Varianti i ri i Covid-19, i zbuluar fillimisht në Britaninë e Madhe, që sipas të dhënave të fundit është deri në 70% më infektiv, po përhapet në shumë vende në të gjithë botën.
Në kryeqytetin spanjoll Madrid, mutacioni i koronavirusit u gjet tek 4 persona, të paktën kështu thotë zv.Ministri i Shëndetësisë atje, Antonio Zapatero. Të 4 personat e infektuar kanë ardhur nga Britania e Madhe kohët e fundit. Fatmirësisht asnjëri prej tyre nuk ka simptoma të rënda.
Varianti i ri i Covid-19 është shfaqur edhe në Suedi. Sipas autoriteteve shëndetësore suedeze personk i prekur po ashtu kishte ardhur nga Britania e Madhe dhe tani gjendet në karantinë. Raste të mëtejshme të variantit të ri të virusit ende nuk janë gjetur.
Nga ana tjetër edhe Franca ka njoftuar se një person doli për herë të parë pozitiv me mutacionin e koronavirusit. Bëhet fjalë për një banor nga qyteti Tours që ishte kthyer nga Britania më 19 dhjetor dhe tani është në karantinë. Ai erdhi nga Londra dhe shfaqi simptoma, por është në gjendje të mirë shëndetësore.
Ndërkohë, pas shfaqjes së këtij varianti të ri të Covid-19, disa vende kanë marrë masa të menjëhershme paraprake. Mes tyre edhe Japonia, që ka ndaluar prej ditës së sotme hyrjen e të huajve në vend. Sipas gazetës Nikkei ky rregull do të jetë në fuqi deri në fund të janarit. Të njejtën gjë ka bërë edhe Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, i cili zgjati vendimin për ndalimin e fluturimeve nga Britania e Madhe. Në të njejtën kohë ka hyrë në fuqi urdhri që pasagjerët që vijnë nga vendet ku janë zbuluar raste me variantin e ri të Covid-19, përfshirë Hong-Kongun, Singaporin, Australinë dhe Japoninë, duhet të qëndrojnë në një karantinë 14-ditore.
Kujtojmë se qeveria britanike njoftoi për zbulimin e një mutacioni të ri të koronavirusit rreth një javë më parë. Ky lajm ka shkaktuar jo pak shqetësim në të gjithë botë dhe më shumë se 50 shtete, përfshirë edhe tonin, vendosën ndalimin e hyrjes së udhëtarëve nga Mbretëria e Bashkuar. Vende të tjera ku janë raportuar raste me “Covidin e ri” janë Italia, Danimarka dhe Holanda.







