Një 14-vjeçare në Drenas, javë më parë dyshohet se u dhunua nga një burrë, ndërsa në dijeni ishte edhe nëna e saj, e dashura e burrit. Për këtë arsye, kanë përfunduar të dy në pranga.
Burime brenda Prokurorisë së Shtetit kanë bërë të ditur se gruaja ishte nëna e 14-vjeçares, e cila kishte një lidhje jashtëmartesore me burrin që ia dhunoi vajzën, me dijeninë e saj.
Nëna në momentin kur ka dalë me të dashurin e saj, e ka marrë edhe vajzën me vete, në mënyrë që të dalë më lehtë nga shtëpia, ndërsa i dashuri i saj e ka shfrytëzuar situatën dhe me pajtimin e nënës ka kryer marrëdhënie seksuale me 14-vjeçaren.
Gazeta Express mëson se babai i të miturës, i cili njëkohësisht është edhe burri i gruas së dyshuar ka të meta mendore.
Po ashtu, gruaja e dyshuar ka edhe fëmijë të tjerë me burrin me të cilin është e martuar.
Derisa, gruaja dhe i dashuri i saj janë në paraburgim, vajza gjendet në strehimore.
Burimet brenda Prokurorisë së Shtetit bëjnë të ditur se po shqyrtohet mundësia që shteti t’i marrë nën përkujdesje edhe fëmijët e tjerë.
Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë kanë thënë se është caktuar masa e paraburgimit ndaj dy të dyshuarve.
“Lidhur me këtë rast, krejt çka mund të themi është se prokurori i Departamentit për të Mitur në Prishtinë ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit për dy personat e dyshuar”, tha zëdhënësja për informim e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
Policia e Kosovës në një përgjigje për Gazetën Express thanë se nga muaji janar e deri në muajin gusht për veprën penale të ‘Dhunimit’ janë paraqitur në organet e hetuesisë 39 raste të dhunimit seksual.







