Ka një Mesazh për ty | Historitë e kësaj të diele – 16/12/2018

Në rubrikën “Ka një mesazh për ty” në “E diela Shqiptare” në Tv Klan ishte e pranishme Rediola, e cila ka thirrur gjyshen e saj që e ka rritur dhe edukuar që në moshën 5 –vjeçare, pasi prindërit nuk kishin mundësi ekonomike ta mbanin.

Nëse dikur nuk i kuptonte sakrificat e saj, sot Rediola është e ndërgjegjshme që nënë Hurmaja ka nevojë për vëmendje të veçantë.

Rediola: Kam jetuar 8 vite me gjyshërit, deri në vitin 2007. Kur kam jetuar tek gjyshërit kam studjuar në shkollën e muzikës  “Jakov Xoxa”, Fier. Gjyshi ishte roje shkolle dhe ishte ai që e merrte dhe e çonte në shkollë, ndërsa gjyshja kujdesej për mua. Ka qenë si periudhë revolte, rebelimi se përsë unë jetoja aty, ndërkohë që të gjitha shoqet e mija jetonin me prindërit. Mendoja se prindërit më kishin braktisur aty dhe unë ndihesha keq, edhe pse jetoja shumë mirë. Nëna përpiqeshe shumë që të jetoja mirë.  Dilja me atë shumë shpesh, ajo më shoqëronte kudo. Por vazhdoja të mos isha mirënjohëse. Kështu ka vazhduar deri në klasën e shtatë kur nëna më tha që do ikte në Tiranë të jetonte me dajën. Unë u ktheva në shpi, e mora me dëshirë shumë të madhe, por kur shkova pata një zhgënjim. Në të vërtetë u përballa me një jetë tjetër. Pushime nuk bëja, nuk dilja aq shumë. Thashë, paska qenë shumë mirë të jetoje me nënën. Përveç këtyre që janë dëshira fëminore, ishte shumë e vështirë të rikrijoja marrëdhënien me prindërit, pasi unë takohesha një herë në javë. Për nja 2-3 vite kam pasur një periudhë dëshpërimi për kthimin në shpi nga ajo që prisja në të vërtetë. Në vitin 2008 nëna u diagnostikua me kancer në mitër. Unë kam qenë në klasën e 7-8 dhe në atë periudhë nuk e kam përjetuar shumë, pasi nëna jetonte në Tiranë, unë jetoja në Fier. Ajo bëri një kimioterapi shumë të fortë, i ranë flokët. Por përtej këtyre, ajo i jepte forcë vetes dhe ja doli. Pas 10 vitesh ju rikthye një sëmundje e ngjashme me të parën. Këtë verë ajo u diagnostikua me kancer në gji. Ndryshe nga sëmundja e parë unë këtë herë kam qenë më afër nënës. E kam shoqëruar gjatë gjithë kësaj periudhe. Unë i kam qëndruar shumë afër. Pas operacionit nëna nis kimioterapinë e dytë. Ajo është shumë e dëshpëruar, e rraskapitur, pasi i duhet çdo tre javë të bëjë kimioterapi, shoh dhe një mosdëshirë për të mos e marrë veten.

Gazetarja e “Ka një mesazh për ty”, shkoi në shtëpinë e zonjës Hurma dhe i tha se në telefonin e saj ka ardhur një mesazh, ku e fton që të jetë e pranishme në studio.

E pyetur nga Arditi se kush mund ta ketë thirrur zonjën Hurma në program, ajo tha se mund të jetë mbesa e saj, dhe në fakt kishte të drejtë, pasi ishte Rediola ajo që kishte një mesazh për gjyshen.

Rediola: Unë doja që të të falenderoja për të gjithë sakrificën, kujdesin, jo vetëm kur më ke rritur, por edhe më pas kur isha me prindërit. Ti më merrje në verë për pushime. Ky kujdes ka vazhduar edhe sot kur unë vi tek shtëpia, edhe sot që unë vi tek shtëpia, je ti që ma bën kafen dhe jo unë ty. Unë të falenderoj shumë dhe pres të bësh akoma. Dua të shikoj atë nëna Hurmanë e mëparshme, të dalësh, të bësh byrek, të bësh udhëtime dhe të mos e lesh veten pas dore për shkak të sëmundjes.

Pas mesazhit të Rediolës dhe nënë Hurmja kishte një dëshirë për mbesën e saj.

Hurmaja: Këtë e kam pasur pikë të dobët, ka qenë fëmija i parë i vajzës dhe dashuria ka qenë më e madhe për këtë vajzë, e kam mbajtur, e kam rritur. Unë kërkoj që ajo të vazhdojë këtë rrugë që ka nisur dhe i them që të gjejë shokun e jetës, ja kërkoj unë si gjyshe. Sa të jem unë mirë ta shoh me dikë.

Urojmë që zonja Hurma të jetë e shëndetshme që ta shohë mbesën e saj nuse.

Historia e dytë e “Ka një mesazh për ty” mund të ketë mendime pro dhe kundër, megjithatë ai ka ardhur në “E diela shqiptare”, për të shprehur ndjenjat dhe dashurinë. Ai është Arkeli dhe në rrëfimin e tij tregoi sesi u njoh me Armandën me të cilën sot bashkëjeton edhe pse familjet e të dyve janë kundër kësaj dashurie.

Arkeli: Me Armandën jam njohur në një spital në Durrës, para disa muajsh. Unë isha atje për hallën, ndërsa ajo kishte shtruar vëllain e saj dhe ishin në të njëjtin pavion. Nëpër korridore kam parë Armandën,  ndërsa unë po kërkoja për doktorë. Kam pyetur infermieren lidhur me Armandën nëse ajo ishte e shtuar vetë, dhe infermierja më tha se ka vëllain. Të nesërmen e takoj Armandën dhe i them se ishte vëllai, folëm pak dhe më pas ajo hyri në dhomë. Në mbrëmje ajo u largua nga spitali dhe unë vendosa ta ndiqja, e mësova shtëpinë se ku e kishte. U ktheva më pas tek halla, në spital. Të nesërmen i them që dua të pimë një kafe, tek kafja e spitalit. U ulëm në kafe, biseduam për jetët tona. E pyeta nëse ishte beqare dhe ajo më tha që është e martuar dhe ka dy fëmijë. Duke folur më shumë ajo me tregoi se ishte e divorcuar. Më tregoi për të gjitha vuajtjet dhe bisedat me ish-burrin.  Po, ndërkohë që zemra ime më rrihte fort dhe i thashë të lutem më jep numrin të jemi miq.

Ardit Gjebrea: E doje si mikeshë?

Arkeli: Të nesërmen e mora përsëri në telefon dhe e pyesja për vëllain, doja ti dëgjoja zërin dhe të flisja me atë. Më pas më merrte dhe ajo. Një muaj folëm në telefon, duke e takuar herë pas here në Durrës, duke pirë kafe me të, ndjeva diçka. Ndjeva aq shumë, kisha frikë ti thoja se jam i dashuruar me ty. Nuk e dija si do e priste.

Ardit GjebreaSi ndodhi kjo Arkel, pasi ti je një djalë beqar dhe pa papritmas me një grua me dy fëmijë dhe dy vjet më e madhe se ty. Çfarë ndodh, ndjenja është kaq e fuqishme sa nuk pyet për asnjë gjë?

Arkeli: Duke biseduar siç thashë dhe më herët, unë rashë në dashuri me atë.

Ardit Gjebrea: Cili ishte momenti që ti ja the këtë gjë?

Arkeli: Ja kam thënë kur jam larguar nga Shqipëria dhe ika në Greqi. “Me të vërtetë ika nga Shqipëria, bëra gabim shumë të madh, pasi jam i dashuruar me ty.  Nuk duhet të largohesha nga ty”.

Ardit Gjebrea: Çfarë tha ajo?

Arkeli: Ti je beqar dhe ka plot vajza të tilla, ti duhet të lidhesh me një vajzë beqare. Unë i thashë që kam ndenja shumë për ty, pasi më ka rrahur zemra fort që kur të kam parë. Kam ndenjur 1 muaj në Greqi dhe kam folur gjatë gjithë kohës, në telefon. “Javën e fundit ajo më tha që edhe unë kam rënë në dashuri me ty”.

Ardit Gjebrea: Sa kohë kishte kaluar që nga dita e parë dhe deri këtu….

Arkeli: Një muaj e gjysëm…

Ardit Gjebrea: Po tani sa kohë ka kaluar?

Arkeli: 8 muaj dhe e dua me gjithë shpirt.

Ardit Gjebrea: Cili ishte momenti që ja u the prindërve të tu?

Arkeli: Kur u ktheva nga Greqia, i thashë babit, që jam dashuruar me një vajzë. Dhe më tha shyqyr që je dashuruar. Por ka një problem i thashë, se është e ndarë dhe ka dy fëmijë. U step, dhe tha po të ishte e ndarë dhe mund ta merrje, por me dy fëmijë, pak vështirë. I thashë që dashuria, si me dy, si me pesë fëmijë, i thashë që për dashurinë nuk largohem kurrë. Më pas i tregova dhe pjesëtarëve të tjerë të familjes, nënë, vëllait, gjyshes.

Ardit Gjebrea: Kush është më mirëkuptues?

Arkeli: Vetëm gjyshja…

Ardit Gjebrea: Flet me ta…?

Arkeli: Babai më ka ardhur më ka takuar, e di që ke gabuar më thotë, por për dashurinë tënde mund të bësh çfarë të duash.

Ardit Gjebrea: Të njëjtin problem ke dhe më prindërit e Armandës?

Arkel: Ata thonë që ky djalë beqar të vij që të marri një vajzë më dy fëmijë, si mund të jetojë me të.

Ardit Gjebrea: Më trego pak momentin kur shkove tek familja e Armandës?

Arkel: Kam shkuar vetëm tek shtëpia e tyre, pasi nuk më vinte asnjë nga familja ime. Kjo ka qenë dhe shkaku pse jam zënë më familjen, pasi nuk pranoi asnjë që të më shoqëronte. Ata me refuzua, pasi kisha shkuar vetëm. Ju thashë që jam dashuruar me vajzën tuaj, motrën tuaj, pasi ajo ka dhe vëllezër. Ata më thanë që duhet të shkoja me prindërit, të afërmit. Ika në Durrë, gjeta një shtëpi me qira dhe të nesërmen i thashë Armandës që të merrte fëmijët dhe të vinte të jetonim bashkë.

Ardit Gjebrea: Prej sa muajsh jetoni bashkë? Si të thërrasin fëmijët?

Arkel: Prej 8 muajsh jetojmë bashkë. Fëmijët më thërrasin babi. Kemi raport shumë të mirë. Kur më kanë thirrur për herë të parë babi jam çuditur sesi ka mundësi.

Ardit Gjebrea: Kanë kontakte fëmijët me babain e tyre biologjik?

Arkel: Jo, nuk kanë…

Ardit Gjebrea: Për çfarë ke ardhur sot në studio, çfarë do ti thuash Armandës?

Arkel: Dua ti jap një mesazh për çdo problem që kemi kaluar që madje kemi marrë dhe kërcënime dhe nuk e di se kush, fisi im , apo i asaj nuk e di. Por unë dua ti them që të jemi të lumtur deri në fund të jetës sonë, me dy fëmijët që kemi, por do bëjmë dhe një të tretë. Edhe pse më thotë shpesh që do lodhem, unë do i them sot këtu që kurrë nuk kam për ta lënë dhe do jetoj deri në fund të jetës time me atë.

Gazetari i “Ka një mesazh për ty” shkoi në Sukth për ti thënë Armandes së në telefonin e saj ka mbërritur një mesazh. “Se di kush mund të jetë, por s’mundem”, janë fjalët e Armandës.

Arditit e pyeti Armandën se kush mund të jetë dhe ajo tha, motra e cila jeton jashtë, ose vëllai i vogël, por që në fakt ishte partneri i saj, Arkeli.

Mesazhi i Arkelit

Dashuria ime, çdo gjë kemi kaluar bashkë, çdo problem, debate, apo çdo kërcënim që na kanë bërë po të them sot që ky mesazh është deri në fund të jetës sime. Gjithmonë ke menduar se do vijë një ditë dhe do të lodhem, do të braktis dhe ja ku po ta them sot që do kaloj një jetë më ty. Çdo problem që mund të na dalë përpara do ta zgjidhim bashkë. Të gjitha do i kalojmë bashkë deri në fund të jetës tonë”.

Armanda: E dua shumë dhe ai është gjithë forca ime.

Ardit Gjebrea: Ai na tregoi për historinë tuaj, njohjen dhe gjithçka. Na tregoi që ende nuk keni konsensusin e prindërve. Arkeli preferoi të të sillte ty sot këtu dhe jo prindërit për të treguar që nëpërmjet këtij mesazhi se sa e fortë është dashuria juaj. Ndonjëherë rrethanat jo vetëm që pengojnë, por ndonjëherë ndihmojë për të krijuar një lidhje të fortë që mund të zgjasë përjetë. Ky është një mesazh shumë i bukur për dy familjet tuaj që ata shikojnë dashurinë tuaj dhe lidhjen tuaj.

Më pas Armanda dhe Arkeli dhanë një mesazh për familjet e tyre.

Armanda: Familjes i them që të mos ketë frikën për asnjë gjë, pasi zgjedhja që unë kam bërë që Arkeli është personi i duhur dhe më ka sjellë vetëm gjithmonë lumturi.

Arkeli: Këtë vajzë që është këtu e dua dhe do ta dua gjithmonë dhe pres që familja të vijë të na shikojë dhe të bashkohemi të dy familjet dhe e imja dhe e Armandës.

Dashuria triumfon gjithmonë përtej gjithë peripecive dhe pakënaqësive. Nëse dy njerëz duhen me shpirt ata bëjnë të pamundurën për të qëndruar me njëri-tjetrin dhe rasti i Arkelit dhe i Armandës ishte një shembull shumë i bukur.

Fati është i shkruar, nuk e ndryshojmë dot!/tvklan.al

REKLAMA
loading...

KOMENTO

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.