Vitet ikin ujë, por e rëndësishme është të mos rrjedhin ashtu pa dashje. Për Ornela Bregun 11 vitet që kanë kaluar nga dalja e fundit si moderatore e “Portokalli”-së nuk kanë qenë kohë boshe, por eksperienca të mjaftueshme për rikthimin e duhur në ekran, si moderatore e “E Diell” në “Top Channel”. Tashmë me më shumë pjekuri profesionale rivjen në ditën e shtatë të javës, siç ka bërë gjithnjë. Nëna e një vajze 14 vjeçe dhe djalit 6 vjeç rrëfen emocionet e moderatores së sprovuar të të dielave, kësaj here në format familjar.
Pas 11 vitesh do të të rishohim në ekranin e “Top Channel” në pozicionin e moderators së programit e “E Diell”. Ishe ti që e kërkove një rikthim si ky, apo drejtuesit e këtij televizioni të bënë ofertë?
Mund të them se ky ishte momenti kur dëshira përputhet me ofertën në këtë rast. E ky është format ku ke mundësi të shpërfaqesh si moderatore në shumë drejtime.
Nga një show humori si “Portokalli”, kësaj here në një program familjar, ku bisedat e shtruara dhe të ftuarit do të na bëjnë shoqëri në këtë ditë pushimi. Të shkon për shtat “E Diell” në këtë fazë të jetës?
Të paktën nuk u jam shkëputur “të dielave” në karrierën time televizive, duke nisur që me “Telebingo Kombëtare”, “Portokalli” e tashmë “E diell”. Sigurisht që formimi e përvoja jetësore të bëjnë të jesh më e plotësuar për të arritur nivele profesionale të pritshme. Këtu temat, diskutimet do të jenë mjaft të larmishme, do të përfshijnë grupmosha të ndryshme. Kështu them se gjithkush do ta gjejë veten në rubrikat e ideuara me mjaft kujdes nga autorja e programit.
Një lloj rikthimi mund të konsiderohej pjesëmarrja jote në “Dancing with the stars” para dy vitesh. Për ty është më e thjeshtë të jesh një “yll” që bën show dhe vazhdon jetën, apo të mbash peshën e një programi me shumë skena e mizanskena?
Aaaa, jo! Unë jam për gatimin dhe ngrënien në shtëpi gjatë gjithë ditëve. Një ditë në fundjavë të shijoj gatimin në restorant (qesh). Pra, dua të them se puna që vlerësoj, është ajo që bëj përditë me përgjegjësi. Daljet herë pas here në ekran për mendimin tim janë mbushje hapësirash.
Cili do të jetë roli yt në “E diell”, do të provosh pasionet e tjera si këngën e kërcimin?
Në këtë program me kohëzgjatjen më të madhe në ditën e diel, do gjendet momenti për të kënduar ndonjë refren kënge apo improvizim lëvizjeje.
Në këtë rrugëtim televiziv nuk do të jesh vetëm. Çfarë karakteristikash duhet të ketë partneri yt për një dyshe harmonike?
Partneri televiziv, ashtu sikurse dhe lirshmëria, harmonia, qoftë dhe ironia deri diku, janë po aq të rëndësishme sa dhe vetë formati. Unë jam bashkëvepruese si në jetë, ashtu edhe në ekran.
Meqë i ke provuar edhe ekranin dhe punën jashtë kamerave, cilat janë avantazhet kur të njohin të gjithë dhe avantazhet e jetës së paekspozuar?
Rëndësi ka që je e realizuar në çdo fushë që ke zgjedhur.
Në fotot e publikuara në rrjetet sociale bie në sy trupi në formë duke përmbushur këtë kriter për të qenë në ekran. Si i ruan linjat?
Ju falënderoj! Jam marrë me punë, shëtitje, rregullime, ashtu siç të merr rrjedha e jetës. Dhe në fund, do e gjej pak kohë për ushtrime fizike ekstra.
Intervista Plus
E diela në përfytyrimin tënd është një ditë e bukur me diell, apo ditë e zymtë që të bën të ndihesh bosh?
Në këtë kontekst, e diela do të vazhdojë të jetë me diell në mënyrë që të përçojmë nëpërmjet ekranit sadopak ngrohtësi edhe në ditët e zymta të dimrit.
Cila do të ishte një këshillë motivuese që do transmetoje të dielave për shtëpiaket e dëshpëruara, dhe një tjetër për karrieristet e parehatuara?
Që të na ndjekin. Rubrikat e ndryshme do të na përfshijnë të gjithëve dhe do të kalojmë një të diel kënaqësish dypalëshe.
Familja është strehëza që të bën të harrosh botën, apo vendi ku gëlojnë të gjitha problemet?
Familja është ai vend, ku ti shfaq cilësitë e mira apo të këqija që mbart si individ. Këtu gëzohesh, lumturohesh, shqetësohesh, zhgënjehesh, përditësohesh. E është kjo strehëz që të mbron dhe të mbështjell për të dhënë sigurinë e çdo dite që kalon.
Në kaq vite e ke gjetur qetësinë shpirtërore, apo jeta është e mbushur me dilema që të vënë shpesh në provë?
Një shprehje thotë: ”Cila është gjeja më e bukur në botë? Jeta. Cila është gjëja më e vështirë në botë? Prapë jeta.
Për dy fëmijët e tu je mama posesive, liberale apo shoqe?
Unë jam një mama me të tria këto cilësi. Vetëm se gjej momentin e duhur kur t’i përdor.
Si një zonjë me statusin “e martuar”, mendon se martesa çdo ditë e më shumë po rrezikohet, apo di sekretet e martesës së qëndrueshme?
Pyetje e bukur. Ja një temë, diskutim i lirë për t`u sugjeruar tek autorët e programit.
Beson te bukuria në çdo moshë, apo me rininë ikën dhe ky atribut?
Po e marr si pyetje për bukurinë dhe rininë shpirtërore njerëzore. Lum ai ose ajo që arrin ta përçojë atë edhe në portret!
E ke njohur pikën tënde më të fortë si femër, po atë të dobët?
Pika e fortë dhe e dobët janë shumë afër me njëra-tjetrën. “Loti” shpesh është edhe lot gëzimi, edhe hidhërimi.
Sipas teje aktualisht bota vërtitet rreth femrës apo rreth mashkullit?
(Qesh) Jam e lumtur që vërtitet rreth homo sapiens.
Burimi | Panorama / KLOTILDA HARKA