Gazetarja dhe moderatorja e A1 Report Erjona Rusi tashmë vjen edhe në një tjetër këndvështrim. Pas 14 vite punë si gazetare ajo ka vendosur të na njoh me një tjetër pasion dhe talent të sajin, atë të fotografisë.
Disa nga fotot e saj do të jenë pjesë e ekspozitës Tension Urban që hapet në Qëndrën Rinore të Tiranës duke filluar nga nesër ora 19.00. Foto që kanë në fokus transformimin e qyteteve dhe banorëve të tyre.
Rreth ekspozites Tension Urban
“Marrëdhënia mes “komunikimit”, “izolimit”, “përballjes” si elementë thelbësorë në krjimin ose çlirimin e tensionit. Me zhvillimin urban që transformon vendet në të cilat jetojmë në mënyrë të shpejtë duke fshirë “vendet e krimit” të ndjesive tona e duke i kthyer ato vetëm në kujtime e gjejmë shpesh veten pa vete. Por nganjëherë, kur ngatërrojmë rrugën e marrim një rrugicë tjetër, zbulojmë diçka të paprekur, nje kendveshtrim që na ndihmon të dekontestualizojmë përmbajten e përhershme të kuadros duke e personalizuar atë. Këtu i rikthehemi vetes dhe kuptimi i fjalës tension papritur është relativ. Le të shkojmë deri në fund të rrugicës.”
Kuratore: Eni Derhemi Aira La Mer)
Organizatore: Nina Cara
Ideator: Loer Kume
Pjesëmarrës: Anëtarët e grupit “A Dangerous Method”
Shënim:
Ekspozite “informale” e përbërë prej fotosh amatore dhe jo-amatore. Vazhdimisht, vendi i “shkarkimit” apo përshkrimit të përjetimit të tensionit urban është një tavolinë virtuale, ku eksperiencat ndahen, komentohen, diskutohen dhe përfundojnë. Kjo ekspozitë vjen për të marrë këtë tavolinë e këta njerëz nga virtualiteti, për ta vijuar kapërcimin e tensionit sërish në realitet, nëpër një forme komunikimi siç është fotografia.









