Pas një muaji pezullim, qytetarët do të kenë mundësi të rinovojnë patentën apo të kryejnë kolaudimin e mjetit, kjo pasi sot janë rihapur zyrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, si dhe ato të kontrollit teknik.
Kanë nisur sot nën kushte të shtuara sigurie dhe higjiene, shërbimet e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor. Për shkak të situatës së coronavirusit, në zyra punohet me staf të reduktuar, teksa është vendosur dhe sinjalistikë për qytetarët, në mënyrë që të zbatojnë distancën e sigurisë.
Të gjithë do të kenë mundësi të regjistrojnë mjetet e tyre pranë zyrës së regjistrimit, nëse kanë bërë më herët regjistrimin online.
Gjithashtu, qytetarët do të kenë mundësi të nxjerrin leje drejtimi ndërkombëtare, t’i konvertojnë apo t’i rinovojnë ato.
Të gjitha këto shërbime ishin pezulluar që prej datës 13 mars, teksa qytetarët u njoftuan se ndaj tyre nuk do të kishte penalizim.
Prej ditë së sotme do të jenë të hapura gjithashtu dhe qendrat e kontrollit teknik, të cilat fillimisht do të kenë prioritet mjetet e transportit të mallrave.Kompania koncesionare ka njoftuar se drejtuesit e mjeteve duhet të paraqiten me maskë fytyre e doreza pranë pikave të kontrollit teknik dhe të kenë në kabinë solucion dezinfektant për sipërfaqet e brendshme të kabinës.