LION– Një tjetër sulm ka tronditur Francën mbrëmjen e sotme. Këtë herë, sipas CNN, një person, që aktualisht është në arrati, ka qëlluar me një çifte, një prif Ortodoks, me origjinë nga Greqia, në momentin që ky i fundit, po mbyllte kishën.
Prifti është plagosur rëndë dhe ndodhet në spital. Kryeministri francez e ka cilësuar këtë ngjarje si një incident të rëndë, por që ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për një sulm terrorist, duke qenë se Franca, sapo ka lënë pas, tre sulme të këtij lloji.
“Incident i rëndë, por ne nuk kemi ende elementë të saktë,”- tha Jean Castex.
Kjo ngjarje vjen vetëm dy ditë pasi tre njerëz u vranë në mënyrë makabre nga një 21-vjeçar tunizian. Disa orë pas sulmit në Nicë, një person u qëllua për vdekje nga Policia, ndërsa sulmi i tretë ka ndodhur në Konsullatën Franceze në Arabinë Saudite, ku roja i konsullatës u masakrua me thikë.







