Fundi i sezonit televiziv po shoqërohet me ndryshime në strukturat drejtuese të televizionit Top Channel. Vetëm pak ditë më parë, lapsi.al, mësoi se një nga shtyllat e prodhimit të këtij ekrani ka lënë detyrën. Bëhet fjalë për zv.drejtorin e përgjithshëm Skerdi Drenova, i cili prej gati një dekade ka udhëhequr produksione si: Tjetri, Master Chef, Big Brother, E diell, Pasdite në Top Channel, 100 Milionë, The Voice of Albania etj. Burime për lapsi.al brenda TCH, bëjnë me dije se ish-drejtorin tashmë, e kanë “detyruar” të japë dorëheqjen, pasi në të vërtetë, bëhet fjalë për shkarkim nga detyra, që thuhet se Top Channel e praktikon rëndom kur i duhet të largojë punonjës, duke i ofruar mundësinë e dorëheqjes për favore a çështje ekonomike.
Lajmi për largimin e një prej drejtuesve kryesorë të Top Channel u shoqërua me thashethemin se Lori Hoxha, trashëgimtarja e të ndjerit Dritan Hoxha, është pozicionuar në rolin e Skerdi Drenovës. Por, e kontaktuar nga lapsi.al, Lori Hoxha mohon këto fjalë dhe gjithashtu nuk preferon të komentojë situatën momentale në të cilën ndodhet televizioni që familja e saj është aksionere.
Duket se largimi i zv. Drejtorit të përgjithshëm Drenova, ka ardhur nga kampi “kundërshtar” i aksionerëve e drejtuesve të Top Channel. Drenova ishte mik i vjetër i krijuesit Dritan Hoxha dhe për më tepër, krahu i djathtë i drejtorit të përgjithshëm, Enkelejdi Joti. Largimi i Skerdi Drenovës, duket të jetë pasojë direkte e rivalitetit mes pronares Vjollca Hoxha dhe drejtorit të përgjithshëm Enkelejdi Joti. Ndërkohë, fjalët që qarkullojnë korridoreve të Top Channel shtohen dita-ditës, për një largim të mundshëm edhe të vetë Enkelejdi Jotit, nga pozita kryesore e drejtimit të televizionit, që nga krijimi i tij në vitin 2003.
Marre nga Lapsi