Dwayne “The Rock” Johnson shpallet aktori më i paguar mashkull nga Forbes

Dwayne “The Rock” Johnson është për të dytin vit rresht aktori më i paguar mashkull. Sipas revistës Forbes ish-mundësi ka fituar 87,5 milionë Dollarë prej 1 Qershorit 2019 deri më 1 Qershor 2020. 23,5 milionë i ka bërë vetëm prej filmit Red Notice.

Paratë janë shtuar në xhepat e “The Rock” edhe prej linjës së tij të veshjeve sportive, Project Rock. Top 10 aktorët më të paguar këtë vit kanë bërë sëbashku rreth 550 milionë Dollarë. Çereku i këtyre parave kanë ardhur vetëm nga Netflix, sipas Forbes.

Ryan Reynolds është aktori i dytë më i paguar mashkull. Vitin e kaluar ai ka fituar 71.5 milionë Dollarë. I treti në listë është Mark Wahlberg me 58 milionë Dollarë. Ben Affleck vjen i katërt, ndërsa Vin Diesel i pesti.

Në vendin e gjashtë është aktori indian Akshay Kumar, me 48.5 milionë Dollarë. Në listë janë Lin Manuel Miranda, Will Smith, Adam Sandler dhe Jackie Chan.

Ende nuk është bërë publike lista e aktoreve më të paguara femra. Vitin e kaluar në krye të listës ishte Scarlet Johansson me 56 milionë Dollarë fitime.