Ai është një nga serialet me rekorde shikueshmërie në të gjithë botën. Një ekranizim magjepsës i një best-selleri turk, “Fate të kryqëzuara”, vjen si premierë në ekranin e Televizionit Klan, duke filluar nga dita e shtunë në orën 21.00 dhe që do të vijojë të dielën, me 3 episode premierë në orën 20.10.
Historia rrëmbyese e dy grave të cilat vijnë nga dy botë të ndryshme, e që takohen 15 vite më parë në spital gjatë lindjes. Fati është ai që i kryqëzon rrugëtimet jetësore të Gylseren, një grua e vetme në kushte të vështira ekonomike dhe të Dilara, një grua e pasur nga një familje e famshme, e martuar me Xhihan.
Foshnjat e lindura në të njëjtën ditë do të shkëmbehen gabimisht në maternitet dhe ky fakt do të sjellë gjithë intrigën e filmit. Mes zhvillimeve të befasishme, që do të mbajnë të gozhduar teleshikuesin në çdo episod, lindin konfliktet, perplasjet, por dhe një ndjejnë e pazakontë dashurie mes Xhihan dhe Gylseren.
Por si do të jetë fati i kësaj dashurie, si do të reagojnë vajzat dhe familjet për shkëmbimin e bërë 15 vite më parë, çfarë dramash do të sjellë ky aksident në jetën e protagonistëve? Këto dilema do të zgjidhen përgjatë serialit, i cili aktualisht falë suksesit të sezonit të parë, po vijon transmetimin e sezonit të dytë në Turqi.
Suksesi i jashtëzakonshëm i filmit, lidhet ngushtë jo vetëm më historinë rrëmbyese, por dhe me kastin e aktorëve. Nurgül Yeşilçay, në rolin e protagonistes Gylseren, është fituese e çmimit “Aktorja më e mirë në Turqi”, apo Ebru Özkan, në rolin Dilarë dhe Erkan Petekkaya, që interpreton Xhihan, janë ndër aktorët më talentuar të momentit.
Një prodhim i gjigandit Endemol, aktualisht “Fate të kryqëzuara”, po thyen rekorde shikueshmërie në shumë vende ku po trasmetohet si në Turqi, Iran, Greqi, Rumani, Indonezi, Lituani, Bullgari, etj./tvklan.al








