Intervistë me Fiori Dardhën, moderatoren e Fiks Fare

E ftuara e radhës në emisionin “Pasdite në Top Channel”, për një intervistë me prezantuesen Kozeta Turishta, ka qenë një tjetër prezantuese televizive, ajo e emisionit “Fiks Fare”, Fiori Dardha.

TCH: Fiori, moderatore e “Fiks Fare”, si u gjende apo si erdhe në këtë pozicion?

Fiori Dardha: Dua të theksoj se ishte një fat i madh, nuk do të rresht asnjëherë së treguari mënyrën se si erdha te Fiksi. Ishte një telefonatë e orës 10 e 30 e mbrëmjes së një të shtune. Më telefonoi nëndrejtoresha e emisionit “Fiks Fare” për të më thënë se ishin hapur audicionet për këtë emision, pas largimit të moderatorit prej 11 vitesh të këtij emisioni. Ishte një ftesë që më gjeti tërësisht të papërgatitur, pasi kisha një punë që nuk kishte lidhje me televizionin, ndaj dhe më trembte pak ndryshimi. Im shoq ishte i pari që më demoralizoi, duke më thënë që të mos e bëja audicionin pasi nuk e fitoja dot. E kishte bindje sepse nisej nga modeli i parë i moderimit të këtij emisioni, dhe nuk shihte asgjë të përbashkët me atë që kishte parë 11 vjet në vendin e moderatorit të Fiksit. Pastaj ishte një shoqja ime e ngushtë që më nxiti ta provoja, sepse në fund të fundit njeriu duhet të provojë edhe eksperienca të reja. Megjithatë, unë jam një natyrë që nuk më pëlqen prova, nuk është e rëndësishme pjesëmarrja, por duhet të fitosh.

TCH: Ishte një sfidë deri diku…?

Fiori Dardha: Fakti që punon në Top Channel është një sfidë. Të drejtosh emisionin “Fiks Fare” është më pas një supersfidë. E mora me shumë emocion edhe ditën e audicionit. Për herë të parë takoja drejtorin e emisionit, Filip Çakulin, takova partnerin tim në studio, Doktorin, apo Gent Pjetrin. Takova edhe zv/drejtoren, atë që më bëri ftesën për të ardhur në këtë emision. Nuk e mora si lojë, po nuk fitova nuk ka problem, sepse jam një njeri që kam sedër të sëmurë, ndaj dhe hyj gjithmonë për të fituar. Por, kur pashë konkurrencën u stepa disi, nuk isha entuziaste.

TCH: Gjëja e parë që mendove në atë moment?

Fiori Dardha: Të ikja, të mos e bëja fare audicionin. Por, hyra dhe pas 10 minutash që moderoja në provë me partnerin tim, Doktorin, pash një shkëlqim në sytë e Filip Çakulit, e ndieva që ai u kënaq, u duk sikur ai gjeti personin që dëshironte të ishte në karrigen e “Fiks Fare” dhe kjo më motivoi që ta çoja punën deri në fund më me entuziazëm. E prita jo me qetësi përgjigjen e audicionit, sepse mendova se s’do vinte brenda ditës, siç ndodh rëndom kur bën audicione.

TCH: Si ishte prova dhe ku konsistonte?

Fiori Dardha: Ishte diccka spontane, më duhej të improvizoja dhe nuk kisha një skaletë të mirëfilltë. Mu dha një situatë, në atë kohë kryeministri i Shqipërisë ndodhej prej gati 2 javësh në Amerikë dhe mu la dorë e lirë të komentoja se si më dukej mua Shqipëria pa kryeministrin. Në fakt më kishte marrë malli… Mënyra se si e prezantova, me sa duket u pëlqye.

TCH: Pra kryeministri ju ka sjellë fat…?

Fiori Dardha: Po, ndoshta komenti që i bëra vizitës së tij në Amerikë më solli fat. Jam shumë kurioze ta shoh audicionin tim dhe me siguri gjendet në arkivat e TCH, do ta kërkoj ndonjë ditë për kuriozitet, për të parë se çfarë pëlqyen ditën e parë tek unë, çfarë panë dhe pse më zgjodhën mua. Më vonë unë e kam kuptuar, por dua të shoh impaktin e parë që kam krijuar te të tjerët. Telefonata e orës 10 të mbrëmjes së të dielës, ku mu komunikua se unë e kisha fituar audicionin, sigurisht që ka qenë ndër telefonatat e shumëpritura, që më ekzaltoi vërtet. E thash edhe më herët, që të prezantosh “Fiks Fare”-n është një supersfidë, sepse emisioni ishte i konsoliduar kur unë erdha. Ndryshe nga moderatorët e tjerë dhe paraardhësi im, që kishte fillesat e tij dhe u rrit bashkë me emisionin, unë erdha në një emision të konsoliduar dhe nuk pata kohë për fillesa, por publiku priste që unë të isha në standardin e emisionit, dhe nuk mund ta ulja atë standard. Shpresoj të kem bërë më të mirën.

TCH: Vijmë te momenti i parë, kur u shfaqe për herë të parë drejtpërdrejt në këtë emision…

Fiori Dardha: U ndieva zonjë shtëpie, aty ku duhej të isha. Tashmë jam edhe më e bindur dhe them se unë jam në një pozicion që e meritoj, më falni për mungesën e modestisë, por ndihem në krye të vendit dhe shumë e vlerësuar. Është një sipërmarrje shumë e madhe dhe kërkon një përgjegjësi të jashtëzakonshme. Temat që trajtohen janë shumë delikate në shumicën e rasteve.

TCH: Sa netë pa gjumë, për merakun apo shqetësimet e punës?

Fiori Dardha: Deri te netët pa gjumë nuk kam arritur, por shqetësimet i mbart edhe pasi largohem nga Top Channel. Ka momente që një tematikë e përjetoj edhe më shumë se ç’duhet. Nuk e lë punën kur dal nga TCH, madje ka pasur raste kur kam kontaktuar edhe me personazhet që ne kemi trajtuar me temat tona në emision. Jam shumë e ndjeshme kur bëhet fjalë për fëmijët, shëndetin e tyre, dhe interesohem se si shkojnë punët me ta edhe jashtë punës.

TCH: Këto temat më te prekshme për ty, i përjeton gjatë momentit të transmetimit?

Fiori Dardha: Sigurisht, është e pashmangshme, sidomos dramat sociale. Sidomos kur bëhet fjalë për shëndetin e fëmijëve, ndjeshmëria ime është maksimale. Ndoshta ngaqë jam nënë vet, e kuptoj se çfarë mund të ndiejë një nënë kur sheh fëmijën e saj me një shëndet të brishtë.

(Duke komentuar fotot) Këtu jam me nëndrejtoreshën e Fiksit, Denisën, e cila ka qenë një ogur shumë i mirë për mua. Në disa foto të tjera kam dalë gjoja pa mëndje, por e dinim që po fotografoheshim. (Kur shfaqet fotoja e ditës së parë) Kjo është dita e parë në “Fiks Fare” dhe pas kësaj dite kam humbur 10 kg. Më pas jam kjo, që jam sot.

TCH: Si kanë reaguar miqtë tuaj në momentin që ti vendose dhe çdo gjë u përmbyll me sukses. Fitove vendin e duhur si zonja e shtëpisë, siç e the më herët…?

Fiori Dardha: Miqtë e mi të vërtet më kanë thënë që në fillim se çfarë shkon dhe çfarë jo në mënyrën time të moderimit. Flas për ata pak miq, që unë i konsideroj të tillë. Sa i përket shoqërisë, ata priren të të komplimentojnë, të thonë fjalë të mira, zakonisht njerëzit të vërtetën ta thonë pas krahëve, kur ti nuk je. Dhe unë përpiqem që të vërtetën ta mësoj nëpërmjet thashethemeve, sepse askush nuk ta thotë në sy, sepse të gjithë të komplimentojnë, të bëjnë perfekte, pavarësisht se, edhe nëse ti do më thoja që jam perfekte, unë i njoh shumë mirë pikat e mia të dobta dhe e di se çfarë shkon dhe çfarë jo.

TCH: Pra je kritikja më e madhe e vetes tënde?

Fiori Dardha: Disa sekrete nuk duhen thënë, sepse pikat e dobta nuk duhen bërë të ditura. Përpiqem që ato pika të dobta të mia t’i kamufloj me mënyra të ndryshme, por përpiqem edhe të përmirësohem çdo ditë, të jem sa më e vërtet për publikun, sepse kam kuptuar që publiku nuk është budall, atë nuk e gënjen dot. Ai mund të të shohë, por nuk të pranon. Ndaj dhe duhet të jesh sa më e çiltër, e vërtet, karizmatike, sa më pranë tyre. Publiku duhet të të konsiderojë njeri të familjes, pasi në momentin që ti bën të kundërtën, ai e kupton dhe nuk të pranon. Unë bëj maksimumin që të jem sa më e vërtet dhe të jem sa më pranë tyre.

TCH: Ka akoma punë për të bërë për t’u përmirësuar ende?

Fiori Dardha: Gjithmonë, e mira nuk ka fund. Ndaj unë punoj shumë me veten, përpiqem të përditësohem sa më shumë me informacione, të lexoj sa më shumë, jo vetëm për t’u kulturuar, por edhe për të përmirësuar leksikun tim. Për fat të keq shohim disa moderatore që kanë leksik të varfër, sidomos në momentet që janë drejtpërdrejt, e kanë të vështirë të shprehen, por janë edhe emocionet, sigurisht. Edhe unë tani jam e emocionuar dhe e ndiej që flas më shumë se ç’duhet ndonjëherë, apo them gjëra që nuk kanë kuptim. Por, në momentin që lexon dhe përditësohesh me të rejat e fundit, kur ke se çfarë të thuash, nuk bëhesh e bezdisur për të tjerët.

TCH: Si reaguan në momentet e para familjarët e tu. Na fole edhe për bashkëshortin…?

Fiori Dardha: I cili ishte më skeptiku. Bashkëshorti im është kritiku më i madh dhe fansi më i madh i imi, kjo edhe për shkak të profesionit, është regjisor. E di shumë mirë që të vërtetën mund të ma thotë vetëm ai. Sot mendon se unë bëj më të mirën time, ka ende vend për t’u përmirësuar. Ndoshta ndonjëherë duhet të kem më shumë nota humori, sepse ka tematika që i marr më seriozisht se ç’duhet. “Fiks Fare” jo vetëm trajton problematikat, por krijon edhe atmosferë argëtuese për publikun. Duhet të krijoj edhe një marrëdhënie me partnerin, të bëj edhe gazetaren, të prezantoj në mënyrë sa më dinjitoze punën e kolegëve të mi, punën e një stafi të tërë, ajo çfarë prezantoj çdo darkë. Përgjegjësia është jashtëzakonisht e madhe.

TCH: Ke një vetëbesim të madh në qenien tënde, si ke ardhur deri në këtë pikë?

Fiori Dardha: Vetëbesimin ose e ke, ose nuk e ke. Ndoshta është në natyrën time, që të mos marr përsipër gjëra që nuk i bëj dot. Ndoshta vetëvlerësimi vjen nga fakti që i njoh mirë difektet e mia dhe di mirë se çfarë shkon dhe çfarë nuk shkon me mua…

TCH: Le të kthehemi në një kohë tjetër… çfarë të kujton “Bla…bla…bla”?

Fiori Dardha: Më kujton një periudhë të lavdishme të jetës sime. Ndonjëherë më pyesin a ke qejf ta përmendësh këtë shprehje? Çuditem, sepse kjo nuk është një periudhë e errët, por e lavdishme. Ajo më bëri Fiorin e “Bla…bla…bla”-së, të njohur, të mësoj se ç’është televizioni. Ishte një krijesë e imja, që më bëri të dua televizionin, dhe e kam dashur gjithnjë këtë. Madje kur më pyesnin se çfarë doja të bëhesha, unë përgjigjesha ‘të dilja në televizion’. Me sa duket Zoti e ka dëgjuar dëshirën time dhe e ka plotësuar atë.

(Duke parë foto nga e kaluara, 10 vjet më parë, foto me Nishanin, Palokën, Shehun, rektorin e Akademisë së Arteve, Petrit Malaj, me Eli Farën, Gëzim Nikën).

TCH: Të mungon?

Fiori Dardha: Jo, mendoj se ai emision e mbaroi misionin e tij. Nuk kishte ç’të thuhej më. Pavarësisht se e mbylla me një hatërmbetje atë emision, ishte një mbyllje e detyruar dhe jo se unë doja. U detyrova për shkak të problemeve meskine që ndodhin shpesh nëpër televizione, ndoshta edhe xhelozive të pakuptimta, për shkak të kulisave dhe brrylave. Sot mendoj se jam sulmuar edhe me pa të drejtë, por duke qenë se jam një natyrë jo të lehtë për kompromise, zgjodha më mirë ta mbyll se sa të bëja diçka që nuk do më pëlqente dhe që nuk do të isha më unë. Jam përpjekur të bëj maksimumin tim. Ishte një format që mbahet mend dhe theu disa tabu, që solli gossip dhe satirë, nuk kishte investigim, por publiku e ndiqte sepse është i interesuar të mësojë sa më shumë rreth personazheve publik. Jemi mësuar t’i shohim gjithmonë brenda kornizave standarde, brenda asaj që ata duan të tregojnë në ekran, por harrojmë që ata kanë edhe një jetë private, gjë që ia ofroja publikut. Duke shuar kuriozitetin tim, shuaja edhe të shikuesve. Mund të them se ai emision pati shumë sukses, pa mungesë modestie.

TCH: “Fiks Farë” të merr kohë, impenjim, përkushtim, vëmendje. Si arrin Fiori të koordinohet mes familjes dhe punës?

Fiori Dardha: Dhe unë ia kam dedikuar me gjithë qejf kohën emisionit “Fiks Fare”. I vetmi që i hyj në hak është Abeli, djali im 2-vjeçar. E ndiej që ai ka nevojë më shumë për prezencën time, por duke qenë se kam prindërit, bashkëshortin, një zonë (dadoja). (Del fotoja me fëmijën, 2-3 orë pasi kishte lindur). Kjo është fotoja e jetës sime. Ky është kryevepra e jetës sime, Abeli, kishte vetëm 2-3 orë që kishte lindur dhe foton ma ka bërë motra ime. E konsideroj si një nga momentet më të bukura në jetë. E kam zmadhuar këtë foto dhe besoj se nuk do të arrij të realizoj ndonjëherë foto më të bukur se kjo.

TCH: Çfarë është Abeli për ty, me pak fjalë?

Fiori Dardha: Është kryevepra e jetës sime, është gjithçka. Deri përpara se të lindja, i kam dashur gjithmonë fëmijët, luaja me ta, më tërheqin, por nuk mendoja kurrë se dashuria kishte edhe të tilla dimensione. Këto janë momente gjatë muajve të parë, kur i bënim banjo, unë kisha shumë frikë ta prekja, sepse ishte aq i vogël, i brishtë. Ai nuk më ngjan fare mua, por në natyrë është tërësisht si unë, karizmatik dhe i zgjuar, me sytë e mi.

TCH: Çfarë ngjashmërie ka marrë Abeli nga fëmijëria jote. Gjërat që bëje dhe çfarë bën ai sot…?

Fiori Dardha: Abeli është një fëmijë i lëvizur, shumë i shkathët, që mua më befason çdo ditë. Ndoshta ngaqë e shoh me sytë e dashurisë, më duket sikur gjërat që bën ai nuk i bën asnjë tjetër, ndonëse të gjithë janë të mrekullueshëm. Unë kam qenë një fëmijë problematik, në të ushqyer, pak nazelie, më e lëvizur se ç’duhej, vritesha gjithmonë. Në kopësht shkoja shumë pak sepse edukatoret ankoheshin për mua, ndoshta krijoja probleme me fëmijët e tjerë. Por Abeli është më i qetë. Ndërsa Shaban Sinani është nuni i Abelit. I kam besuar djalin tim atij, sepse kemi besim të vërbër tek ai. E ka merituar plotësisht pozicionin e nunit.

TCH: Ndihesh e kompletuar si femër?

Fiori Dardha: E falënderoj Zotin çdo ditë për çdo gjë më ka dhënë, për familjen, për prindërit falë të cilëve sot gëzoj shëndet të plotë, e falënderoj për fëmijën dhe familjen që më ka dhënë. Për punën dhe gjithçka që më ka mundësuar. I jam mirënjohëse dhe e falënderoj: shpesh herë them ndoshta ka më mirë, por lutem që Zoti të më lërë kështu siç jam.

TCH: Marrëdhënia jote me familjen dhe prindërit e tu?

Fiori Dardha: Një marrëdhënie e ngushtë, ata kanë bërë të pamundurën që të më rrisin, të më edukojnë, kanë sakrifikuar shumë që unë të kem një fëmijëri të lumtur. Kanë punuar jashtëzakonisht shumë, ende sakrifikojnë sepse mbajnë Abelin sot. Kam edhe shoqe, të cilat kur krijojnë familje distancohen disi, dhe është normale sepse të kap rutina e ditës, puna, familja. Por me mua shumë rrallë ndodh që të rri larg prindërve.

TCH: Fiori me violinën?

Fiori Dardha: Violina ishte një dëshirë e mamasë sime. Ajo donte që ne të bëheshim artiste. Violinë kam bërë 12 vjet, edhe Liceun Artistik, por tashmë e kam lënë. Fotoja që u shfaq më parë ishte nga ato “koncerte” që ne detyroheshim të bënim kur vinin miq. Mami me krenari thoshte që Fiori i bie violinës, ndërsa Albana flautit, hajdeni të shohin pak miqtë, edhe nëse këta të fundit ndoshta nuk dëshironin farë të dëgjonin. Unë dështova, nuk u bëra violiniste, ndërsa motra ime e çoi deri në fund. Nëse artistët thonë që po e le instrumentin 1 ditë, ajo të le 1 vit, imagjino se si jam unë që kam 10 vjet që e kam lënë…

TCH: Po për Abelin, ka ndonjë plan në mendje mami, se çfarë duhet të bëhet ai kur të rritet?

Fiori Dardha: Abeli do të bëhet futbollist, që të mos lodhet shumë. Të punojë për një kohë jo shumë të gjatë, të mos luajë për ekipet vendase, por për skuadra të njohura, të paguhet shumë, të dalë në pension në moshën 35-36-vjeçare, nuk dua ta lodh shumë. Ndoshta blihet nga ndonjë ekip shumë i madh.

TCH: Rikthehemi në momentin kur ishe shtatzënë. Momenti i parë kur mësove se Zoti po të bekonte me një fëmijë…?

Fiori Dardha: Jam ndierë njeriu më i lumtur në botë. Për fatin e keq nuk e kam shijuar shumë shtatzaninë, sepse e pata problematike dhe jam detyruar të rri në shtrat për 6 muaj. Por tani nuk jam pishman dhe do të rrija në shtrat edhe për 4 apo 5 vjet, tani që shoh Abelin.

TCH: Do të kemi një motër apo vëlla për Abelin?

Fiori Dardha: Është në planet e mia, por jo së shpejti… Kur ta sjellë Zoti. Momenti që do e sjellë ai, do të jetë i mirëpritur, ashtu siç erdhi edhe Abeli, i cili gjatë kohës që unë jam në punë qendron me dadon e tij. Është një zonjë që më ndihmon për gjithçka, është administratore e shtëpisë sime. I kam besuar fëmijën tim mbi të gjitha, por nuk e di se si do ia dilja pa të. E përshëndes Marjetën dhe them se është e vështirë që të gjesh njerëz, të cilëve t’i besosh jo vetëm fëmijën por edhe shtëpinë dhe e bën zonjë të shtëpisë. Ndonjëherë bëhem edhe xheloze, sepse do të rrijë më shumë me të se sa me mua. Jam me fat, sepse duke qenë në punë, që ka shumë impenjime, këtë pjesë e plotëson dadoja e Abelit. Ndaj jam e qetë, sepse e lë atë në duar të sigurta.

TCH: Le të vijmë te pjesa e njohjes tënde me bashkëshortin, historia e dashurisë…?

Fiori Dardha: Fotoja në ekran është dasma ime e munguar, nuk jam martuar. Cdo femër e ka ëndërr ta veshë fustanin e nusërisë, edhe unë nuk mund të bëj përjashtim. Do më pëlqente të bëja një dasmë, nuk e kemi bërë dhe Abeli ka ardhur para dasmës. E kemi planifikuar disa herë, por kushtet financiare janë faktori kryesor që nuk është bërë. Herën e parë që mendova seriozisht për të ndërrova mendje, mendova më mirë të krijoja një shtëpi të mirë, të qetë dhe komode, ku të jetojmë mirë së bashku me djalin tim, ndaj dhe u anulua plani, e lamë për një moment të dytë. Por edhe herën e dytë, pasi grumbulluam parà të tjera për dasmën, ndodhi që më pëlqyen disa mobilje, dyer të bardha dhe një tapet. Dasma ka mbetur ende e parealizuar. Dua ta bëj për t’u kënaqur vet, për t’i kënaqur prindërit e mi, sepse e meritojnë një gëzim të tillë. Sinqerisht, nëse një ditë do martohem, do ta bëj vetëm për prindërit e mi…

TCH: Ëndrra jote që prindërit të të shohin me fustan nusërie?

Fiori Dardha: Mendoj se i kam gëzuar shumë, i kam sjellë shumë kënaqësi në jetë, nuk i kam zhgënjyer, nuk i kam krijuar shumë probleme, ndaj dhe besoj që ndihen krenarë, uroj shumë për këtë gjë. Unë u kam dhuruar Abelin dhe ata janë të marrosur pas tij, por e di shumë mirë që ata duan të më shohin edhe nuse, patjetër që do ua realizoj edhe këtë.

TCH: Do ketë kjo dasmë një kuptim më shumë? Sepse është edhe Abeli në mes…?

Fiori Dardha: Do të jetë një gjë e bukur, nëse të shoqëron fëmija yt në altar. E kam menduar në detaje dasmën time, kur ta realizoj, do të jetë një dasmë jo edhe aq private, sepse jam një person publik dhe asnjëherë nuk i kam kuptuar ata persona publik që kërkojnë një dasmë private. Sigurisht që nuk pretendoj që me dasmën time të zë të gjithë ekranet dhe gazetat, kush të dojë edhe mund ta pasqyrojë. Nuk do të jetë superluksoze, por në radhë të parë për prindërit e mi, për veten time dhe miqtë e mi të afërt. Por ka kohë, pasi nuk futet në planet e mia të afërta.

TCH: Vajzë energjike, e zgjuar, e ditur dhe shkolluar, me një profesion që e bën më së miri… Marrëdhënie jote me gatimin?

Fiori Dardha: E sinqertë? Skandaloze. Kam një marrëdhënie skandaloze, edhe pse gatuaj shumë mirë, por kur të më teket mua. Por, familja ime nuk e do këtë, do të hajë çdo ditë. Ndaj thash se kam një zonjë, administratore të shtëpisë sime, që më ndihmon për gjithçka.

TCH: Kur është kjo ditë, kur ti… edhe gatuan?

Fiori Dardha: Ndoshta një herë në vit. Gjithsesi, të shtunave jam e detyruar të gatuaj dhe familja mezi pret t’i shijojë gatimet e mia, sepse gatuaj vërtet mirë, por përtoj. Bëj të gjitha llojet e makaronave, salcat i bëj vet, gjellën me presh e qaj. Sa i përket ëmbëlsirave, nuk e kuptoj se si mund të harxhohet koha me gatimin e tyre, pasi mund t’i marrësh të gatshme. Gjithashtu i ftoj shpesh miqtë e mi të ngushtë, por po nxjerr edhe një sekret tani: ata e dinë që gatuaj unë, por nuk është kështu. Në shumicën e rasteve i marr nga restorantet dhe ua servir në tavolinë, por në fund ua tregoj atyre. Ndër miqtë e mi është edhe Elona Meço, gazetare e TCH, shoqja ime e ngushtë, e cila di gjithçka për mua, edhe pikat e mia më të dobta. Më është gjendur pranë në çdo moment, madje edhe i jam disi borxhlie, pasi nuk ndiej se bëj aq sa duhet për të. Ajo bën më shumë për mua. Elona është një shoqe e tillë, sa që nëse do të mendoj që një ditë do të zhgënjehem prej saj, atëherë për mua ka marrë fund shoqëria. Por, s’besoj se do të ndodhë.

TCH: E thatë që një nga ëndrrat dhe pasionet e tua ishte të ishe prezantuese…? Dhe nuk je penduar kurrë për këtë…

Fiori Dardha: Absolutisht jo, mendoj se televizioni është gjëja që bëj më mirë në jetë. Kam bërë 12 vjet violinë, kam mbaruar një shkollë për aktrim, që më ndihmon edhe në punën që po bëj, por mendoj se televizioni është më i miri për mua. E kam thënë se jo çdonjëri mund të jetë pjesë e ekranit, por me sa duket paska qenë e shkruar për mua të jem pjesë e televizionit. Ndihem e privilegjuar, vërtet me fat që jam pjesë e Top Channel, mund të duken si elozhe, por nuk janë aspak kështu, sepse me sinqeritet gjithmonë njerëzit që punonin në TCH përpara se unë të vija, i kam parë si njerëz që u pëlqen të marrin nga shkëlqimi i këtij televizioni, dhe tani mendoj se nuk e kam gabim…

/ Top Channel

REKLAMA
loading...

KOMENTO

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.