Range Rover feston 50-vjetorin

Prodhuesi legjendar britanik, Range Rover, dje festoi 50-vjetorin.

Range Roveri i parë u prodhua më 17 qershor 1970 dhe në versionin e parë kishte dy dyer.

Ideja ishte që blerësve, pos Land Roverit klasik e më pas edhe Defenderit për rrugë malore, t’u ofrohej një makinë e sofistikuar edhe për qytet.

Kompania më 1981 nxjerri në treg makinën me katër dyer.

Gjenerata e parë ishte aq e suksesshme sa që qëndroi në treg për 25 vjet, derisa më 1995 u prezantua modeli Range Rover “P38A”, i cili sipas dizajnit dhe funksionalitetit ndante të njëjtin filozofi me modelin paraardhës.

Gjenerata e tretë doli në treg më 2003, me zbulime tjera, ndërkohë që për herë të parë u prezantua edhe Range Rover Sport.

Gjenerata aktuale, e katërta, ka debutuar në treg më 2013. Bëhet fjalë për Range Roverin me të sofistikuar nga ana teknologjike dhe me konstrukt nga alumini. Falë kësaj, makina është më e lehtë për 450 kg krahasuar më paraardhësin.

Me rastin e 50-vjetorit, kompania britanike ka prezantuar modelin special Range Rover “50”. Do të prodhohen vetëm 1970 makina, duke iu referuar vitit të prodhimit të parë.