Adi Krasta rrëfen sfidën e re: Në “News 24” për spektaklin e fjalës, është vonë të bëj kompromise

KLOTILDA HARKA/ “E para ishte fjala”, me këtë aksiomë biblike nisi historia e “A show”, një ide e projektuar nga moderatori i njohur Adi Krasta për “Top Channel”, por që u konkretizua 6 vite më parë me një show të bujshëm në Pallatin e Kongreseve. Pas shkëputjes nga ekrani, Adi Krasta rikthehet me “A në News 24” pa ngjyrat e spektaklit, pasi në qendër do të jenë fjala dhe aktualiteti.

Në 30-vjetorin e karrierës së tij në televizion, Krasta rrëfen veten, marrëdhënien me kohën që ikën dhe vjen, audiencën, qëndrimin ndaj pushtetit politik, apo paratë… Si një shpirt rebel dhe i ndjeshëm nuk heziton të ngrejë zërin për gjithçka që s’shkon në këtë vend në monologjet e tij. Për “Panorama Plus” ai na zbulon Krastën e ekranit dhe atë jashtë tij…

adi krasta

Riktheheni në ekranin e “News 24” me “A”. Sa mundet kjo germë e vetme të përfaqësojë një format të tërë televiziv?

Programi i ardhshëm do të jetë i folur, pra, nuk do të jetë spektakël siç mund të pritet. Në “News 24” po ndërtohet një studio e re. Në qendër do të jetë fjala dhe aktualiteti. Që të mos ju duket e pamjaftueshme ose e vogël “A”, mund ta quani dhe “A në News”.

Është folur për një kontratë të mirë dhe afatgjatë me televizionin “News 24”. Ç’mund të zbulosh për dy projektet e reja që pritet të lançohen në 2019-n?

Janë dy projekte në diskutim, për të cilat kam menduar për një kohë të gjatë. I dyti, i cili do të ketë në qendër atë që quhet sot “Fake News” mendoj se vjen në kohën e duhur.

Nga “E diell”- a e së dielës tani në ekran të hënën dhe të mërkurën në “primetime”. Ka ndryshim për ty fundjava nga fillimi i javës dhe në perceptimin që keni për kohën, ç’i ndan me thikë të dielën nga e hëna?

Në datën 22 nëntor të këtij viti bëhen saktësisht 30 vjet nga dalja ime e parë në ekran. Transmetimi i parë u programua të premten në orën 19:00 që të mos kalonte në primetime, meqë ishte program për rininë. Që atëherë i kam provuar gjithë ditët dhe pothuaj gjithë oraret. Nuk kam qenë kurrë i preokupuar për ditën e hënë ose të tjerat. Beteja është për të vërtetën dhe në kushtet kur propaganda del duarsh, kjo betejë nuk kërkon kohë të posaçme.

Dihet që ju synoni ta mbani lart piacën e shikueshmërisë me programe cilësore dhe me konsumatorë të nivelit të lartë. I ndiqni rivalët tuaj ose më mirë të themi, a keni rivalë në televizion?

Në televizion e radio të gjithë janë rivalë. Kështu janë grupet e punës, pronarët e medias dhe vetëfinancuesit e programeve. Por unë kam filluar punë herët për t’u kushtëzuar nga rivalët. Këto kohë, nga kolegë të cilët i vlerësoj e që bëjnë programe në stacione të ndryshme televizive ose nga kolegë të rinj, një pjesë prej tyre studentë e ish-studentë të mi, po bëhet hapur një trysni që e tejkalon sugjerimin e paqëllimtë, se këtë herë “do të më duhet të ul nivelin e programit për publikun e gjerë”. Një kërkesë që tani po artikulohet jo vetëm qartë, sa për fat të keq vjen paksa e paturpshme, por indirekt tingëllon edhe si një kërcënim për braktisje të mundshme të publikut të zakonshëm, për të cilin këta miq e kolegë mundohen të më bindin se është vulgar, fshataresk dhe injorant (!!!). Kjo nuk mund të jetë e saktë. Niveli i kërkuar i medias nuk është referencial me nivelin e supozuar të publikut. Ne jemi profesionistë të medias dhe njohim e kemi mekanizma profesionale për të kuptuar çfarë do publiku, e çfarë i duhet publikut. Shqipëria nuk mund të bëjë përjashtim nga modelet mediatike sot të televizioneve në Europë e rreth nesh. Publiku shqiptar nuk mund të bëjë përjashtim sepse do të ishte lajm i keq. Presionit të pretenduar për të argëtuar audiencën e pakulturë nuk mund t’i përgjigjesh duke e zyrtarizuar rrënimin e mëtejshëm të nivelit kulturor të komunikimit publik. E kundërta duhet të ndodhë. Pyetja është pse publiku normal, ai i ndjeshëm e i mençur, ndihet i mundur e i përmbysur si në ‘44-ën? Përse sponsorët në Shqipëri mbështesin projekte që qëllimisht ulin nivelin për numra shikueshmërie (të dyshimtë), duke qenë të ndërgjegjshëm se për to ekziston sot një mbingopje neveritëse? Është momenti ndoshta që shikuesi të dijë të reagojë e të mbrojë programet që i dedikohen atij. Ose të pranojë produktet televizive që njëkohësisht i përçmon, ose të bëhet pjesë e promovimit të cilësisë. Në televizion e radio nuk është ende koha për rënie.

Në intervistat që zhvilloni në studio, bie në sy fakti që jeni dëgjues shumë i vëmendshëm. Është e vërtetë që intervistoni vetëm personazhe të shijeve tuaja dhe cila është gjuha e trupit tuaj në rastet kur personi që keni përballë nuk hyn ndër të preferuarit?

Ka në fakt një konstante personale kur zgjidhen të ftuarit. Një subjektivitet të pashmangshëm. Por sidomos në intervistat për aktualitetin, ndryshe nga ato me theks artistik e zbavitës, në studio vijnë dhe duhet të vijnë njerëz ndaj të cilëve jo domosdoshmërisht ke simpati të madhe. Kam qenë gjithmonë i hapur të ftoj në programe specialistë të mirë të fushave të tyre, të cilët nuk kanë patur simpati për mua. Ky do ishte ai momenti kur marrëdhënia është profesionale dhe jo personale.

Çfarë do u thoni personave që mund t’ju kritikojnë në lidhje me monologjet ku shigjetoni probleme apo pushtetarë?

Pas një kohe kaq të gjatë në komunikimin publik them se nuk është më dramë personale kur ka kritikë, antipati apo edhe urrejtje. E marr në konsideratë ekzistencën, pikëpamjen ose vuajtjen e tyre. Ndërkohë, e gjithë përulësia, mirënjohja dhe dashuria e plotë u drejtohet atyre që më mbështesin pa bërë gjykim gijotine. Pra, është një marrëdhënie më e qartë se ç’duket nga larg.

Mustafa Nano po ashtu e nis emisionin e tij në një tjetër televizion me një monolog. I ke dëgjuar, si të duken dhe mendon se ju ka kopjuar idenë?

Hapjet e programeve televizive e radiofonike kanë qenë gjithmonë kështu. Aty mesazhi theksohet për të qartësuar mundësisht atë që do ndodhë në minutat në vazhdim apo për të bërë publik një qëndrim. Qëllon shpesh që drejtuesi i një programi të ketë diçka të veçantë për të thënë dhe hapja shkon më e gjatë. Në rastin tim, nuk është një dëshirë për t’u imponuar ose për të shitur mend.

A ka qenë e vështirë të ruani profilin tuaj të moderimit gjatë këtyre viteve? Si punoni me veten jashtë kamerave?

Nëse e kuptoj mirë pyetjen tuaj, profili i prezantimit radio-televiziv është ai që është përcaktuar shumë herët në jetë. Është i dallueshëm dhe i pandryshueshëm. Por gjatë jetës së gjatë profesionale ky stil mbështillet me vetëpërmbajtje, sens mase, maturohet me informacion, analizë.

Cilët kanë qenë të ftuarit përballë jush, që me të vërtetë ju kanë lënë mbresa të veçanta?

Intervista është gjini gazetareske shumë intriguese. Vetë fuqia e pyetjes shpesh vendos fatin e bashkëbisedimit. Shumë të ftuar më kanë lënë mbresë. Lista do të ishte e gjatë

Si një personalitet televizioni me shpirt rebel, realisht, ju intereson se çfarë mendojnë njerëzit për ju?

Patjetër që më intereson. Por nuk e jetoj jetën duke mbajtur mbi shpatulla peshën e asaj që mendojnë për mua si profesionist. Afro 120 vjetët e fundit është analizuar dhe pranuar gjerësisht se çfarëdo të bëjë një njeri për t’i pëlqyer të gjithëve, rezultati është tjetër. Thënë kjo në përcaktimin tuaj, me shumë dëshirë do kisha ndryshuar këndin. Kam patur një shtysë të papërkulur për të fituar jo pëlqimin e të gjithëve, por lirinë time të të menduarit dhe të shprehurit dhe për këtë shkak reagimet “kundër” kanë qenë të pritshme. Kjo, siç e thashë, është një betejë dhe zgjat sa jeta. Pyeteni Bob Woodward ç’ka thotë për këtë betejë!

Nëse i rikthehemi largimit nga “Top Channel” me mbylljen e kontratës më herët, e komentuat si një “ndarje prej gentleman-i”, pasi jeni i ndjeshëm për lirinë e fjalës dhe të ftuarit. Me Ben Blushin drejtues do të kishte qenë më ndryshe dhe a është e mundur që ta provosh lirinë absolute në televizionet shqiptare?

Ajo që po ndodh ditaditës në “TCH” është e kuptueshme dhe e parashikueshme. Nuk jam i çuditur me zhvillimet aty, siç e gjej të shpjegueshme dramën që ka përfshirë televizionet shqiptare sot, të cilat nuk vuajnë vetëm mungesën e lirisë.

Ju nuk latë pa përmendur një monolog tuajin që u hoq nga “Youtube”, pasi siç jeni shprehur “ishte për njerëzit që rrinë në dhomat e qeverisë dhe sulmojnë online të gjithë njëkohësisht”. Çfarë ndodhi me atë monolog?

Hapja e programit të fundit në “Top Channel” u hoq nga “Youtube” brenda 24 orësh. Ky është fakt që nuk trazoi kënd, përveç ndonjë institucioni ndërkombëtar. Asnjë njoftim, asnjë arsye e artikuluar. Programi nuk gjendet as sot. Për shumë mund të jetë vetëm një episod. Për mua jo! Politika nuk ka tërhequr kurrë interesin tim në mënyrë pasionante, por si qytetar e si njeri i medias i ndjek ngjarjet politike me vëmendje. Nuk di të them se cilët politikanë kanë besimin tim, por di se ata që nuk kanë besimin tim, e turbullojnë këtë vend.

Si një opozitar ndaj politikëbërjes në Shqipëri, a mund të veçoni politikanët që mund të kenë besimin tuaj?

Minimumi që mund të bëj është t’i dyshoj motivet e tyre. Nëse i kundërshtoj, këtë e bëj vetëm parimisht. Natyrisht, nuk mëtoj për t’i urryer me pasion. Më mjafton të kuptoj saktësisht çfarë ndodh në segmentin e errët të sjelljes së tyre.

Këtë periudhë i jeni bashkuar edhe kauzës kundër prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Nëse do të ishit për një ditë ministër Kulture, çfarë do i sugjeronit Kryeministrit në lidhje me këtë kategori artistësh?

Çka po ndodh me Teatrin është ndër më të shëmtuarat ngjarje për të cilat nuk do të kisha dashur të isha dëshmitar. Protesta për mbrojtjen e tij, ndër levizjet më të bukura e të qenësishme që ka parë ky vend. Pa asnjë rezervë e mbroj atë kauzë si të shumtët qytetarë të Tiranës. Kurajë e madhe të mbrosh e të luftosh për të kundërtën! Mendoj se do konsiderohet një palaçollëk historik. Është një palaçollëk historik dhe kaq sa ka ndodhur. Aty zbërthehet germë për germë, në fakt, gjithë filozofia e qeverisjes së këtyre viteve, nëse kërkon ta kuptosh.

Vitet kalojnë dhe bashkë me pluset në karrierë shtohen minuset e viteve në jetë për këdo prej nesh. Duke qenë se në pamje keni mbetur i njëjti, si ka ndikuar mosha në shpirtin dhe mendjen tuaj?

Nuk mund të kem mbetur i njëjti, se të jem i ndershëm, nuk e kam gjetur Eliksirin e Jetës. Por unë kam pasur një teori zhvilluese për defektet dhe minuset që ju përmendni. I marr me vete dhe kam kurajën të bashkëjetoj me to ndërkohë që vitet kalojnë. (Për fat, nuk e kam sfidën as me baletin e as me vokalin. E kam me fjalën e komunikimin…)

Të gjithë sot rendin pas parasë, po ju cilën keni ambicien më të madhe në jetë? Keni një filozofi të cilën e ndiqni?

Në kaq vite radio e televizioni kam punuar me rroga të vogla e të mëdha, dhe jo rrallë pa rrogë fare. Kam marrë kënaqësi nga puna dhe nga suksesi e mbeshtetja e madhe e publikut dhe kritikës. Nuk ka shtysë e shpërblim më të madh se suksesi. Në kohë të mira ai gjithmonë vlerësohet edhe financiarisht.

Thuhet se bashkëshortja juaj është këshilltarja më e mirë që keni. Meqë ende gratë dhe burrat shihen si dy klane, cili është mendimi juaj për gruan si qenie, e konkurron burrin apo e tejkalon kapacitetin e tij?

Të gjitha bashkëshortet janë këshilltare të mira. Ato i kanë për zemër interesat e bashkëshortëve të tyre. Janë të vërteta në mbështetje. Për ata që e njohin, jam i vërtetë kur them se bashkëshortja ime është e rrallë. Në parim, për çështjen e vendit në shoqëri të grave e burrave, kam një qëndrim jo qëllimisht të çimentuar. Kush është i talentuar, mund të jetë grua ose burrë. Është një konkurs i hapur.

Ndër vite ke pasur partnere të ndryshme në krah gjatë karrierës suaj, po sot a ke ndonjë koment për konkurrencën që bëhet mes vajzave në televizionet tona?

Vajzat e gratë e televizioneve vuajnë të njëjtën sindromë e përballen me të njëjtat rreziqe. Puna e dobët, cilësia e dyshimtë e mendimit dhe fjalës dhe ekzistenca e kushtëzuar profesionale. Ka padyshim prej tyre që kanë admirimin tim. Për ndonjë madje po pres me kërshëri rikthimin në ekran.

Në kaq vite televizion ke pasur largime të bujshme e rikthime. Mund të themi se të kanë përkëdhelur mjaftueshëm, sa të mos pranosh asnjë kompromis?

Kompromisi është çështje komplekse. Pse nuk janë të lumtur ata që i kanë bërë e që i bëjnë kompromiset përditë? Jo. Përkëdhelje apo sulme qofshin, është vonë për mua tani të bëj kompromise.

E pas mbi tri dekadash karrierë në televizion kërkoni t’ju duan të gjithë, apo ju pëlqen ideja që ka nga ata që ju urrejnë pasi keni bërë diçka për t’i xhelozuar?

Nuk kam kërkuar asnjëherë të më duan të gjithë. Këtë karakteristikë përgjithësisht e kanë artistët. Ata kanë nevojë për gratifikim të vazhdueshëm, që u motivon ekzistencën në një ambient të vështirë. Unë kam qenë i qartë – e mendoj se kam mundur të kuptohem nga bashkëbiseduesit, apo shikuesit – se pres respekt. E kam fjalën për respektin profesional dhe njerëzor.

REKLAMA
loading...

KOMENTO

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.