Edhe mbrëmja e natës së tretë të Audicioneve të Fshehura percolli emocione fantastike në skenën e The Voice of Albania. Të gjithë konkurentët janë përpjekur të bëjnë maksimumin. Po kështu edhe trajnerët. Pas nuk mbeten as familjarët, të cilët kanë ardhur për të mbështetur të afërmit e tyre në skenë, duke përjetuar jo pak emocione, sikur edhe vetë ata të ishin në skenën magjike të ‘The Voice’.
Siparin e përzgjedhjes së vokaleve në këtë natë të tretë të Audiciove të Fshehura e ka ngritur Alma. Ajo shtypi butonin e kuq për vajzat nga Gjirokastra e Tirana, Evanthi Imeri dhe Julia Laze. Por nuk u mjaftua me kaq. E përzgjedhura tjetër e kësaj mbrëmje nga Alma ishte edhe vajza nga Gjilani, Frosina Muji.
Evanthi Imeri

Evanthia Imeri
Mosha: 19 vjeç
Vendlindja: Gjirokastër
Vendbanimi: Tiranë
Arsimi: Studion Drejtësi
Ndonëse është 19 vjeç, ajo ka shumë projekte nëpër duar. Ka marrë pjesë në çdo festival fëmijësh e talent-show muzikore, që nga 2004 deri në 2010. Madje ka fituar bursë talenti për studimet e larta. Një shtysë për këtë karrierë të pasur duket se është edhe babai i saj, i cili është instrumentist ndërsa vëllai i Evanthisë është inxhinier audio dhe e ndihmon, pasi ia njeh shumë mirë vokalin. Përveç muzikës, Evanthia ka pasion dhe photoshooting. Ndërkaq është duke punuar dhe si stiliste e po përgatit koleksionin e saj personal të veshjeve. Ajo shprehet se ‘The Voice’ e konsideron si sfidën më të madhe.
Julia Laze

Mosha: 23 vjeç
Vendlindja: Tiranë
Vendbanimi: Tiranë
Arsimi: Administrim Biznes
Julia ka vite që këndon dhe është kthyer në menaxhere të vetvetes. Bashkë me mamanë e saj, gjithashtu këngëtare, angazhohen nëpër koncerte jashtë Shqipërisë, ku e ëma këndon muzikë popullore, ndërsa Julia këngë të muzikës së lehtë. Ka aplikuar shumë vite më parë dhe në ‘The Voice 1’, por mosha e vogël e ka penalizuar. Julia Vjen në ‘The Voice’ me objektiva mjaft të qarta. E para, që të marrë realisht një gjykim profesional dhe së dyti, për të bërë një reklamë akoma më të mirë për veten, në ndihmë të aktivitetit të saj si këngëtare.
Frosina Muji
Mosha: 16 vjeç
Vendlindja: Gjilan
Vendbanimi: Gjilan
Arsimi: Studion Kanto
Bota e spektaklit dhe e talent show-t është një nga ëndrrat më të mëdha të Frosinës. Ajo, ndonëse studion për kanto, ende nuk ka mundur të çajë në rrugën e muzikës së lehtë. Deri më tani, zëri i saj është dëgjuar vetëm në ambientet e shtëpisë. Ajo dëshiron që të dalë përtej mureve të shtëpisë së saj, në mënyrë që edhe publiku të japë një vlerësim të tijin për zërin e saj. Kjo është edhe një nga arsyet kryesore se përse ajo vjen në ‘The Voice’. Ajo dëshiron të jetojë emocionet e një skene të madhe. Jeta e saj është shumë e lidhur me muzikën dhe asgjë tjetër nuk e motivon më shumë sesa muzika. Ajo shpreson shumë, që një nga trajnerët të impresionohet nga zëri i saj dhe të shtypë butonin. Kjo, sipas saj, do të hapte një kapitull të ri në jetën e saj.
Ndërkaq edhe Jonida ka bërë zgjedhjet e saj në këtë mbrëmje. Në ekipin e saj do të jetë edhe Ledmir Pecnikaj nga Tirana, por dhe Eleni Balla, po nga Tirana.
Ledmir Pecnikaj

Mosha: 18 vjeç
Vendlindja: Tiranë
Vendbanimi: Tiranë
Arsimi: Liceu Artistik, Tiranë, (piano)
Sapo ka mbaruar liceun për piano dhe po pret të vazhdojë akademinë gjithashtu për piano. Është pjesë e një familjeje muzikantësh. I ati është pjesë e ansamblit të këngëve dhe valleve popullore, vëllai 20 vjeç i bie violinës dhe vëllai tjetër më i vogël, 10 vjeç, i bie çiftelisë. Shpesh mblidhen të katërt dhe japin koncert para mamit, e cila është e vetmja që nuk merret me muzikë. I qartë për rrugën e tij të mirëpërcaktuar në muzikë, është gati të presë gjykimin e trajnerëve.
Eleni Balla

Mosha: 17 vjeç
Vendlindja: Selanik
Vendbanimi: Tiranë
Arsimi: Shkolla e Mesme e Përgjithshme
Për Elenin është prova e dytë në ‘The Voice’. Vitin e kaluar ajo nuk mundi të kalojë fazën e audicioneve. Këtë periudhë kohe është përpjekur ta shfrytëzojë për të provuar zërin e saj, në mënyrë që të jetë pjesë e ‘The Voice’, e të mos të dështojë si vitin e kaluar. Pasionin për aktrim e ka trashëguar nga i ati. Dyert e ‘Top Channel’ nuk janë të panjohura për të. Ajo ka konkurruar dhe për të qenë velinë, si dhe për prezantuese të emisionit ‘Top Select’. Krahas muzikës i pëlqen edhe aktrimi.
Përmes një “beteje” të ashpër me Almën, Genci arriti të marrë në ekipin e tij vajzën nga Prishtina Dea Graqevski dhe vajzën nga Elbasani, Kejsi Latifi.
Dea Graqevski

Mosha: 19 vjeç
Vendlindja: New York
Vendbanimi: Prishtinë
Arsimi: Shkollë Muzike
Është studente kantoje në vitin e tretë. Ka lindur në Amerikë dhe është kthyer prej andej bashkë me familjen kur ka qenë 15 vjeç. Në Amerikë ka qenë në një shkollë muzike. Ka marrë pjesë në muzikale në shkollë dhe ka aktruar. Është shpesh pjesë e aktiviteteve muzikore në shkollë dhe jashtë saj. Thotë se nuk e ka pasion muzikën klasike dhe kjo është arsyeja që po vjen në “The Voice”, që të mund të këndojë zhanret që ajo dëshiron. I pëlqen të pikturojë dhe t’i bjerë pianos. Këtë vit provon shansin për herë të dytë.
Kejsi Latifi

Mosha: 18 vjeç
Vendlindja: Elbasan
Vendbanimi: Elbasan
Arsimi: Shkolla e Mesme e Përgjithshme
Ka filluar të këndojë që shumë e vogël, e shtyrë nga i ati, i cili këndon live në lokale nate. Ka marrë pjesë në koncerte të ndryshme, në Elbasan dhe është angazhuar në ‘Teatrin Skampa’. Shpesh, bashkë me motrën këndojnë me të atin në karaoken ku ai punon. Vjen në ‘The Voice’ për të kaluar provën e parë profesionale.
Ndërsa Sidriti e pasuroi ekipin e tij dhe me dy zëra të tjerë, përkatësisht me vajzën nga Suhareka, Majlinda Cikaqi dhe djaloshin nga Tirana, Tiri.
Majlinda Cikaqi

Mosha: 18 vjeç
Vendlindja: Prishtinë
Vendbanimi: Prishtinë
Arsimi: Studion në Akademinë Muzikore
Të këndojë në krah të artistëve të mëdhenj botërorë, kjo është ëndrra e Majlindës, e cila vjen në ‘The Voice’ me një ego aspak modeste. Ajo në vijimësi ka marrë pjesë në festivale dhe koncerte të vogla, të organizuara në rang shkollash a qytetesh, por ajo kërkon sfida më të mëdha, sfida të cilat pse jo t’i ndryshojnë edhe jetën. Është pikërisht dëshira e saj për sfida, arsyeja kryesore që e sjell në ‘The Voice’, me pikësynimin të këndojë dhe punojë me artistë profesionistë. Përveç muzikës, ajo merret edhe me vizatime, duke skicuar kryesisht skica në fushën e modës. Bota e modës e tërheq shumë dhe kjo është sipas saj dhe një burim frymëzimi në skicat e veshjeve që ajo hedh.
Tiri

Mosha: 22 vjeç
Vendlindja: Kavajë
Vendbanimi: Tiranë
Arsimi: Akademia e Arteve
Student në Akademinë e Arteve, dega Muzikologji, viti II. Pasioni për muzikën i ka lindur që i vogël. Është marrë seriozisht me të dhe krahas studimeve ka marrë pjesë edhe nëpër festivale të rëndësishme në Shqipëri, ndër ta edhe Top-Fest. Për momentin këndon live, si pjesë e një bande muzikore, nëpër lokale dhe aktivitete ku i ftojnë. Muzikën nuk e ka të trashëguar, pasi asnjë nga familja e tij nuk merret me muzikë.
Kjo mbrëmje ka qenë e pafat për Taulantin, Eraldon, Bleonën, Vedatin, Irisën dhe Selmën.
Por jo të gjitha enigmat janë zgjidhur në këtë mbrëmje të tretë të spektaklit. Ka ende vende në ekipet e trajnerëve, por tani ato vijnë duke u ngushtuar. Kjo bën që konkurentët të përballen në sfida akoma më të vështira, ndërsa për trajnerët ‘lufta’ bëhet gjithnjë e më e ashpër. Por për më shumë emocione ndiqni, ditën e shtunë, në orën 21.10, në natën e katërt, të Audicioneve të Fshehura, ku të tjera sfida dhe të tjerë konkurentë do të përpiqen të vijonë të jenë pjesë e konkurrimit, për zërin më të mirë në “The Voice of Albania 5”.
Marre nga The Voice of Albania








