Dua Lipa nuk humbet asnjë rast për të promovuar historinë e shqiptarve dhe të vendlindjes së saj, Kosovën. Në intervistën e saj të fundit, për revistën prestigjoze “Rolling Stones” ajo ka folur për përjetimet e saj, si dhe historinë e familjes Lipa gjatë regjimit serb. Ajo ka rrëfyer historinë prekëse të gjyshit të saj, i cili humbi karrierën e tij dhe duroi shumë përndjekje, për shkak të qëndrimeve të tij patriotike.
Gjyshi i Duas, Seit Lipa, ka qënë historian i mirënjohur dhe kryetar i Institutit të Historisë në Kosovë. Për shkak të pozicionit dhe influencës së tij profesionale, forcat serbe i kanë kërkuar të ndryshojë dhe shtrembërojë historinë e Kosovës. Këto përpjekje ishin pjesë e politikave serbe për të fshirë trashëgiminë kulturore dhe historike të shqiptarve, në këto treva. Mirëpo, gjyshi i Duas ka refuzuar këto kërkesa dhe ka preferuar të heqë dorë nga puna e tij, për të ruajtur integritetin e tij profesional dhe personal. Mesa duket, patriotizmi dhe dashuria për kombin shqiptar janë të trashëguara tek Dua.
Këngëtarja shqipare po përjeton një nga periudhat më të mira të karrierës së saj. Ajo vazhdon të kryesojë klasifikimet muzikore dhe është nominuar për disa çmime Grammy. Por edhe pas suksesit ndërkombëtar, Dua nuk e harron origjinën e saj, e madje është krenare për të.









