Një tjetër format i ri po i shtohet sezonit televiziv të Top Channel. Pas fushatës misterioze me mesazhin “Thua se nuk të dëgjojnë? Mos prit të flasin për ty. Fol vetë”, televizioni ka hapur zyrtarisht aplikimet për programin e ri “Topin e kam unë”.
Tashmë formulari i aplikimit zbulon edhe konceptin që qëndron pas titullit.
“Topin e kam unë” do të jetë një talk show i ndërtuar rreth zërit të brezit të ri, ku të rinjtë do të përballin mes tyre ide dhe qëndrime për çështje që shkojnë nga shoqëria dhe kultura deri te ekonomia dhe politika.
Në qendër nuk duket se do të jenë domosdoshmërisht personazhet e njohur të ekranit. Top Channel po kërkon aktualisht panelistë të moshës 18–29 vjeç, duke e hapur formatin për të rinj që mendojnë se kanë diçka për të thënë dhe janë të gatshëm të argumentojnë qëndrimet e tyre para kamerave.
Formulari kërkon jo vetëm të dhënat bazë të kandidatëve, por edhe konfirmimin nëse mund të udhëtojnë në Tiranë për regjistrime javore, çka tregon se paneli pritet të ketë një rol të vazhdueshëm në program.
Top Channel e ka futur tashmë “Topin e kam unë” edhe në listën zyrtare të programeve të tij, ndërsa për momentin nuk ka bërë publike datën e premierës apo emrin e personit që do ta drejtojë.
Në një sezon ku televizionet shqiptare po prezantojnë një numër të madh formatesh dhe ndryshimesh programacioni, “Topin e kam unë” duket se synon një territor specifik: debatin televiziv të parë nga perspektiva e brezit 18–29 vjeç.








