Premier League i rikthehet publikut falas

Premier League zyrtarizoi një vendim historik, të bazuar në dëshirën dhe vullnetin për t’u qëndruar pranë njerëzve besnikë të futbollit, tifozëve dhe familjeve, pas disa muajve traumatikë të kaluar mes izolimit dhe frikës qe ngjalli Covid-19 në Britaninë e Madhe. Që prej vitit 1992, ndeshjet e Premier League nuk transmetoheshin pa pagesë. Por nëpërmjet një vendimi të paprecedentë, që mori menjëherë konfirmimin e të gjithë aktorëve, një e treta e sfidave të mbetura që do të rinisin pas 17 qershorit, do të ndiqen pa pagesë nga ekrani i televizorit. Fillimisht u mendua se të gjitha ndeshjet do të zhvendoseshin në paketa falas. Por në fund u arrit marreëeshja që ”Sky Sport” të transmetojë 25 sfida pa pagesë dhe 4 të tjera i kanë kaluar televizionit publik BBC.

Mediat britanike e cilësojnë një zhvillim shumë të rëndësishëm këtë hap të hedhur nga Premier League, platformat dhe Qeveria, pasi në këtë mënyrë njerëzit në pamundësi ekonomike, kanë mundësi të ndjekin nga shtëpia skuadrat e tyre të preferuara, por njëkohësisht, evitohen grumbullimet në afërsi të stadiumeve. Një vend më konservaror në përqasjen sociale ndaj publikut të gjerë është edhe Italia, ku ministri i Sporteve, Vincenzo Spadafora, po ushtron presion që televizionet me pagesë të bëjnë nje hap pas për t’u dhuruar italianëve nje paketë të arsyeshme falas pas e muajve të gjatë dhe sfilitës financiarisht dhe moralisht. Palët janë ende në bisedime, por tashmë duket se mungon vetëm firma që Serie A të ndjekë shembullin e Bundesligës, për transmetimin e golave në kanale pa pagesë. Firma duket se është thjeshtë çështje orësh. Italia fqinje, ashtu si Anglia e largët, japin shembuj të qartë solidarizimi.