Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) në Kosovë vendosi që të ndërpresë mësimin plotësues për klasat e nënta. Ky vendim vjen pas shtimit të rasteve me koronavirus, si dhe për faktin se këto institucione nuk plotësuan masat mbrojtëse.
Kujtojmë se më 8 qershor, në Kosovë nisi mësimi plotësues për këto klasë – pas disa muajsh ndërprerjeje për shkak të pandemisë së koronavirusit – me qëllim që nxënësit të përgatiteshin për testin e arritshmërisë, por kjo gjë zgjati vetëm pak.
“Edhe përkundër përgatitjeve jashtëzakonisht të mëdha dhe ndihmës që kanë dhënë drejtoritë komunale të arsimit, shkollat, prindërit dhe institucionet e tjera, informatat nga terreni na kanë treguar se masat mbrojtëse nuk janë duke u respektuar sa duhet. Me qëllim të mbrojtjes së nxënësve, stafit mësimor dhe të gjithë qytetarëve, kemi vendosur që mësimi plotësues për klasat e nënta në javën e dytë të ndërpritet deri në masat e tjera. Pamë se situata është shumë shqetësuese dhe virusi është prezent në Kosovë”, -tha ministri i MASHTI-t, Ramë Likaj, në një konferencë për mediat.
Në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 1,384 raste me koronavirus, prej të cilave 921 janë shëruar dhe 31 kanë vdekur. Vetëm të premten janë regjistruar 58 raste të reja.








