Në këto temperatura të larta, zjarri duket sikur na përvëlon edhe kur e shohim të shkruar diku. Mirëpo, nuk është ky rasti i “zjarrit” të Alban Skënderajt. Artisti ka publikuar ditën e sotme projektin e tij më të ri i cili mban titullin “Zjarr në shpirt”, por vjen si një fllad i lehtë me melodinë që ndërthuret aq këndshëm me tekstin, siç vetëm Albani di. Për hir të së vërtetës na mungojnë këngët e Albanit për ndarjen, dashurinë, dhimbjen, ku të gjithë e gjejmë veten, tashmë që ai i është dedikuar më shumë biznesit. “Zjarr në shpirt” ka një tematikë të ndjeshme e cila lidhet me dashurinë, por nga njëra palë sepse se ç’bëhet me palën tjetër nuk dihet. “A më do ti, siç të dua unë ty?”- pyet Albani gjatë vargjeve, pyetje që na ka munduar të gjithve qoftë edhe një herë në jetë.
Edhe këtë herë, autori i hitit “Ki mëshirë” u tregua minimalist, duke u mjaftuar me një kitarë dhe natyrën, që duket se është zgjedhja e preferuar e tij nëpër videoklipe. Po! Kaq pak i duhet një artisti të vërtetë për të fituar zemrat e publikut. E kur vera sapo ka trokitur, e këngëtarët janë të gjithë duke gatuar hitin e tyre të sezonit, jemi të bindur se zjarri i Albanit do na shoqërojë gjatë gjithë këtyre muajve.
Albani është një nga këngëtaret që gjithmonë ka spikatur për baladat e tij dhe sot e kësaj dite, shumë prej tyre renditen si ndër më të mirat në muzikën shqiptare. E kush i harron perla të tilla si “Refuzoj”, “Diçka”, “Njëherë në jetë”. Shpresojmë vetëm që Albani mos të na mungojë kaq shumë sa këtë vit.








