Edhe pse është një nga kategoritë e bizneseve që ka qëndruar hapur me vendim qeverie edhe në këtë kohë pandemie, tregu imobilar ka pësuar një goditje të ndjeshme nga COVID-19. Sipas agjentëve imobilar, shitjet gjatë kësaj periudhe kanë qenë zero, pasi nuk kanë pasur kë të ndërmjetësojnë, në këtë mënyrë transaksionet e blerjeve dhe të shitjeve së pasurive të paluajtshme në këta dy muaj karantinë janë reduktuar.
“Është pak e dhimbshme por kemi qenë zero me aktivitet. Ka qenë shumë e pamundur pasi edhe ndonjë kërkesë që mund të kishte për shoqërim nëpër prona ne nuk mundeshim sepse dhe vetë ishim të kujdesshëm, por edhe palët shitëse kishin siklet që të pranonin shoqërimin në ambientet e tyre pasi ruheshin nga infektimi”, thotë agjenti imobilar Redian Bregu.
Por pavarësisht kësaj situate të shkaktuar agjenti imobilar Redian Bregu thotë se çmimet kanë mbetur në të njëjtin nivel që ishin, pavarësisht se në një gjendje të tillë duhet të uleshin.
“Shqipëria ka qenë gjithmonë tregu i çudirave në një kohë kur ekonomia nuk është pozitive, çmimet janë goxha të kripura për klientët. Mund të them që në Agjencitë Imobilare çmimi minimal është 250 euro mund të gjesh edhe 200 euro, por minimali është 250 euro për një apartament 1+1. Ndër zonat më të kërkuara mbetet Komuna e Parisit pasi ka pasur një urbanizimin të mirë dhe me çmimet është mbi mesatare por që ofron, është rruga e Kosovarëve, zonë e shtrenjtë por e kërkuar është Blloku pasi aty po përqendrohen dhe më shumë zyrat. Ndërsa zona për banim mbetet fresku dhe Astiri ku çmimet janë më ekonomike”, shprehet Bregu.
Po ashtu Bregu thotë se në këtë kohë pandemie të shumta kanë qenë rastet kur klientët kanë vendosur të prishin kontratat me qiradhënësit për shkak të mungesës së të ardhurave. Ai shton se me fillimin e aktivitetit normal fillimisht do të mundohet të rikontaktojnë kërkesat që kanë pasur aktive si dhe do të negociojnë me personat shitës.
B.K./d.ba./