated Energy” B.V SPV porositi tek Icaria S.r.l një impiant me kosto ndërtimi prej 110 milionë euro për një venddepozitim mbetjesh në periferi të kryeqytetit Harare.

Sipas raportimeve mediatike në Zimbabve, IEBV arriti në maj 2019 të nënshkruante një memorandum mirëkuptimi me qytetin e Harares për një koncesion 30-vjeçar, por kërkesat e saj u ngritën vetullat përpjetë zyrtarëve lokalë.

Kancelari i Këshillit, Hosiah Chisango citohet të ketë thënë për “All Africa” se memorandumi u prish kur përfaqësuesit e “Integrated Energy” B.V kërkuan pagesa paraprake prej miliona dollarësh.

Në gusht 2019, ofertë për biznes në Zimbabve bëri edhe kompania Drax Consult SAGL në pronësinë e Ilir Dedjes, e cila përfaqësohej nga Delish Nguwaya, një biznesmen lokal i lakuar për lidhje të afërta me rrethin e ngushtë familjar të presidentit Emmerson Mnangagwa.

Në qershor të këtij viti, një skandal shpërtheu në Zimbabve pas ekspozimit në media se Drax Consult Sagl dhe Drax International kishin nënshkruar kontrata në vlerën 60 milionë USD, në shkelje të dyshuar të rregullave të prokurimit për furnizimin e vendit me pajisje në luftën kundër COVID-19.

Afera e quajtur “Covidgate” vendosi nën akuzë për korrupsion ministrin e Shëndetësisë, Obadiah Moyo dhe disa zyrtarë të kompanisë shtetërore NatPharm, ndërsa biznesmeni Nguwaya u akuzua për mashtrim.

Mediat në Zimbabve ngritën pikëpyetje edhe mbi rolin e presidentit Mnangagwa, pas publikimit të një fotografie nga takimi i tij me Mirel Mërtirin dhe ish-deputetin demokrat, Gert Bogdani.

Në një foto të dytë, Mërtiri, Bogdani dhe Elton Bualli – drejtor kantieri në inceneratorin e Elbasanit dhe të Sharrës, pozojnë edhe përkrah ministrit të akuzuar të Shëndetësisë,  Obadiah Moyo. Në të dyja fotot, i pranishëm është dhe biznesmeni i akuzuar për mashtrim, Delish Nguwaya – përfaqësues zyrtar i Drax Consult Sagl dhe Drax International në Zimbabve.

Mediat në Zimbabve i prezantuan fillimisht shqiptarët si përfaqësues të kompanisë Drax, ndërsa Mërtiri u identifikua gabimisht si Ilir Dedja. Ky gabim i mediave në Harare u importua ‘copy paste’ edhe nga disa media në Tiranë.

I pyetur nga BIRN për rolin e tij në këto takime, Gert Bogdani tha se nuk kishte lidhje me bizneset e Mirel Mërtirit dhe të personave të tjerë në foto, ndërsa e konsideroi vizitën e tij në Zimbabve si private.

“Vizita dhe fotografia ime në Zimbabve, me të cilën është abuzuar në media kohët e fundit është kryer në fillim të vitit 2019, në kuadër privat dhe si person pa asnjë post publik,” tha Bogdani në një përgjigje përmes e-mailit.

Ai nuk iu përgjigj pyetjes nëse shfaqja e tij përkrah Mërtirit në Harare binte ndesh me angazhimin e tij politik. Por Bogdani u distancua nga koncesionet e mbetjeve urbane, duke i konsideruar ato projekte të qeverisë “Rama”.

Partia Demokratike i tha BIRN se nuk kishte asnjë dijeni për takimet e Z. Bogdani në Afrikë, ndërsa shtoi se Bogdani nuk ka përfaqësuar PD-në në asnjë prej tyre dhe se nuk mban asnjë funksion drejtues prej vitit të shkuar.

“Asnjë foto dhe asnjë takim, i kujtdo qoftë, nuk e zbeh vendosmërinë e Partisë Demokratike në luftën kundër korrupsionit,” tha zyra e shtypit e PD.

Në një reagim të rrallë për mediat, Mërtiri mohoi çdo lidhje me kompanitë Drax dhe skandalin e ilaçeve në Zimbabve. Edhe Ilir Dedja mohoi çdo lidhje të Mërtirit me kompanitë e tij, Drax Consult Sagl dhe Drax International apo me angazhimet e biznesit në Zimbabve.

Në një bisedë telefonike me BIRN, Ilir Dedja pretendoi se kishte bërë biznes të ligjshëm në Zimbabve përmes një studioje ligjore, pa udhëtuar asnjëherë atje dhe pa takuar asnjë politikan të nivelit të lartë. Ai pretendoi gjithashtu se kontratat për llogari të dy kompanive nuk ishin 60 milionë, por 33.7 milionë USD.

“Unë kam dorëzuar 2.7 milionë USD pajisje në Zimbabve dhe jam paguar vetëm për 2 milionë USD,” tha ai, duke shtuar se përfaqësuesit e tij ligjorë do ta ndiqnin çështjen deri në fund.

Dedja pranoi se e njihte Mërtirin prej kohës së blerjes së kompanisë C.G.C., me qëllimin për të ndërtuar një fabrikë qelqi në Shqipëri. Ai konfirmoi gjithashtu se kompania e tij 3DDD Swiss Trading S.A ka paguar projektin e impiantit të ujërave të ndotur në Sharrë, por e konsideroi këtë një marrëveshje normale biznesi.

“Unë kam shumë partnerë në Europë dhe kompaninë Icaria S.r.l e njoh shumë mirë, sepse në Itali kam punuar për 20 vite,” tha Dedja. “Madje për projektin nuk jam paguar ende nga zotëria [Mërtiri],” përfundoi ai.

Autor: Aleksandra Bogdani, Besar Likmeta