RTSH do t’ju japë fëmijve shqiptarë një kanal televiziv vetëm për ta. Ai do të quhet “RTSH Fëmijë” dhe do të fillojë transmetimet në festën e fëmijëve, në datën 1 Qershor. Programacioni i tij është pa ndalesë prej 24 orësh dhe u kushtohet vetëm fëmijëve nga mosha 2-15 vjeç. Ela Gjoni e “RTSH Fëmijë” thotë se veçantë e këtij kanali të ri është transmetimi i krijimeve për fëmijë që RTSH ka realizuar në vite. Bëhet fjalë për teatrot e kukullave, filmat vizatimorë, por do të ketë edhe klasikët e mëdhenj ndërkombëtarë për fëmijë “Tomi dhe Xherri” , “Garfilld”, Maçoku me çizme etj. Sipas Gjonit fëmijët e sotëm do të kenë mundësi të kthehen në kohë për të parë filmat dhe programet që kanë parë prindërtit, apo edhe gjyshërit e tyre kur kanë qenë fëmijë.
Teksa fëmijët e sotëm do të kenë mundësi të njihen më mirë e të shohin mjaft prej asaj që kanë parë e mënyrës se si janë edukuar në fëmijëri prindërit e tyre, a do të krijojë “RTSH Fëmijë” edhe programe të reja për ta? Ela Gjoni redaktore e “RTSH Fëmijë” thotë se një nga synimet e kanalit më të ri të RTSH është të ketë edhe prodhime që mbajnë vulën e tij.
“RTSH Fëmijë” nis më 1 qershor duke ju bashkuar platformës digjitale të RTSH prej 11 kanalesh që është prej kohësh në transmetim në një cilësi të lartë HD në të gjithë vendin.
https://www.youtube.com/watch?v=KH73QCei8LQ