Mbrëmjen e djeshme në programin “Dua të të bëj të lumtur” u transmetua rrëfimi tronditës i një vajze 27-vjeçare. Adriana e cila është rritur në shtëpinë e jetimores në Shkodër, u shpreh se në moshën 12-vjeçare, roja i jetimores kishte abuzuar seksualisht me të për një kohë të gjatë.
Madje ajo shtoi se roja e kërcënonte me jetë nëse do t’i tregonte dikujt për veprimet e tij. Gjithashtu 27-vjeçarja zbuloi se të gjitha vajzat e kësaj jetimore abuzoheshin seksualisht.
Sipas rrëfimit të Adrianës, në jetimore nuk ishte vetëm roja që ushtronte dhunë seksuale e fizike, por edhe mësuesit e kujdestarët.
Lidhur me këtë histori që tronditi opinion publik, ka reaguar një punonjëse sociale që ka lidhje me Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër të denoncuar nga Adriana.
Ajo është Antonjeta Pero dhe akuzon Adrianën se po gënjen publikisht në lidhje me këtë ngjarje. Por pavarësisht kësaj, ajo shprehet se 27-vjeçarja duhet ndihmuar.
Përmes postimeve në rrjetet sociale, Pero shprehet se rasti i kësaj vajze po propagandohet shumë. Madje ajo bën thirrje që shteti të reagojë që të mos merren nëpërkëmbë punonjësit e Shtëpisë së Fëmijës.
“Kam dy dite që përpiqem, që të bahet kujdes në propagandimin e rastit të vajzës në emisionin e kësaj nate. Shteti duhet të reagojë i pari. më vjen mirë që u vu drejtësia në vend. Boll janë marrë nëpërkambë punonjësit e shtëpisë së fëmijës. Këtë radhë porositësi paska qëllu ma i dobët”, shkruan Pero.
Punonjësja sociale kërkon gjithashtu që vajza të ndihmohet që të ketë një jetë normale. Ajo shprehet se Adriana me këtë denoncim po përpiqet të fitojë asgjë më shumë se një jetë normale.
“Asgjë nuk ashtë e vërtetë nga ato që Adriana tha. Por duhet të ndihmohet të jetoje normalisht. këtë kërkon të arrijë. Forca ta ndihmojmë!”, shkruan ajo, ndërsa në një postim tjetër thotë që as vetë Adriana nuk po i beson ato që po thotë.
“Adriana duhet ndihmuar me çdo kusht. Një specisliste, e kupton që edhe Adriana nuk i beson, ato çka po thote vetë”, thotë psikologia.
Ndërkohë ajo shprehet se Shtëpia e Fëmijës ku ka qëndruar Adriana nuk ka patur kurrë mësues të fesë.