Bota e artit dhe kinematografisë shqiptare është në zi. Është ndarë nga jeta në moshën 66-vjeçare aktorja Rezana Çeliku, një prej portreteve të njohura të ekranit shqiptar, veçanërisht gjatë viteve ’70 dhe ’80.
Lajmi për ndarjen e saj nga jeta ka sjellë trishtim mes artdashësve dhe publikut që e kujton për interpretimet e saj në disa prej prodhimeve të kinematografisë shqiptare.
Rrugëtimi i Rezana Çelikut drejt ekranit nisi në një mënyrë të veçantë. Edhe pse nuk kishte një formim profesional si aktore, natyrshmëria, elokuenca dhe prezenca e saj tërhoqën vëmendjen e regjisorëve të kohës. Përpara roleve në kinematografi, ajo ishte shfaqur edhe në Televizionin Shqiptar, ku kishte prezantuar festivale rinore.
Publiku e kujton ndër të tjera për interpretimin e një partizaneje në filmin “Ata ishin katër”, me regji të Kujtim Çashkut, ndërsa një tjetër rol i saj ishte ai i mësueses në filmin “Shokë të një skuadre”.
Në vitin 1989, Çeliku u shfaq në filmin “Një djalë dhe një vajzë”, ku interpretoi rolin e një centralisteje të përfshirë në një marrëdhënie me një djalë më të ri. Personazhi konsiderohej i guximshëm për realitetin shoqëror dhe kinematografinë shqiptare të asaj periudhe.
Ky do të ishte edhe interpretimi i saj i fundit në kinematografi.
Edhe pse rrugëtimi i saj në ekran nuk ishte ndër më të gjatët, Rezana Çeliku mbeti një nga ato figura karakteristike të kinemasë shqiptare që vazhdojnë të kujtohen nga publiku edhe dekada më vonë.
Me ndarjen e saj nga jeta në moshën 66-vjeçare, kinematografia shqiptare humbet një tjetër prej portreteve të një brezi që la gjurmë në historinë e filmit shqiptar.








