Shefi i njohur i kuzhinës Renato Mekolli ka reaguar me një mesazh të gjatë dhe emocional në mbështetje të protestave që po zhvillohen në vend, duke ndarë përvojën e tij personale si emigrant dhe zhgënjimin ndaj situatës në Shqipëri.
Përmes një postimi të publikuar në rrjetet sociale, Mekolli shprehet se prej javësh po ndjek me emocion zhvillimet e fundit, duke i cilësuar protestat si shenjë të një zgjimi qytetar që ka ardhur pas shumë vitesh pakënaqësie të akumuluar.
“Po shoh të rinjtë që nuk pranojnë më të heshtin. U ka ardhur në majë të hundës dhe prandaj po ndodh gjithë kjo revoltë. Nuk po bëhet thjesht për flamingot. Janë vite të tëra që ziejnë brenda çdo shqiptari”, shkruan ai.
Mekolli kujton rrugëtimin e tij si emigrant, fillimisht në Greqi dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke theksuar se gjithmonë kishte besuar se mund ta ndërtonte jetën në Shqipëri. Sipas tij, largimi nga vendi nuk ishte zgjedhje, por pasojë e mungesës së mundësive dhe klimës së krijuar në vend.
“Ne emigrantët nuk ikëm sepse deshëm. Na detyruan të iknim. Na morën mundësitë, na morën qetësinë, na morën besimin, na prenë krahët”, shprehet ai.
Në deklaratën e tij, Mekolli kritikon ashpër qeverisjen dhe mënyrën se si, sipas tij, menaxhohen pasuritë dhe resurset e vendit. Ai kundërshton gjithashtu narrativën e suksesit turistik, duke argumentuar se problemet e qytetarëve duhet të jenë prioritet përpara promovimit të Shqipërisë si destinacion turistik.
“Po në djall të vejë turizmi kur qytetarëve po u merret fryma. Po në djall të vejë turizmi kur të rinjtë po largohen çdo ditë”, shkruan ai.
Një pjesë e mesazhit i drejtohet edhe figurave publike dhe personazheve të njohur, për të cilët ai shpreh zhgënjim për mungesën e reagimeve ndaj situatës aktuale.
“Asnjë koment për protestat? Çfarë është kjo heshtje? Edhe heshtja është një zgjedhje. Edhe heshtja është një pozicion”, thekson Mekolli.
Në fund të reagimit, shefi i njohur bën thirrje për ndryshim dhe për një Shqipëri ku njerëzit të kthehen për të jetuar, e jo të largohen në kërkim të një jete më të mirë.
“Kjo është Shqipëria që duam. Një vend ku njerëzit kthehen, jo një vend nga i cili njerëzit arratisen”, përfundon ai.
Postimi i Renato Mekollit ka gjeneruar reagime të shumta në rrjetet sociale, duke u shpërndarë gjerësisht dhe duke hapur debat mes mbështetësve dhe kritikëve të qëndrimeve të tij.







