Në ditët e ftohta të ndërrimit të viteve, audienca është “ngrohur” nga programet e shumta që i kanë mbërthyer shikuesit përpara televizorit. Nga humori, spektaklet apo serialet televizive, gara mes kanaleve kryesore ka qenë e fortë, sipas të dhënave nga kompania e matjes së audiencës, Telemetrix, për pesë mbrëmjet, nga data nga 31 dhjetor 2014 deri në 4 janar 2015. Dhe fituesi në tre nga pesë mbrëmjet ka rezultuar Top Channel, ndërsa trofeun për një ditë e kanë mbajtur përkatësisht Vizion Plus dhe Tv Klan. Humori ka qenë dukshëm preferenca e audiencës së fundvitit.
Ndërrimi i viteve me “Autoktonus”
Me traditën tashmë të konsoliduar të aktorëve të Portokallisë, programi i këtij viti “Autoktonus” ka kapur majat e audiencës së gjithë periudhës së marrë në reference (31 dhjetor-4 janar), duke arritur një rating maksimal deri në gati 30%. (Rating – tregon shikueshmërinë gjatë një fashe kohore apo programi televiziv, e shprehur kjo si përqindje e totalit potencial të audiencës; pra duke përfshirë edhe familjet që nuk janë duke parë televizor). Humori i Top Channel ka arritur të mbajë lart audiencën edhe pas mesnate.
“Hajt se Folim”, programi I ri në TV Klan, edhe ai dedikuar humorit, është “kënaqur” me rritjen e audiencës në momentet kur Top Channel transmetonte spote publicitare, duke arritur një rating maksimal prej 14%.
Ndërsa humori i programit të Vizion Plus ka qenë zgjedhja e tretë për shikursit në natën e ndërrimit të viteve, me një rating makimal prej 7.5%.
Në mbrëmjen e 1 janarit, shikueshmëria ka qenë më e ulët se në natën e ndërrimit të viteve. Humori ka qenë sërish preferencë, por vëmendja ka kaluar tek Vizion Plus, me emisonin “Al Pazar”, me një rating maksimal prej 12.7%.
Nga audienca maksimale në 31 janar, Top Channel ka zbritur ndjeshëm, duke kapur një rating që nuk e ka kaluar 2% në kohën e transmetimit të emisionit Top Show magazine. Audiencë të ulët kishte dhe ritransmetimi i “Këngës Magjike” në TV Klan.
Më herët, nga ora 20.00-21.00, vëmendja ka qenë e lartë në TV Klan, në programin Video Festive.
2 janar, audienca i shkon “The Voice”
Finalja e shfaqjes së talenteve “The Voice” ka tërhequr vëmendjen e shikuesve në mbrëmjen e 2 janarit, me një audiencë maksimale prej 10%.
“Zonë e lirë” më TV Klan ka qenë zgjedhja e dytë e shikuesve deri në momentin që ka mbaruar “The Voice”, për të kaluar i pari pas orës 24.00 të mbrëmjes.
3 janar, mbizotëron pasioni i gatimit
Në festat e ndërrimit të viteve, me tavolinën plot përpara, shikuesit nuk kanë ngurruar të ndjekin “Mastershef” programin e gatimeve në Top Channel, që ka arritur një audiencë maksimale prej gati 18%, duke qenë programi me rating më të lartë pas “Autoktonus” për Top Channel.
“Gjeniu i Vogël” në TV Klan ka pasur një rating të ulët, maksimumi në 5%.
4 janar, vëmendja të finalja e “Kurti dhe Sura”
Ndonëse nuk mbaroi me një finalizim të dashurisë mes Kurtit dhe Surës, telenovela turke e transmetuar në TV Klan ka arritur audiencën kryesore në mbrëmjen e të dielës, me një rating maksimal prej 18.4%, duke qëndruar lart në raport me mbrëmjen gala të Top Channel.
Pas “Al Pazar”, audienca e Vizion Plus është ulur ndjeshëm me zgjedhjen e tij për transmetimin e serive të Piratëve të Karaibeve.
“Kompania ka investuar gjerësisht në krijimin dhe prodhimin e një matësi elektronik – TiViMat (koncepti i ‘peoplemeter”) si dhe në programimin e një ‘software’ të fuqishëm për realizimin e matjes së shikueshmërisë televizive. Skuadra e ‘Telemetrix’ ka projektuar dhe zhvilluar të gjitha platformat e monitorimit dhe raportimit të të dhënave të shikueshmërisë për përdorim të klientëve të saj
Qe prej shtatorit 2014, “Telemetrix” ka një panel prej 375 familjesh të përzgjedhura rigorozisht sipas kritereve të paracaktuara, të vendosura në 7 qytete kryesore të Shqipërisë; Tirana, Durrësi, Elbasani, Shkodra, Fieri Berati dhe Korca.
Baza e të dhënave të gjeneruara nga “Telemetrix” është “në nivel minute; “Rating per Minute” në nivel familjeje (household).













