Para një viti ju kemi infomuar se Netflix, platforma globale “streaming” që tashmë është në dominimin e botës duke ndryshuar mënyrën e të ndjekurit televizion, do të sillte së shpejti në bashkëpunim me kompaninë e produksioneve O3 Medya, serialin e parë origjinal turk në gjigandin video-streaming.
Tashmë ka të reja, dhe mesaduket Netflix ka nisur xhirimin e serialit të parë turk i cili do të titullohet “The Protector” (Mbrojtësi).
Seriali është i bazuar në librin Karakalem ve Bir Delikanlının Tuhaf Hikayesi i shkruar nga Ipek Gokdel me krijues Alex Sutherland dhe producent menaxhues Onur Guvenatam. Drejtues të filmit janë turqit Can Evrenol, Umut Aral, Gonenc Uyanık, dhe Gökhan Tiryaki. Në skenarin e serialit si skenarist janë Ipek Gokdel, Atilla Unsal dhe Askim Ozbek.
Në rolin kryesor të filmit si Mbrojtësi i Stambollit, Hakan, do të jetë aktori i njohur Çağatay Ulusoy. Okan Yalabik si Faysal, një biznesmen i suksesshëm të cilin Hakan e admiron. Aktorja Turke Hazar Ergüçlü do të jetë në rolin e Zejnepes, mikeshës së ngushtë të Hakan. Ndërsa në rolet e tjera do të jenë Ayça Ayşin Turan si Lejla, menaxherja e kompanisë së Faysal dhe vazja me të cilën Hakan ka rënë në dashuri. Mazhar, dora e djathtë e Faysalit do të luhet nga aktori Mehemet Kurtulus.