Kupa e natës së tretë në “Dance With Me” u rrëmbye nga Nard Ndoka dhe Greta Koçi, për të dytën herë. Kjo kupë erdhi edhe si një dhuratë për Gretën, me rastin e 25-vjetorit të lindjes së saj.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, edhe sonte “Dance With Me” spektakli që transmetohet vetëm në ekranin e Televizionit Klan, përcolli mjaft emocione.
12 çiftet u ngjitën me radhë në skenë, duke sjellë performancat e tyre.

Çifti i parë që hapi natën e tretë këtij superspektakli ishte Jessy dhe Vicky, të cilët sollën mjaft atmosferë me vallëzimin e tyre. Ata u pasuan nga Bora dhe Albani, të cilët u mirëpriten gjithashtu nga publiku dhe juria dhe me duartrokitje.

Nuk kanë munguar sigurisht as polemikat në këtë spektakël, ku “kryefjalë” e tyre ka qenë anëtari i jurisë, Robert Aliaj.

Pas interpretimit të një kënge greke nga Renato, ka reaguar menjëherë Aliaj, duke dalë kundër të gjithëve. Për të kjo ishte diçka e papranueshme, gjë e e cila e irritoi.
“Asnjë grek s’do këndonte shqip në Greqi, kurse një shqiptar erdhi e këndoi këngë greke këtu,” tha ai.
Renato & Laura kanë qenë çifti i cili ka mbyllur konkurrimin.

Në një transmetim të drejtpërdrejtë në ekranin e Televizionit Klan, “Dance With Me” rikthehet sërish të hënën e ardhshme në orën 20:15.








