Dua të të bëj të lumtur, sjell lumturi pafund këtë të shtunë

E shtuna e parë e dhjetorit ka sjellë emocione dhe lumturi në studion e Dua të të bëj të lumtur nën drejtimin e Arbana Osmanit. Për të gjithë ata që nuk e ndoqën apo duan të dëgjojnë edhe njëherë historitë e kësaj nate, ju ftojmë më poshtë!

Historia e Alketës dhe Yllit

Një grua 48-vjeçare e cila ka lindur në një familje të madhe të përbërë nga prindërit, katër vëllezërit dhe katër motrat e saj. Alketa ka lindur në gusht të vitit 1972.

Prindërit ishin tej mase të gëzuar për ardhjen në jetë të kësaj vogëlusheje. Por vështirësitë e asaj kohe nuk u jepnin mundësi nënave të bënin kontrolle mjekësore gjatë shtatëzënise, prandaj mamaja e Alketes nuk e dinte se vajza e saj do të kishte një defekt gjenetik dhe për këtë shkak lindi me një këmbë.
1480802744alketa
Alketa ishte më e përkëdhelura në familje, e mbanin më afër se çdo fëmijë tjetër, por gjithashtu ishte një vajzë e shkathët dhe shumë e dashur e cila u rrit duke u përshtatur dhe duke përballuar këtë vështirësi që jeta i kishte vendosur.

Edhe pse ndryshe nga fëmijët e tjerë i duhej të mbante dy mjete të tjera si të vetmen mënyrë për të ecur, ajo nuk e ndjente veten të distancuar.

Alketa vendosi një protezë në moshën 10-vjeçare dhe pavarësisht vështirësive, ajo u përshtat shumë shpejt me këmbën e saj të re, edhe pse prej druri.

Por duke u rritur, edhe struktura e trupit ndryshon, prandaj proteza duhej ndërruar herë pas here dhe për shkak të gjendjes ekonomike këtë gjë Alketa nuk mund ta bënte.

Vitet kalonin dhe kishte ardhur momenti që Alketa të krijonte një familje. Kjo ishte ajo çka dëshironte më shumë në jetë edhe pse gjithmonë ka qenë dyshuese, për shkak të gjendjes në të cilën ndodhej.

Por edhe për Alketën fati kishte menduar për t’i dhënë një jetë si të tjerëve. Në moshën 20-vjeçare ajo njohu Yllin, një djalosh i cili jetonte në një fshat të afërt.

Edhe për Yllin jeta nuk kishte qenë shumë e lehtë. Ai ishte rritur në një familje me shumë vështirësi ekonomike, prandaj ishte detyruar të shkonte në Greqi për të punuar dhe për të siguruar një jetesë më të mirë. Nuk ishte e lehtë të qëndronte larg familjes, por kjo ishte një zgjedhje që shumë shqiptarë detyroheshin të bënin.

Por duke punuar, ashtu si çdo ditë tjetër, ai pësoi një aksident dhe për fat të keq doktorët u detyruan t’i prisnin këmbën.

Ylli u largua me qëllimin për të fituar një të ardhme më të mirë dhe u kthye me një trishtim të madh në zemër. Por i duhej të mësohej me këtë fakt dhe të falenderonte Zotin që ende ishte gjallë.

Në fshatin ku Alketa jetonte ishte spitali kryesor për të gjithë zonën e Mokrës së Poshtme, vendi në të cilin kryente vizitat mjekësore edhe Ylli. Fati i bashkoi dhe një vit pas njohjes ata u martuan.

Këta ishin dy njerëz që jeta i përballi me të njëjtat barriera, prandaj mundën ta kuptonin njëri-tjetrin më mirë se kushdo tjetër dhe vetëm së bashku mund të njihnin kërkesat e njëri-tjetrit.

Ëndrra e Alketës për të pasur një familje po realizohej dhe gëzimi i saj më i madh ishte ditën kur mori vesh që do të bëhej nënë. Por Alketa nuk mund të ishte e qetë derisa të shihte me sytë e saj fëmijën që po priste, derisa ta dinte që do të ishte shëndosh e mirë.

Në 17 maj të vitit 1995 erdhi në jetë fëmija i tyre i parë, një djalë që e quajtën Mariglen dhe dy vite më vonë lindi vajza e tyre, Eleni. Gëzimi në zemrat e këtyre dy prindërve që jeta i kishte ballafaquar me kaq shumë vështirësi ishte shumë i madh, sepse falë Zotit të dy fëmijët lindën të shëndetshëm dhe pa asnjë problem në trupin e tyre.

Por dihet që rritja e fëmijëve nuk do të ishte e lehtë, ata kishin nevojë për kujdes të vazhdueshëm, duhej dikush që t’i çonte në shkollë, t’i mësonte të bënin hapat e para, t’i çonte në spital sa herë që sëmureshin.

Për këtë gjë, Alketa ka pasur ndihmën e mamasë së bashkëshortit, e cila e ka ndihmuar për të mbajtur fëmijët, kujdesej për ta, i çonte në shkollë dhe gjithmonë u thoshte të bëheshin fëmijë të mbarë dhe të mos i shqetësonin prindërit.

Por, kur fëmijët ishin 8 dhe 6 vjeç, mamaja e bashkëshortit të Alketës u nda nga jeta dhe ajo mbeti e vetme për t’u kujdesur për fëmijët. Nuk kishte zgjidhje tjetër, mblodhi të gjitha forcat dhe e vetme ia doli të kujdesej për familjen e saj.

Sot këta dy vogëlushë janë rritur, Marigleni punon që të ndihmojë edhe prindërit dhe motrën e tij dhe të dy u janë pafundësisht mirënjohes dy prindërve të mrekullueshëm që i kanë rritur me kaq mund e sakrifica.

Vajza e tyre Eleni iu drejtua redaksisë së emisionit “Dua të të bëj të lumtur” për të gëzuar sado pak prindërit e saj. dhe stafi i emisionit u bëri atyre një dhuratë që ata dëshironin shumë: një bursë studimi për vajzën e tyre, një surprizë kjo që befasoi edhe vetë Elenin.

1480800132nevila


Historia e Nevilës dhe Prindërve të saj

Rasti i radhës që ka mbërritur në redaksinë e emisionit “Dua të të bëj të lumtur” ka qenë ai i Nevilës, një vajzë që vendosi të bëjë të lumtur prindërit e saj, të cilët kanë pasur një jetë plot sakrifica për fëmijët e tyre.

Ata ishin përkushtuar aq shumë ndaj rritjes së fëmijëve saqë kishin harruar njëri-tjetrin si çift. Kur Nevila ishte e vogël, ajo kaloi një sëmundje që i rrezikoi jetën dhe falë përkujdesjes së madhe të prindërve ia doli që ta luftonte sëmundjen. Për këtë, ajo u është mirënjohëse atyre gjithë jetën.

Prindërit e saj, Virioni dhe Aneta nuk kanë mundur as të pijnë qoftë edhe një kafe vetëm me njëri-tjetrin dhe kjo ka qenë arsyeja që me rastin e 28 vjetorit të tyre të martesës, Nevila i kontaktoi stafin e emisionit “Dua të të bëj të lumtur” për t’u bërë atyre një surprizë.

Stafi ynë u ka mundësuar atyre një udhëtim në Valbonë, mes natyrës dhe ajrit të freskët, si dhe ka plotësuar ëndrrën e vjetër të Anetës: të bënte një foto me fustanin e baradhë, që kur u martua 28 vjet më parë nuk e bëri dot.

Stafi i emisionit ia ka realizuar Anetës këtë dëshirë dhe ajo, ndonëse në moshë, ka pozuar me bashkëshortin duke bërë foto për një albuim të ri, i cili i është dorëzuar çiftit në studion e emisionit.

14807987296syxugm4

Të bësh të Lumtur një mikeshë

Jeta e Marikës nuk ka qënë e lehtë. Ajo ka kaluar ato që mund të ishin vitet me të bukura të jetës së saj plot brenga dhe e mbyllur në shtëpi.

Marika ka lindur më 20 mars të vitit 1949, në fshatin Gjyrezë të Korçës, e rritur në një familje të ngrohtë me prindërit, motrën dhe vëllain. Vitet rridhnin normalisht pa lumturi e trishtime të mëdha.

Në 1969 ajo u zhvendos në qytetin e Beratit për të filluar një punë të re. Bashkë me të erdhi dhe bashkëshorti, i cili ishte njeriu që i rrinte më pranë. Marika u martua dhe nga kjo martesë e lumtur lindi vajza e tyre e parë, Alma.

Si prindër të rinj, ata menduan se familjes së tyre duhet t’i shtoheshin të tjerë pjestarë dhe disa vite më pas vjen në jetë djali i tyre i parë. Lumturia ishte e madhe, sepse çdo familje ëndërron të ketë dhe një vajze dhe një djalë.

Por 5 muaj pas lindjes së djalit, ajo kaloi dhimbjen e parë më të madhe deri në atë kohë, pasi djali i saj i vogël papritmas ndërroi jetë. Bota për të u shemb, por me bashkëshortin pranë arritën t’i jepnin kurajo njëri-tjetrit dhe të vazhdonin jetën.

Pas disa kohësh ata menduan se ajo që mund t’ua lehtësonte dhimbjen ishte ardhja në jetë e një fëmije tjetër dhe kështu ndodhi. Marika u bë me një tjetër djalë, të cilit sërish iu gëzuan shumë, por një tjetër fatkeqësi rëndoi mbi shpirtrat e këtyre prindërve. 7 muaj pas lindjes, djali i tyre i dytë vdiq po në të njëjtën mënyrë.

Kjo ngjarje nuk ishte e lehtë për këtë nënë të gjorë, që tashmë do të vuante humbjen e 2 vogëlushëve të saj. Vitet rrodhën bashkë me hallet mbi supe. I vetmi gëzim që kishin ishte vajza e tyre, tashmë 10 vjeçe.

Por familjes iu shtua një tjetër pjesëtar, djali i tyre i tretë, të cilin e quajtën Adrian. Adriani ishte drita e syve për ta, ky djalë kaq shumë i dëshiruar për familjen.

Ai ishte një engjëll që erdhi në jetët e tyre vetëm për të sjellë lumturi. Pas fatkeqësive që kishin kaluar, prindërit i gëzoheshin pafund rritjes së djalit të tyre.

Ishte data 24 korrik, ditë e nxehtë vere, Adriani doli të luante me 2 shokët që shoqërohej gjithmonë. Në mëngjes Marika u zgjua me një ëndërr të keqe dhe mendja i rrinte tek vajza që kishte larg.

Si çdo ditë ajo doli në oborrin jashtë shtëpisë të bisedonte me shoqen e saj dhe ndërkohë pa djalin e saj 18-vjeçar që luante aty rrotull. Pak pasi Marika shkoi në shtëpi dëgjoi 3 të shtëna me armë…

Menjëherë doli jashtë dhe pa djalin e saj të shtrirë. Vrapoi drejt tij dhe e mori në krahë. Djali i saj me lotët që i rridhnin nga sytë i tha: “Mami, bëhu e fortë, unë kaq e pata”; dhe me kokën mbështetur mbi supin e nënës për të fundit herë mbyll sytë.

Ai u vra nga një bandë sepse e ngatërruan me dikë tjetër për shkak të trazirave që po ndodhnin në vitet ‘97-‘98. Shokët e tij vrapuan, ndërsa Adriani nuk mundi sepse kishte vrarë këmbën dhe në plumbin e tretë i tha personit që po e qëllonte: “Ti po më vret, por unë jam i pafajshëm”.

Pas gjithë këtyre plagëve të marra, bota për Marikën nuk kishte më kuptim. Ajo qëndroi e mbyllur në shtëpi për 8 vite duke dalë shumë pak. Ato vite ishin më të vështirët e jetës së saj. Bashkëshorti i saj i qëndronte pranë duke i dhënë kurajo e duke i thënë se dhimbjen do ta ndanin të dy.

Nuk donte ta shikonte të shkatërruar, të dorëzuar, por pavarësisht atyre dhimbjeve t’i tregonte se jeta për ta vazhdonte. Por Marika me kalimin e kohës filloi të dilte nga shtëpia dhe në një nga këto ditë njohu Liljanën.

Kur i tregoi dhimbjen që kishte kaluar Liljana s’mundi t’i mbante mend lotët dhe, siç thotë ajo, nuk kishte sesi të mos mendonte që ta bënte të lumtur këtë grua. Marika rreth 2 vite më parë humbi edhe bashkëshortin.

Gjatë bisedave me shoqen e saj të re, ajo rrëfeu se ishin bërë shume vite që nuk shkonte asgjëkundi, se nuk kishte bërë një udhëtim, që ndihej e vetmuar dhe që i mungonin njerëzit e dashur.

Dëshira e saj ishte thjesht të shkonte diku, pak më larg realitetit të saj dhe kjo ishte arsyeja përse shoqja e saj kontaktoi redaksinë e emisionit “Dua të të bëj të lumtur”, me shpresën se ky program mund ta bënte pakëz të lumtur.

Stafi i emisionit i mundësoi Marikës dhe Liljanës një udhëtim në Prishtinë, akomodimin në një nga hotelet e këtij qytetit, si dhe shëtitje në rrugët e tij.

Një udhëtim që e nxorri atë nga realiteti i përditshëm e që siç thotë ajo, “do ta mbaj mend tërë jetën, përsa të jem gjallë. Përveç kësaj nuk kam çfarë të kujtoj tjetër”.

/ Top Channel

REKLAMA
loading...

KOMENTO

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.