Emri i tij është i njohur në të gjithë botën ku luhet muzika më e mirë disco dance. Nën lëkuren e tij vlon gjaku shqiptar dhe nën zemrën e tij ai ka shqiponjën dykrenare simbolin kombëtar. Muzika e tij po bën xhiron e globit duke u vlerësuar dhe dëgjuar kudo. Këngëtar, kompozitor, Dj, Claydee Lupa është një emër tjetër që na bënë të ndihemi krenar. Ai ende nuk ka arritur të realizoj një këngë në gjuhën shqipe, po për të kjo gjuhë nuk krahasohet me asnjë gjuhë tjetër në botë. Një djalë i talentuar që shumë vende do na kishin zili për artin që ai bën. Kënga e tijë “Mamacita buena” u shëndërrua në hitin e verës 2012 duke kryesuar top listat e chart-eve muzikore ndërkombëtare. Po keshtu hiti “Last Summer” kenduar nga Ncko mban firmën e tij. Ekskluzivisht për Info Media – Albania, për herë të parë për një media shqiptare online, Claydee Lupa ka rrëfyer gjatë jetën, eksperiencat në muzikë, karrierën dhe projektet e reja.
Claydee Lupa është emri me të cilin ju njiheni në industrinë muzikore por cili është emri juaj i vërtetë?
Emri im i vërtetë është Klajdi Lupa. Claydee është emri i artit i përshtatur për shqiptimin në anglisht, edhe pse deri në momentin që fillova karrierën kam përdorur emrin shqiptar. Shkruhet ndryshe por mbetet, gjithësesi i njëjtë, shqiptar.
Si lindi pasioni juaj për muzikën?
Deri në moshën 15 vjec isha i bindur se do të bëhesha doktor deri në momentin kur u regjistrova në një shkollë latine kërcimi pritëshmëritë e mija ndaj vetes morrën tjetër rrugë. I shtyrë edhe nga të miqtë filluam të angazhoheshim në shfaqje në të gjithë Greqinë, kjo do të ishte dhe puna ime e parë për të cilën paguhesha. Më pas, nga ai moment kuptova që kisha diçka në vetëvete që nuk e kisha kuptuar, e ndjeja shumë muzikën, kisha lindur për t’u marrë me muzikë.
Ju jeni shqiptar por karriera juaj ka nisur në shtetin fqinj Greqi. Pse kjo zgjedhje?
Ashtu si e kam thënë që në intervistën e parë në Greqi, unë kam lindur në Shqipëri dhe kam ardhur në moshën 4 vjeçare në Greqi, ku u rrita dhe vazhdoj të jetoj dhe prodhoj muzikën time.
Sa e vështirë ka qënë të arrinit suksesin në Greqi si nje nga artistet më të mirë të momentit edhe pse dihej origjina juaj shqiptare?
Jo e vështirë, por shumë e vështirë sepse unë e fillova vetëm karierën pa pasur as ndihmën më të vogël, pa njohur asnjë në rrethin e muzikës. Që të jem i sinqertë nuk kam kujt ti them faleminderit përsa kam arritur përveçse vetes time. Falë dëshirës, vendosmërisë, vullnetit për atë që beson dyert të hapen vetëvetiu pa ndihmën e askujt.
Producenti më i mirë në shtetin fqinj, bashkpunime të mëdha me artistët më të mirë të momentit. Si ja keni dal ti përballoni këto suksese?
Si ja kam dal? (Qesh) Nga kjo kuptohet që jam shqiptar, nuk e di por unë tani që vij më shpesh në Shqipëri dhe njihem me shumë persona vërej që kemi një energji të paparë, jemi një popull që i vëmë kushte vetes dhe bëjmë të pamundurën të arrijmë aty ku duam. Shikojmë shumë lart, ndoshta kjo më ka bërë që të mos e lë përgjysëm diçka që e nis, sado e vështirë të jetë.
Kënga juaj më e dëgjuar është ”Mamacita Buena”. Si u realizua ajo? E prisnit që do bëhej në një hit në të gjithë botën?
Kur shkruaj një këngë asnjëherë nuk mendoj se si do shkoj. Një natë kisha dal me disa shokë nga Kuba, me të cilët kërcenim bashkë kërcimin latin, aty kalon një vajzë e bukur dhe ai i thotë: “-oooww mamacitaa “dhe unë në moment e pyes çdo të thotë “Mamacita” ai më thotë një femër shumë e bukur. Në atë moment i thashë e gjeta titullin e këngës që do bëj sepse kjo fjalë mu fiksua dhe rreth kësaj unë krijova këngën për femrat e bukura.
Në Shqipëri nuk keni ardhur akoma me një këngë në gjuhën shqipe, e keni menduar të realizoni një të tillë?
Fansat më shkruajnë dhe pyesin gjithmonë se kur do të realizoj një këngë në shqip. Me zemër që në fillim të karrierës do doja ta kisha shkruar, e kam menduar gjatë e nuk kam dashur të nxitohem, por mendoj se tani ka ardhur momenti, tani që këngët e mija dëgjohen në gjithë botën është momenti më i mirë që muzika ime të përhapet dhe në Shqipëri. Ndoshta po nxitohem që për herë të parë po bëj parashikime, por kënga në shqip dhe në anglisht që kam vendosur të realizoj në bashkpunim me Ermal Mamaqin do jetë ajo që do kaloj çdo pritëshmëri. E ndjej dhe besoj shumë se ju materiali i afrohet shumë shqiptarëve, duke menduar sa popull i çiltër jemi, pra do relizohet një këngë edhe në shqip shumë shpejt.
Keni vendosur të sillni projektin tuaj të parë për tregun muzikor shqiptar me Ermal Mamaqin? Si lindi ky bashkëpunim?
Ermalin ndodhi që ta njoh më nga afër, më dha përshtypjen se ne përshtateshim shumë dhe më kryesorja është që unë kisha filluar t’a ndjek edhe profesionalisht, kur e takova nuk e mendova gjatë. Nga biseda me të mendova se çiltërsia e shqiptarëve dhe humori që kemi përfaqësohej më së miri nga Ermali, kjo më bindi se vetëm me të do mundja të realizoja atë që unë kisha në mëndje.
Të tjera bashkëpunime të afërta janë edhe me artistë të arenës ndërkombëtare si Avicci dhe Faydee. Si lindën këto bashkpunime?
Nëpërmjet Twiter lidhem kur shikoj diçka interesante që më pëlqen. Me Faydeen më tërhoqi emri sepse ngjan me timin, pra unë bëra hapin e parë dhe kënga u realizua dhe për 10 ditë publiohet.
Karriera juaj numëron disa çmime si në Greqi e deri në Amerikë e Kanada. Cili është çmimi më i rëndësishëm deri më tani?
Cdo çmim për mua ka qënë i rëndësishëm por dy çmimet që mora në Poloni, për mua deri tani janë më të rëndësishëm dhe të paharrueshëm. Isha i ftuar pothuajse çdo javë për të performuar dhe në përfundim jam surprizuar dhe emocionuar kur kam parë dy trofetë, një si artisti më i mirë në Poloni dhe çmimi tjetër për këngën më të bukur “Sexy Papi”.
Ëndrra e çdo artisti është të preki skena të mëdha. A e ka endërruar ndonjëherë Claydee pjesëmarrjen në evente si America Music Awards dhe pse jo të rrëmbeni një çmim?
Sigurisht që gjithmonë ëndërroj të arrij dhe të pa arritëshmen por besoj se është dhe ëndrra e çdo artisti kjo.
Keni një shikueshmëri dhe miliona klikime në Youtube. A e konsideron Claydee Youtube-in një matës të mirë të suksesit të tij?
Sigurisht, Youtube është një element i rëndësishëm i kohëve të fundit për industrinë muzikore duke thyer kufijtë e gjeografike për njohjen e artistëve nga vende të ndryshme të botës.
E ndiqni muzikën shqiptare, cili artist i afrohet më shumë shijeve tuaja?
E ndjek muzikën shqiptare sepse shokët e mi më të ngushtë janë shqiptar dhe ma bëjnë më të lehtë dëgjimin e kësaj muzike. Pa dyshim ka shumë të talentuar, por siç e thashë më lart Mamaqi është më afër shijeve të mia sepse ka edhe humorin brënda, i cili më karakterizon dhe mua.
Këngët tuaja janë gjithmonë në gjuhën angleze. Eshtë një zgjedhje komerciale apo personale?
Arsyeja që unë shkruaj në anglisht është një zgjedhje e imja personale. Kam zgjedhur gjuhën ndërkombetare për të përcjellë muzikën time me ndërgjegjjen për të kënaqur dhe mos patur hatërmbetje as nga vëndi që unë linda dhe as nga vëndin që ku rrita.
Ju keni studion tuaj muzikore Down2Earth Music, ku kanë regjistruar shumë këngëtar të njohur, sa avantazh ka Claydee nga kjo ndërrmarje?
Studio time Down2Earth Records më lehtëson shumë në punën që bëj, e bëra që unë ti nxjerr këngët e mia kur të dua dhe si të dua, pra nuk doja të isha i varur nga kompanitë e produksionit.
Më mirë producent, Dj apo këngëtar, ku gjendet më mirë Claydee?
Të tre e gjej të plotësuar veten, nuk mund t’i ndaj.
Fansat tuaj janë të shumtë në të gjithë botën, si është mardhënia juaj me ta?
Besoj se kam marrëdhënie të mira, mundohem të komunikoj me ta. Mesazhet e fansave në faqen time i lexoj gjithmonë dhe sa kam mundësi përgjigjem dhe sikur me vonesë sepse dua të kem një kontakt të drejtëpërdrejtë me ta, më japin shumë energji pozitive dhe për këtë i falenderoj shumë, shumë.
A jeni i dashuruar?
Unë gjithmonë jam i dashuruar dhe kjo më ndihmon të jem gjithmonë i frymëzuar, më ndihmon shumë në punën time.
Në disa media u përfol shumë për lidhjen tuaj me një ndër këngëtaret më të mira në Greqi, Helena Paparizou. Cila është e vërteta e këtij lajmi rozë?
Nuk është aspak i vërtetë! Me Elena Paparizou nuk kam pasur asnjë lidhje, përveç faktit që kemi bashkëpunuar në projekte të ndryshme muzikore, asgjë më tepër.
Projektet tuaja më të reja, nëse mund të na zbuloni ndonjë?
Tani për tani, pres të dal vidoklipi i këngës “Who” me Faydee dhe më pas bashkëpunimi me Ermal Mamaqin, kaq për momentin.
Një mesazh për fansat tuaj dhe lexuesit e Info Media Albania?
Unë fansave do doja t’ju thoja që i falenderoj jashtë mase dhe nga zemra për mbështetjen dhe ju jap fjalën që me këngët e mija do t’i bëj të udhëtojnë, të dashurojnë dhe të qetësohen nga notat e ëmbëla.
EKSKLUZIVE IMA / Intervistoi G. Qerimi